Nga gjykimi i Ramë Bujës | Foto: KALLXO.com

Gjykata: Prokuroria Nuk Ofroi Prova Ndaj Ramë Bujës

Gjykata Themelore e Prishtinës me aktvendimin e datës 28 prill 2017 i dha fund paraqitjes së ish-Ministrit të Arsimit Ramë Buja në gjykatë.

Aktvendimi i Gjykatës Themelore të cilin e ka siguruar KALLXO.com, thekson se prokuroria dështoi të përshkruajë veprimet inkriminuese të Bujës.

Me këtë aktvendim, gjykata pushoi procedurën ndaj ish-ministrit Buja, por edhe ndaj ish-sekretarit të MASHT-it, Xhavit Dakaj.

“Në aktin akuzues PSRK nuk ka konkretizuar asnjë veprim të cilin të akuzuarit Buja dhe Dakaj ta kenë ndërmarrë në drejtim të kryerjes së veprës penale për të cilën akuzohen por është bërë vetëm një frazim se të akuzuarit me nënshkrimin e kësaj marrëveshje kanë shkelur detyrimet e tyre ligjore të përcaktuara me Ligjin e Prokurimit Publik në Kosovë”, thuhet në aktvendim.

Gjykata konstaton se prokuroria nuk ka treguar se cilat dispozita të ligjit janë shkelur.

“Pra, konkretisht nuk është theksuar se cilat dispozita të ligjit janë shkelur, cilat veprime të  akuzuarve janë ndërmarr në kundërshtim me dispozitat ligjore apo aktet nënligjore”, vijon shpjegimi në aktvendim.

Buja dhe Dakaj akuzoheshin nga Prokuroria Speciale e Kosovës se kanë nënshkruar një marrëveshje me kompaninë “Alb Architect”,  me të cilën i kanë vazhduar kontratën për mbikëqyrjen e projekteve investuese të iniciuara nga MASHT-i.

Më tej në aktvendimin e gjykatës, thuhet se prokuroria ka dështuar të ofrojë prova që vërtetojnë se ndonjëri nga të akuzuarit ka përfituar diçka materialisht nga nënshkrimi i këtyre kontratave.

“Nga shkresat e lëndës nuk është vërtetuar se të akuzuarit Buja e Dakaj me nënshkrimin e marrëveshjes të kenë përfituar diç materialisht për vete apo për dikë tjetër, apo t’i kenë shkaktuar dëm kujt. Të paktën nga PSRK me asnjë provë të vetme nuk është vërtetuar ndonjëri nga këto elemente të veprës penale e posaçërisht që të kenë përfituar për veten e tyre këta dy të akuzuar”, thuhet në aktvendimin e themelores.

Në arsyetimin e aktvendimit të Gjykatës Themelore të Prishtinës, më tej thuhet se për nënshkrimin e vazhdimit të kontratës me “Alb Archiect”, Buja dhe Dakaj i janë përmbajtur kontratës bazë me këtë kompani të vitit 2009, e në atë kohë Buja s’kishte qenë ministër , e as Daka nuk kishte qenë sekretar permanent.

“Në raport me elementet esenciale të veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe me marrëveshjen e nënshkruar nga Ramë Buja dhe Xhavit Dakaj, PSRK nuk ka vërtetuar me asnjë provë të vetme se si këta dy të akuzuar i kanë keqpërdorur apo tejkaluar kompetencat e tyre zyrtare, cilat janë ato kompetenca të cilat i kanë tejkaluar”, thuhet në aktvendim.

Më tej në aktvendim thuhet se veprimet e të akuzuarve Buja dhe Dakaj nuk kanë shkaktuar implikime financiare për MASHT-in.

“Marrëveshja nuk ka pasur implikime financiare, atëherë si paskan përfituar materialisht për vete apo për personin tjetër apo t’i kenë shkaktuar dëm dikujt tjetër këta të akuzuar, pasi që nuk ka pasur implikime financiare nga marrëveshja e nënshkruar nga ta?”, shtrohet pyetja në aktvendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës.

Me të gjitha këto të gjetura, gjyqtari Valon Kurtaj vendosi që të pranojë kërkesën për hedhje të aktakuzës lidhur me Ramë Bujën dhe Xhavit Dakajn ndërsa refuzoi kërkesat e të akuzuarve Xhemajl Buzuku dhe Afrim Demiri.

Ramë Buja si ministër i Arsimit dhe Xhavit Dakaj në cilësinë e sekretarit të përgjithshëm në këtë ministri, akuzoheshin  se me qëllim të përfitimit për vete apo për të tjerët, më 11 maj 2012 arritën marrëveshje me kompaninë “Alb-Architect” për vazhdimin e projekteve dhe mbikëqyrjen profesionale të projekteve të iniciuara sipas kontratave bazë të datës 15 maj 2009 dhe aneks-kontratës të datës 16 maj 2011.

Sipas aktakuzës, kjo është bërë pa një procedurë të re dhe me nënshkrimin e tyre kanë shkelur detyrimet që i kanë pasur në bazë të Ligjit të Prokurimit Publik.

Edhe Xhemajl Buzuku në cilësinë e drejtorit të prokurimit në MAShT, sipas aktakuzës, me qëllim të përfitimit për vete, apo për të tjerët më 15 maj 2009 ka lidhur kontratë 24 muajshe me mundësi vazhdimi edhe për 12 muaj me kompaninë “Alb-Architect” për Projektin “Mbikëqyrja Profesionale e Objekteve Kapitale të Ndërtuara nga MASHT”.

Pjesë e aktakuzës është edhe Afrim Demiri, drejtor i kompanisë “Alb-Architect”

Sipas aktakuzës që u lexua nga Ali Rexha, prokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Afrim Demiri në ditën e pacaktuar në vitin 2009 në Prishtinë në cilësinë e drejtorit të kompanisë “Alb-Architect” në ofertën që e ka paraqitur MASHT-i për tenderin e mbikëqyrjes profesionale të objekteve të ndërtuara, me qëllim të përfitimit të dobisë së kundërligjshme nga fondet publike ka përpiluar kontrata të rreme për 30 persona, gjoja se këta ekspertë, inxhinierë të diplomuar kanë lidhur kontratë pune me kompaninë e të pandehurit.

Gjithnjë sipas pretendimeve të prokurorisë në aktakuzë,  këto kontrata janë përdorur me qëllim të shfrytëzimit si dokumente origjinale në ofertën e tij dhe me këto kontrata të rreme ka arritur që t’i vë në lajthim Komisionin e Vlerësimit të këtij tenderi që t’i vlerësojnë si të vërteta dhe të fitojë kontratën, sepse të njëjtat janë kërkuar si kriter në dosjen e tenderit nga autoriteti kontraktues.

Sipas aktakuzës, Demiri me këto veprime ka kryer veprën penale-mashtrim.

KALLXO.com shkroi sot për hedhjen poshtë të aktakuzës ndaj Ramë Bujës.

http://kallxo.com/hidhet-poshte-aktakuza-ndaj-rame-bujes/