Gjykata Speciale Mban Peng Riformatizimin

Kanë kaluar mbi 3 muaj prejse postet qeveritare të zëvendëskryeministrit dhe ministrit të punëve të jashtme kanë mbetur të zbrazëta, ndërsa qeveria vazhdon ta zgjasë edhe më shumë plotësimin e këtyre vendeve.

Para dhjetë ditësh sekretari i përgjithshëm i PDK-së Basri Musmurati i tha KALLXO.com se PDK-ja pret që brenda javës të përfundojë procesi i riformatizimit, por kjo nuk ndodhi.

Musmurati atëherë tregoi edhe emrat e atyre që do të plotësojnë vendet bosh në qeveri.

“Ne si parti kemi propozu zëvendëskryemistër Hajredin Kuçin, ministër të Punëve të Jashtme  Enver Hoxhajn dhe ministër të Drejtësisë  Gani Kocin,” tha Musmurati.

http://kallxo.com/pdk-ja-pret-brenda-javes-riformatizimin/

edhe Kryeministri Mustafa u mundua ta sqarojë çështjen e riformatizimit duke shkruar në faqen e tij të Facebook-ut.

“Meqenëse ka interesim të opinionit se a do të ketë ndryshime në qeveri, dua të sqaroj se vlerësimi i performancës së ministrive, anëtarëve të qeverisë, ministrave por edhe të zëvendësministrave bëhet në vazhdimësi. Varësisht nga kjo me partnerin e koalicionit do të vendosim për ndryshime,” shkroi Mustafa.

Analisti Driton Selmani zvarritjen e plotësimit të vendeve të zbrazëta në qeveri e lidh me Ministrinë e Drejtësisë dhe Gjykatën Speciale.

“Kjo zhagitje si duket lidhet shumë me fatin e Ministrit të Drejtësisë. Post i cili do të ketë sfidat e tij në raport me Gjykatën Speciale. Pra, PDK-ja ende nuk po mundet me gjetur personin që do të ishte i gatshëm të ballafaqohet me sfidën ma të madhe pas shpalljes së pavarësisë, pasi që atij ministri do t’i binte të përballej me akuzat e para, e ndoshta edhe me arrestimet e para,” tha Selmanaj për KALLXO.com.

Ai konsideron se PDK-ja nuk e kishte seriozisht kur propozoi tre emrat, pasi puna e riformatizimit do të kryhej.

Edhe analisti Nexhmedin Spahiu fajëson PDK-në për zvarritjen, pasi sipas Spahiut kjo parti po dëshiron zgjedhje të reja.

“Këto janë veprime të qëllimshme të PDK-së që të prishë koalicionin në mënyrë të natyrshme. Duke e pasë parasysh se PDK-ja nuk mund të dalë haptas para ndërkombëtarëve se është e interesuar për zgjedhje, atëherë ajo sheh si mundësi rrugët e tilla. Në anën tjetër zgjedhjet janë kërkesë e të gjitha partive politike, përjashto LDK-në, lidershipi i së cilës nuk është i gatshëm,” tha Spahiu për KALLXO.com.

Kryetari i Partisë Demokratike Kadri Veseli kishte kërkuar riformatizim të gjerë të qeverisë më 10 maj, ndërsa sekretari i PDK-së Musmurati tetë ditë më vonë tha se në qeveri do të plotësohen vetëm vendet e zbrazëta.

http://kallxo.com/ldk-se-nuk-pelqen-ideja-e-kadri-veselit/

http://kallxo.com/pdk-ja-pret-brenda-javes-riformatizimin/

Dy postet qeveritare mbetën bosh, pasi Hashim Thaçi që mbante ato u zgjodh President më 26 shkurt.