Pamje nga seanca e gjykimit të Ismajl Rudarit - Foto: KALLXO.com

Gjykata Refuzon Kërkesën e ‘NLB’-së për Mbyllje të Seancës

Me arsyetimin se cenohet sekreti afarist, përfaqësuesja e kësaj banke kishte kërkuar përjashtimin e publikut në gjykimin ndaj ish-drejtorit të Ekspoziturës të “NLB”-së, Ismajl Rudarit.

Ndonëse tha se është me rëndësi që opinioni të kuptojë se çfarë po ndodhë në këtë seancë, prokurori Armend Ahmeti, iu bashkëngjit mendimit të përfaqësueses së bankës, me arsyetimin se “Prokuroria gjithmonë e mbron interesin e shtetit dhe të të dëmtuarit”.

Kundër kësaj kërkese u deklarua avokati i të akuzuarit Rudari, Naser Sopjani. Ai tha ky gjykim mund të shërbejë si shembull për transparencën e bankave karshi qytetarëve për mënyrën e lëshimit dhe mbledhjes së kredive. Prandaj propozoi që gjykimi të mbetet i hapur “pasi që do të ishte me interes për publikun”.

Që gjykimi të jetë i hapur kërkuan edhe dy dëshmitarët, Murat Leka dhe Hajredin Ahmeti.

“Të jetë i hapur. Mua më ka cenu banka, le ta dinë të gjithë”, tha Leka.

Pas shqyrtimit të kërkesave dhe rrethanave, trupi gjykues vendosi që seanca të jetë e hapur.

Ndërsa, në fjalën hyrëse, përfaqësuesja e “NLB”-së kërkoi nga Gjykata që të akuzuarin Ismajl Rudari ta urdhërojë që ta kompensojë të dëmtuarën në shumën prej 305,420.71 euro.

Ndërkaq, avokati i Rudarit tha se ndonëse ndjekja penale është parashkruar në mënyrë absolute, në këtë proces gjyqësor do të vërtetohet pafajësia e të mbrojturit të tij.

Seanca vazhdoi me marrjen në pyetje të dëshmitarit Murat Leka, i cili ishte pronar i “Elektro Vali”, njërës nga kompanitë për të cilën Ismajl Rudari akuzohet se ka lidhur kontratë fiktive për huadhënie të kredive në shumë prej 6,604 euro.

Leka tha se kishte marrë kredi në “Kasabank” në shumë prej 5,000 euro dhe si peng kishte lënë disa goma, dërrasa dhe pjesë të makinës.

Këtë kredi dëshmitari deklaroi se nuk ia kishte kthyer bankës.

Më tutje, ai tha se gjatë kohës që kishte qenë në Gjermani, disa persona nga banka kishin shkuar në shtëpinë e tij dhe ia kishin konfiskuar pengun.

Në ndërkohë, banka kishte kaluar nga “Kasabank” në “NLB Prishtina” dhe dëshmitari deklaroi se pasi që ishte kthyer nga Gjermania kishte kërkuar që të shikonte se sa para kishte në xhirollogarinë bankare dhe si ta kthente pengun e marrë nga banka.

Dëshmitari deklaroi se kur kishte shkuar në pikën e bankës në Prishtinë, ai kishte marrë me vete edhe procesverbalin e lënë nga personat që i kishin marrë pengun në shtëpinë e tij.

Leka tha se në bankë i kishin thënë se nuk kanë kurrfarë dëshmie që e kishte i njëjti dhe i kishin kërkuar një kopje të procesverbalit.

Dëshmitari tha se pengu i marrë e tejkalonte shumën e kredisë disa herë.

I pyetur nga përfaqësuesja e bankës se sa i keni mbetur borxh bankës, dëshmitari tha se ai ishte i dëmtuar në këtë rast, e jo banka.

“Duke u bazu sa më keni dëmtu ju mua me paret e deponuara në bankë dhe me pjesët që mi keni marrë, konsideroj se unë jam i dëmtuar, e jo banka”, tha Leka.

E për këtë avokati i të akuzuarit Rudari e pyeti se a keni qenë në dijeni se ka qenë kredi e cila duhej të kthehej brenda një muaji, Leka tha se nuk i kujtohet.

Ndërsa dëshmitari tjetër Hajredin Ahmeti ishte pronar i kompanisë NTP “Irsija-Cos”. Rudari akuzohet se ka lidhur kontrata fiktive për huadhënie me këtë kompani në shumë prej 8,169 euro.

Ahmeti deklaroi se kishte marrë kredi nga “Kasabank” në shumë prej 7,000 euro dhe shtoi se huazimet të cilat janë lëshuar nga banka në atë kohë kanë qenë për periudhën njëmujore.

Ahmeti tha se asnjëherë nuk kishte marrë kredi të dytë nga “Kasabank”. Dëshmitari theksoi se në datën e cila figuron në kontratën e dytë ai kishte qenë i shtrirë në spital dhe nuk do të ishte e mundur një gjë e tillë.

Ai tha se e kishte kuptuar që diçka nuk është në rregull atëherë kur 3,000 euro kanë qarkulluar si mbitërheqje pa dijeninë e tij.

Po ashtu, dëshmitari deklaroi se i akuzuari Rudari më herët kishte punuar si kontabilist në firmën e tij.

Ndërkaq, në këtë gjykim po akuzohet Ismajl Rudari, me pretendimin se në cilësinë e drejtorit të Ekspoziturës të bankës “NLB”, gjatë periudhës kohore 2003-2005, i ka shkaktuar bankës në fjalë dëm në vlerë prej 305.420,71 euro.

Në aktakuzë theksohet se e gjithë kjo është bërë me qëllim të përvetësimit të pasurisë.

Në bazë të aktakuzës, i akuzuari Rudari kishte lidhur kontrata fiktive për dhënie të kredive me disa kompani private.

Disa nga këto kompani private ishin NTPSH “Beargo”, në shumën prej 159,193 euro, NB “Limani” në vlerë prej 15,692 euro, NTP “Irsija-Cos” në shumë prej 8,169 euro, NT “Xheneti” në vlerë prej 91,013 euro, NTP “Elektro Vali” 6,604 euro dhe NTP “Altini Comerc” në shumën prej 30,747 euro.

Me këtë, Rudari ngarkohet nga Prokuroria me veprën penale përvetësimi në detyrë.

Kallxo.com ka raportuar në vazhdimësi për këtë proces gjyqësor.

http://kallxo.com/shtyhet-gjykimi-ndaj-ish-drejtorit-te-ekspozitures-te-bankes-nlb/

http://kallxo.com/ish-zyrtari-bankes-ndihet-pafajshem/