Gjykata Supreme Përuron Udhëzuesin për Politikën Ndëshkimore

Gjykata Supreme e Kosovës ka përuruar sot udhëzuesin për politikën ndëshkimore.

Dokumenti është produkt i vet gjykatësve të Supremes, i mbështetur nga Ambasada Amerikane.

Pjesëmarrës në panel ishin edhe Kryeprokurori i Shtetit Aleksandër Lumezi, Ambasadori Amerikan në Kosovë Greg Delawie, kryetari i Odës së Avokatëve, Osman Havolli, kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nehat Idrizi, si dhe Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri.

I pari që mori fjalën në këtë panel ishte vet kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci, i cili tha se politika ndëshkimore ka qenë një problematikë deri më tani, me arsyetimin se ka pasur mangësi dhe mospërputhje në mënyrën se si gjykatat i janë qasur gjykimit.

Përgëzime për punën e bërë nga Gjykata Supreme në këtë udhëzues pati edhe Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri. Ai shtoi se përpilimi i këtij raporti dëshmon se Gjykata Supreme ka kapacitet dhe e kupton se një gjë e tillë mund të arrihet vetëm nëpërmjet vendimeve unifikuese.
“Parakusht për sundimin e ligjit është luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit. Sidoqoftë Gjykatat janë ato që kanë barrën kryesore sa i përket vendimeve të këtyre rasteve. Jam i vetëdijshëm se shpesh hasim në problematika që kërkojnë ndërhyrjen e vendimeve unifikuese, e në këtë rast ndërhyrja e Gjykatës Supreme ka qenë e obligueshme”, tha Tahiri duke shtuar se Kosova po shënon progres në fushën e sundimit të ligjit.

Mendimin e njëjtë se Kosova po shënon progres në fushën e sundimit të ligjit e pati edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie. Ai theksoi se Ambasada Amerikane do të vazhdojë të përkrahë këtë udhëzues.

Kryetari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nehat Idrizi, tha se për herë të parë po lansohet dokumenti- udhëzuesi i parë si produkt i punës së vet gjykatësve të Gjykatës Supreme.

“Shpresoj dhe jam i interesuar që kur të takohemi herën tjetër ti dëgjoj përvojat e juaja dhe mësimet e marra nga ky udhëzues”, theksoi Idrizi.

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, e cilësoi doracakun në fjalë si qëllim mirë për funksionimin e sistemit gjyqësor.

Madje, ai theksoi se do të shikohet mundësia që ky udhëzues të futet në Kodin Penal në kapitullin ku do të caktohen rregullat për matjen e dënimit, meqenëse ky udhëzues tani nuk paraqet udhëzim ligjërisht të detyrueshëm.

Ndërsa kryetari i Odës së Avokatëve, Osman Havolli, tha se diskutime rreth politikës ndëshkimore ku ka diskrepancë në shqiptimin apo marrjen e vendimeve të ndryshme janë tema të cilat janë diskutuar shpesh në takimet e avokatëve.

“Me siguri që nuk mund të anashkalojmë se për një vepër të nëjtë penale njëri dënohet me gjobë njëri me kusht e tjetri me burgim. Kjo ka ndodhë me keqardhje në të njëjtin institucion pra të gjykatës. Me këtë është një inkurajim shumë i madh për neve”, tha Havolli.