Gjykata Themelore e Prishtinës - Foto: KALLXO.com

Gjykata u Jep të Drejtë Punëtorëve të Larguar të KEDS-it

Aktvendimi i nxjerrë nga gjyqtari i Gjykatës Themelore të Prishtinës, Alajdin Tërshnjaku, mban datën 16 shkurt 2017.

Kështu, aktvendimi aprovon kërkesën për përmbarim të ushtruar nga avokati Nasuf Hasani, i cili përfaqëson punëtorët e larguar nga puna nga Kompania për Furnizim dhe Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS).

Ky vendim i Gjykatës është i katërti pas dy vendimeve të Inspektoratit të Punës në të dy shkallët dhe vendimit të Departamentit Administrativ të kësaj Gjykate që kishte refuzuar kërkesën për masë të përkohshme të ushtruar nga KEDS.

“Caktohet përmbarimi kundër debitorit KEDS me seli në Prishtinë, ashtu që debitori detyrohet t’i shfuziqojë vendimet për ndërprerjen e marrëdhënies së punës”, thuhet në aktvendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës.

Ky vendim i Gjykatës vjen bazuar në kërkesën për përmbarim të ushtruar nga avokati Nasuf Hasani që përfaqëson punëtorët, bazuar në vendimin e Trupës Ekzekutive të Inspektoratit të Punës të datës 26 tetor 2016.

I kontaktuar nga KALLXO.com avokati Nasuf Hasani tha se vendimi i Gjykatës është shumë i drejtë.

“Vendimi i Gjykatës lidhur me përmbarimin është i drejtë dhe i ligjshëm dhe tashmë ky është vendimi i katërt në favor të punëtorëve të larguar”, tha Hasani.

Kërkesën për ekzekutim avokati Hasani në Gjykatë e kishte ushtruar më 13 dhjetor të vitit të kaluar.

Punëtorëve të larguar u ishte ndërprerë kontrata e punës në fund të muajit shtator të vitit të kaluar.

KEDS tani ka 7 ditë afat për të kundërshtuar aktvendimin e Gjykatës Themelore me anë të mjetit juridik të prapësimit.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për largimet nga puna të punëtorëve të KEDS-it dhe protestat e tyre kundër largimit nga puna.