Ndërtesa e Gjykatës Speciale në Hagë. Foto: Europol.

Gjykata Speciale Detyrohet të Rishikojë Procedurat

Gjykata Kushtetuese e Kosovës vendosi të mërkurën se nga një total prej 208 rregullash, dhjetë dispozita në Rregulloren e Procedurës dhe të Provave të Gjykatës Speciale me bazë në Hagë duhet të shqyrtohen më tej, pasi ato nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës – që do të thotë një tjetër vonesë për fillimin e punës së saj gjyqësore.

Kryetarja e Gjykatës Speciale me bazë në Hagë, Ekaterina Trendafilova, tha se një seancë e re plenare do të caktohet ku do të rishikohet grupi i rregullave në përputhje me vendimin.

“Rishikimi i Rregullores së Procedurës dhe Provave nga ana e Gjykatës Kushtetuese është një hap i domosdoshëm për t’u siguruar se, siç kërkohet nga Kushtetuta e Kosovës, të zbatohen standardet më të larta të të drejtave të njeriut nga Dhomat e Specializuara të Kosovës”, tha Trendafilova në një deklaratë.

“Në krahasim me institucione të tjera që trajtojnë krime të ngjashme, kjo përbën një hap inovativ përpara”, shtoi ajo.

Rregullat do të hyjnë në fuqi vetëm pasi Gjykata Kushtetuese të vendosë se të gjitha ato janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Pasi rregullat të rishikohen, Gjykata Kushtetuese do të bëjë një tjetër vlerësim ligjor, pas të cilit, nëse miratohen, ato do të hyjnë në fuqi brenda shtatë ditësh.

Sipas Gjykatës, Rregullat e Procedurës dhe Provave kanë për qëllim “rritjen e drejtësisë, efikasitetit, integritetit dhe sigurisë në procedurat penale para Dhomave të Specializuara, ndërkohë që janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe standardet më të larta të të drejtave të njeriut”.

Ato trajtojnë gjithashtu mbrojtjen e dëshmitarëve, viktimave dhe njerëz të tjerë në rrezik për shkak të dëshmisë së tyre apo bashkëpunimit me gjykatën e re.

Figura të larta të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës pritet të akuzohen dhe të dalin në gjyq në gjykatën e re për krime të dyshuara të kryera gjatë dhe pas luftës me forcat serbe.

Ajo do të dëgjojë çështje të ngritura nga raporti i vitit 2014 i SITF, i cili tha se zyrtarë të UÇK-së do të përballeshin me aktakuza për “një fushatë persekutimi” kundër serbëve, romëve dhe shqiptarëve të Kosovës që besohej se ishin bashkëpunëtorë me regjimin e Beogradit.

Krimet e dyshuara përfshijnë vrasje, rrëmbime, ndalime të paligjshme dhe dhunë seksuale.

Gjykata do të përbëhet nga gjykatës dhe prokurorë ndërkombëtarë, edhe pse ajo do të funksionojë sipas ligjeve të Kosovës.

Raporti SITF u autorizua pasi Këshilli i Europës publikoi një hetim në vitin 2011, i cili hidhte dyshimet se disa zyrtarë të lartë të Kosovës, përfshirë edhe presidentin aktual Hashim Thaçi, ishin përgjegjës për abuzime të ndryshme të të drejtave të njeriut.

Thaçi i ka mohuar akuzat dhe që kur u bë president në shkurt të vitit të kaluar, ai ka mbështetur publikisht themelimin e gjykatës së re.

Gjatë 18 viteve të fundit që kur mbaroi lufta, komuniteti ndërkombëtar ka administruar drejtësinë në Kosovë, por rezultatet e tij kanë qenë të varfra – më pak se 20 vendime përfundimtare në rastet e krimeve të luftës. Serbia ka ndjekur penalisht shtatë raste që kanë lidhje me luftën në Kosovë.

Megjithatë, besohej se prokuroria e Kosovës nuk mund të trajtonte raste të ndjeshme kundër zyrtarëve të lartë, e cila ishte edhe një nga arsyet pse komuniteti ndërkombëtar vendosi të krijojë gjykatën e re.

Në Kosovë, gjykata shihet si e njëanshme duke qenë se do të gjykojë vetëm ish-luftëtarë të UÇK-së – njerëz që shihen si çlirimtarë nga shumica e popullsisë shqiptare të vendit – ndërsa në Serbi, gjykata ka mbështetje të gjerë për shkak të shpresave se do të ndjekë penalisht krimet kundër serbëve.

Në luftën e Kosovës u vranë rreth 13,000 vetë, kryesisht shqiptarë të Kosovës, dhe një milion u dëbuan, ndërsa 1,666 persona janë ende në listën e të zhdukurve.