Gjykimi i ish-drejtorit | Foto: KALLXO.com

Gjykata shpall aktgjykimin për ish-drejtorin në MASHT

Ish- drejtori i Prokurimit në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Xhemajl Buzuku, u lirua lidhur me akuzat për një kontratë 24 muajshe me mundësi vazhdimi edhe për 12 muaj me kompaninë “Alb-Architect”.

I akuzuar i këtij procesi gjyqësor  ishte edhe drejtori i “Alb Architect” Afrim Demiri, i cili gjithashtu u lirua.

Kryetari i trupit gjykues, Arben Hoti, bëri të ditur se lirimi ndodhi në mungesë të provave, ngase, sipas tij, nuk është vërtetuar se të njëjtit kanë kryer veprën penale që u vihej në barrë.

Xhemajl Buzuku në cilësinë e drejtorit të Prokurimit në MAShT, sipas aktakuzës, me qëllim të përfitimit për vete, apo për të tjerët më 15 maj 2009 ka lidhur kontratë  me kompaninë “Alb-Architect” për projektin “Mbikëqyrja Profesionale e Objekteve Kapitale të Ndërtuara nga MAShT”.

Gjithnjë sipas pretendimeve të Prokurorisë në aktakuzë,  këto kontrata janë përdorur me qëllim të shfrytëzimit si dokumente origjinale në ofertën e tij dhe me këto kontrata të rreme ka arritur që t’i vërë në lajthim Komisionin e Vlerësimit të këtij tenderi që t’i vlerësojnë si të vërteta dhe të fitojë kontratën, sepse të njëjtat janë kërkuar si kriter në dosjen e tenderit nga autoriteti kontraktues.

Sipas aktakuzës, Afrim Demiri në ditën e pacaktuar në vitin 2009 në Prishtinë në cilësinë e drejtorit të kompanisë “Alb-Architect” në ofertën që e ka paraqitur MAShT-i për tenderin e mbikëqyrjes profesionale të objekteve të ndërtuara, me qëllim të përfitimit të dobisë së kundërligjshme nga fondet publike ka përpiluar kontrata të rreme për 30 persona, gjoja se këta ekspertë, inxhinierë të diplomuar kanë lidhur kontratë pune me kompaninë e të pandehurit.

Pjesë e kësaj aktakuze ishte edhe Ramë Buja si dhe ish-sekretari i MAShT-it, Xhavit Dakaj, për të cilët Gjykata Themelore në Prishtinë pranoi kërkesën e mbrojtjes për hedhjen e aktakuzës ndaj tyre.

Ramë Buja si ministër i Arsimit dhe Xhavit Dakaj në cilësinë e sekretarit të përgjithshëm në këtë Ministri, akuzoheshin se me qëllim të përfitimit për vete apo për të tjerët, më 11 maj 2012 arritën marrëveshje me kompaninë “Alb-Architect” për vazhdimin e projekteve dhe mbikëqyrjen profesionale të projekteve të iniciuara sipas kontratave bazë të datës 15 maj 2009 dhe aneks-kontratës të datës 16 maj 2011.

Sipas aktakuzës, kjo është bërë pa një procedurë të re dhe me nënshkrimin e tyre kanë shkelur detyrimet që i kanë pasur në bazë të Ligjit të prokurimit publik.

KALLXO.com shkroi për hedhjen poshtë të aktakuzës ndaj Ramë Bujës.

Ky rast gjyqësor është një prej të rasteve të shënjestruar për liberalizimin e vizave.