Paneli i gjyqtarëve të Dhomave të Specializuara të Kosovës. Foto: Dhomat e Specializuara.

Gjykata Speciale Miraton Rregulloren

Dy muaj pas emërimit të gjyqtarëve të saj, Dhomat e Specializuara të Kosovës miratuan Rregullat e Procedurës dhe Provave, ajo tha në një deklaratë të martën – një lëvizje që mund të nënkuptojë se gjykata e re është juridikisht operacionale në më pak se dy muaj.

Rregullat e Procedurës dhe Provave kanë për qëllim “rritjen e drejtësisë, efikasitetit, integritetit dhe sigurisë në procedurat penale para Dhomave të Specializuara, ndërkohë që janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe standardet më të larta të të drejtave të njeriut,” thuhej në deklaratë.

Ato do të trajtojnë gjithashtu mbrojtjen e dëshmitarëve, viktimave dhe njerëz të tjerë në rrezik për shkak të dëshmisë së tyre apo bashkëpunimit me gjykatën e re.

“Me miratimin Rregullave të Procedurës dhe të Provave në më pak se dy muaj pas emërimit të tyre, gjyqtarët kanë treguar njohurinë e tyre të madhe, profesionalizëm dhe angazhim kategorik kundrejt një procedure të drejtë para Dhomave të Specializuara,” tha kryetarja e gjykatës, Ekaterina Trendafilova.

Trendafilova iu referua rregullave të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, e cila tani ka 30 ditë kohë për t’u dhënë atyre miratimin e saj përfundimtar.

Nëse kjo ndodh, atëherë ato do të hyjnë në fuqi pas shtatë ditëve të mëtejshme, pikë në të cilën Dhomat e Specializuara bëhen plotësisht operacionale në aspektin gjyqësor.

Gjyqtarët miratuan gjithashtu edhe dy dokumente të tjera që janë të rëndësishme për funksionimin e gjykatës – Kodi i Etikës Gjyqësore dhe Rregullat për Caktimin e Gjyqtarëve të Dhomave të Specializuara.

Figura të larta të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës pritet të akuzohen dhe të dalin në gjyq në gjykatën e re për krime të dyshuara të kryera gjatë dhe pas luftës me forcat serbe.

Ajo do të dëgjojë çështje të ngritura nga raporti i vitit 2014 i SITF, i cili tha se zyrtarë të UÇK-së do të përballeshin me aktakuza për “një fushatë persekutimi” kundër serbëve, romëve dhe shqiptarëve të Kosovës që besohej se ishin bashkëpunëtorë me regjimin e Beogradit.

Krimet e dyshuara përfshijnë vrasje, rrëmbime, ndalime të paligjshme dhe dhunë seksuale.

Gjykata do të përbëhet nga gjykatës dhe prokurorë ndërkombëtarë, edhe pse ajo do të funksionojë sipas ligjeve të Kosovës.

Raporti SITF u autorizua pasi Këshilli i Europës publikoi një hetim në vitin 2011, i cili hidhte dyshimet se disa zyrtarë të lartë të Kosovës, përfshirë edhe presidentin aktual Hashim Thaçi, ishin përgjegjës për abuzime të ndryshme të të drejtave të njeriut.

Thaçi i ka mohuar akuzat dhe që kur u bë president në shkurt të këtij viti, ai ka mbështetur publikisht themelimin e gjykatës së re.

Gjatë 18 viteve të fundit që kur mbaroi lufta, komuniteti ndërkombëtar ka administruar drejtësinë në Kosovë, por rezultatet e tij kanë qenë të varfra – më pak se 20 vendime përfundimtare në rastet e krimeve të luftës. Serbia ka ndjekur penalisht shtatë raste që kanë lidhje me luftën në Kosovë.

Megjithatë, besohej se prokuroria e Kosovës nuk mund të trajtonte raste të ndjeshme kundër zyrtarëve të lartë, e cila ishte edhe një nga arsyet pse komuniteti ndërkombëtar vendosi të krijojë gjykatën e re.

Në Kosovë, gjykata shihet si e njëanshme duke qenë se do të gjykojë vetëm ish-luftëtarë të UÇK-së – njerëz që shihen si çlirimtarë nga shumica e popullsisë shqiptare të vendit – ndërsa në Serbi, gjykata ka mbështetje të gjerë për shkak të shpresave se do të ndjekë penalisht krimet kundër serbëve.

Në luftën e Kosovës u vranë rreth 13,00 vetë, kryesisht shqiptarë të Kosovës, dhe një milion u dëbuan, ndërsa 1,666 persona janë ende në listën e të zhdukurve.