Gjykimi për grabitje në furrë të bukës -Foto: KALLXO.com

Gjykata Shpalli Aktgjykimin për Grabitjen në Furrën e Bukës

Gjykata Themelore në Prishtinë pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave në lidhje me një rast të grabitjes në një furrë të bukës në Prishtinë, ngjarje kjo që ka ndodhur në vitin 2013, ka shpallur aktgjykimin.

Ndaj të akuzuarit Driton Rexhepi Gjykata mori aktgjykim lirues në lidhje me të dy veprat të cilat i viheshin në barrë: grabitje dhe armëmbajtje pa leje.

Sipas aktakuzës, në shtator të vitit 2013 në furrën e bukës “Sharri”, në Prishtinë, i akuzuari Driton Rexhepi në bazë të një marrëveshjeje paraprake me personin deri më tani të panjohur për Prokurorinë me qëllim të përvetësimit të sendeve të huaja, të luajtshme, në mënyrë të kundërligjshme nën kërcënimin e armëve kanë grabitur nga tani e dëmtuara Shehide Sekiraça, punëtore e kësaj furre, shumën prej 170 eurove.

Sipas aktakuzës, derisa e dëmtuara ka qenë në furrë aty kanë hyrë të pandehurit me armë në dorë, ia drejtojnë armën në drejtim të belit, i drejtohen me fjalët “qiti paret”, e pastaj e hapin arkën ku ishin paratë e pazarit ditor dhe nga aty marrin shumën prej 170 euro. Pastaj ata kërkojnë para të tjera nga tani e dëmtuara dhe kur kjo duke bërtitur u deklaron se nuk ka para, të pandehurit me shpejtësi ikin në drejtim të panjohur, me ç’rast të dëmtuarës i kanë shkaktuar frikë të madhe dhe dëm material.

Më anë të këtyre veprimeve Driton Rexhepi në bashkëkryerje me personin e panjohur deri më tani për Prokurorinë akuzohet se kanë kryer veprën penale të grabitjes si dhe armëmbajtjes pa leje.