Lutfi Dervishi në gjykatë. Foto: Kallxo.com

Verdikti për 'Medicus', sa përfituan të akuzuarit nga transplantet?

Gjykata Themelore në Prishtinë shpalli sot aktgjykimin në rastin ‘Medicus’ me të cilin gjeti se i akuzuari Lutfi Dervishi është fajtor për veprat për të cilat ngarkohej.

Kur kryetarja e trupit gjykues, Franceska Fischer, e shpalli Dervishin fajtor, gruaja e tij reagoi nga karriget e audiencës në gjuhën angleze: “This is lie, this is unfair, this is politics” (Kjo është gënjeshtër, kjo është e padrejtë, kjo është politikë).

Pas kësaj, ajo është nxjerrë nga salla nën përcjelljen e Policisë.

“Është provuar se Lutfi Dervishi, si pronar i klinikës Medicus dhe përmes pjesëmarrjes së tij personale në disa operacione të transplantimit duke, ditur se klinika Medicus nuk ka poseduar leje për ndërhyrje të transplantimit dhe duke ditur se transplantimi ka qenë i ndaluar në bashkëpunim me persona të tjerë me mjete të mashtrimit dhe keqpërdorimit të pozitës së ndjeshme ka rekrutuar së paku 7 persona, ka strehuar dhe operuar ata në klinikën Medicus me qëllim të shfytëzimit dhe marrjes së veshkave dhe i ka transplantuar ato organe te personat pranues”, tha kryetarja e trupit gjykues gjatë arsyetimit të aktgjykimit.

“Është provuar përtej dyshimit të arsyeshëm se Dervishi si një anëtar i një organizate kriminale ndërkombëtare e cila ka funksionuar si një grup i strukturuar që nga data 2 janar 2008 deri në nëntor 2008, në rolin e tij si pronar dhe menaxher në klinikën “Medicus”si kirurg dhe ndihmës kirurg në disa prej operacioneve te transplantit së bashku me persona të tjere të njohur dhe të pa njohur nga Turqia Izraeli dhe Ukraina ka kryer veprën penale trafikim me njerëz”, tha ajo.

“Kanë organizuar transportin e tyre nga vende të ndryshme e pastaj së bashku me persona të tjerë nga Kosova dhe jashtë vendit kanë bërë transplante në klinikën “Medicus” dhe në mënyrë direkte dhe indirekte kanë përfituar të mira financiare”, shtoi gjykatësja.

Më pas ajo specifikoi se nga sa para kanë përfituar të akuzuarit nga transplantet në klinikën e tij:

Nga dëshmitari T3 nga Izraeli, kanë përfituar shumën 100 mijë dollarë amerikanë.

Nga dëshmitari T4 nga Izraeli, kanë përfituar shumën prej 70 mijë euro.

Nga dëshmitari M2 nga Izraeli, kanë përfituar shumën prej 108 mijë dollarë amerikanë.

Nga dëshmitari A1 nga Izraeli, kanë përfituar shumën prej 79 mijë euro.

Nga dëshmitari Tadeus Sadas nga Polonia, kanë përfituar shumën prej 25 mijë euro.

Nga dëshmitari Raul Fain nga Kanada, kanë përfituar shumën prej 80 mijë euro.

Nga dëshmitari M1 nga Izraeli, kanë përfituar shumën prej 77 mijë euro.

Nga dëshmitari T2 nga Izraeli kanë përfituar shumën prej  80 mijë euro.

Nga Bezaler Shafran nga Izraeli kanë përfituar shumën prej 90 mijë euro.

Lajm në zhvillim

Gjatë seancës së kaluar fjalën përfundimtare e kanë dhënë palët mbrojtëse, të cilët edhe një herë e kanë kundërshtuar aktakuzën e ngritur nga ana e Prokurorisë.

Mbrojtësi i Lutfi Dervishit, avokati Valon Hasani ka thënë se Prokuroria me asnjë provë nuk ka dëshmuar se klienti i tij e ka kryer ndonjë vepër penale, pasi që sipas tij, Dervishi nuk është trafikant dhe as nuk ka qenë pjesë e ndonjë grupi kriminal, prandaj ka kërkuar nga gjykata që të njëjtin ta liroj nga akuza.

Ndërsa mbrojtësi i Sokol Hajdinit, avokati Ramë Gashi kishte deklaruar se vepra penale për të cilën akuzohet klienti i tij shkaktohet me dashje dhe qëllim për t’i shkaktuar dikujt lëndim trupor, por që sipas avokatit, Prokuroria me asnjë provë nuk ka arritur të dëshmojë se Hajdini e ka kryer ndonjë element të kësaj vepre penale.

Foto: Kallxo.com

Kurse i akuzuari Lutfi Dervishi, ka thënë se transplantimi i veshkës është vepër humane, e jo vepër penale, pasi që sipas tij në tërë botën bëhen me mijëra transplantime, por askush nuk ndiqet penalisht për këtë gjë.

Edhe Sokol Hajdini e ka mohuar akuzën në drejtim të tij, duke deklaruar se ai asnjëherë gjatë punës së tij nuk ka rënë ndesh me ligjin dhe se asnjëherë nuk ka punuar që të i shkaktoj lëndime trupore ndokujt.

http://kallxo.com/avokati-nese-lutfi-dervishi-mbetet-ne-burg-humb-shendetesia-e-shoqeria/

Por prokurorja e rastit Valeria Bolici, në fjalën përfundimtare i ka kërkuar Gjykatës që të konfirmojë përgjegjësinë penale të Dervishit dhe të Sokolit dhe të i dënojë ata sipas kufijve ligjor.

http://kallxo.com/prokurorja-lutfi-dervishi-bashke-me-nje-grup-kriminal-menaxhuan-medicus-in/

Gjatë dhënies së mbrojtjes Lutfi Dervishi kishte deklaruar se klinika “Medicus” kishte pasur leje për transplantim të veshkave dhe se sipas dijenisë së tij vetëm një operacion ishte kryer në këtë klinikë, në të cilin ka deklaruar se kishte marrë pjesë edhe ai.

http://kallxo.com/dervishi-klinika-medicus-ka-pasur-leje-per-transplantim-te-veshkave/

E anesteziologu Sokol Hajdini ishte mbrojtur në heshtje.

http://kallxo.com/video-lutfi-dervishi-vetem-nje-transplantim-veshke-u-krye-ne-medicus/

Lutfi Dervishi që ishte pronar i Klinikës “Medicus” në të cilën nga Prokuroria po pretendohet se u krye transplantim i veshkave, akuzohet për trafikim me qenie njerëzore dhe krim të organizuar, ndërsa Sokol Hajdini për lëndim të rëndë trupor.

Pjesë e këtij gjykimi ishte edhe Arban Dervishi, djali i Lutfi Dervishit, por procedura ndaj tij është veçuar, ngase ai ndodhet në arrati.

Urologu Lutfi Dervishi ishte dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë me 8 vjet burg në vitin 2013, ndërsa Sokol Hajdini me 3 vjet.

Gjykata e Apelit më pas ia kishte vërtetuar dënimin Dervishit, ndërsa Hajdinit ia kishte shtuar vitet e dënimit me burg nga 3 vjet në 5.

KALLXO.com ka shkruar në vazhdimësi për këtë proces gjyqësor.