Gjykata Speciale Publikon Listën e Avokatëve të Pranuar

Dhomat e Specializuara të Kosovës publikuan sot Listat e Mbrojtësve për përfaqësimin e të dyshuarve, të akuzuarve dhe viktimave, ose të cilitdo personi tjetër që gëzon të drejtën e përfaqësimit juridik, në përputhje me Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe Direktivën për Mbrojtësit.

Listat përmbajnë emrat e 40 juristëve që janë pranuar në Listat e Mbrojtësve dhe tashmë mund të përfaqësojnë të dyshuar, të akuzuar, një grup viktimash ose këdo tjetër që gëzon të drejtën e përfaqësimit juridik në procedurat para Dhomave të Specializuara.

Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës, gjykatëse Ekaterina Trendafilova, përgëzoi avokatët e pranuar.

“Unë i përgëzoj të gjithë avokatët që tashmë janë pranuar në Listën e Mbrojtësve. Kushtet e rrepta për pranim në Listën e Mbrojtësve sigurojnë përfaqësim të efektshëm dhe profesional ligjor përpara Dhomave të Specializuara të Kosovës për të akuzuarit dhe viktimat, duke dhënë kështu një kontribut të mëtejmë për integritetin e administrimit të drejtësisë nga ana e Dhomave të Specializuara”, tha Trendafilova.

Që nga nëntori 2017, Zyra e Mbrojtjes dhe Zyra e Pjesëmarrjes së Viktimave kanë marrë kërkesa të shumta. Vlerësimi i kërkesave dhe procesi i pranimit të mbrojtësve është kryer në mënyrë sistematike, të barabartë për të gjithë kandidatët dhe në përputhje me Direktivën për Mbrojtësit dhe kriteret e pranimit të përcaktuara në këtë Direktivë. Emrat e të gjithë mbrojtësve të pranuar deri më sot gjenden në tabelën në faqen e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Internet.

Listat e Mbrojtësve do të aktualizohen në vijimësi. Me vijimin e procesit të vlerësimit, në Listat e Mbrojtësve do të pranohen edhe kandidatë të tjerë, që do të thotë se procesi mbetet i hapur.

Hollësitë në lidhje me pranimin mund të gjenden në Udhëzuesin në lidhje me plotësimin e formularit të kërkesës  për pranim në Listat e Mbrojtësve.

Lista e avokatëve të pranuar mund të gjendet më poshtë.