Gjykata Nuk Tregon Nëse ka Lëshuar Urdhërarrest për Visar Ymerin

Zyra për informim pranë Gjykatës Themelore të Prishtinës nuk ka kthyer përgjigje përkundër interesimit të KALLXO.com, nëse ka lëshuar urdhërarrest për kreun e Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, për të siguruar praninë e tij në gjykimin për rastin e përleshjes së deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Në seancën e mbajtur të hënën, ku të akuzuar për shkaktim të lëndimit të lehtë trupor ndaj deputetit Bekim Haxhiut- Kamishit,  janë Visar Ymeri, Florin Krasniqi dhe Rexhep Selimi, mungesa e liderit të Vetëvendosjes bëri që të mos plotësohen kushtet ligjore për mbajtjen e seancës.

Ky rast gjyqësor ka të bëjë me rrahjen e deputetëve të Vetëvendosjes dhe PDK-së në vitin 2012 në ambientet e Kuvendit të Kosovës. Në këtë përleshje ishin përfshirë deputetët e Vetëvendosjes, Rexhep Selimi e Visar Ymeri, dhe ai i PDK-së, Bekim Haxhiu.

Gjyqtari Vesel Ismajli, duke arsyetuar shtyrjen e seancës, tha se nuk i ka mbetur më tjetër mjet juridik për të siguruar praninë e Ymerit në seancë, përpos masës më të rëndë, urdhërarrestit,  ndërsa i dëmtuari në këtë rast, Bekim Haxhiu tha se është e 14 herë që po shtyhet kjo seancë.

http://kallxo.com/deshton-seanca-e-perleshjes-se-deputeteve/

KALLXO.com lidhur me këtë rast të martën i ka shkruar Gjykatës Themelore të Prishtinës, ndërsa gjykata refuzoi të përgjigjet.

“Ju njoftojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë nuk jep asnjë informatë lidhur me çështjet penale për të akuzuarit”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës Themelore të Prishtinës.

Mungesa e të akuzuarve ka shkaktuar shtyrjen e kësaj seancë disa herë, ndërsa për shkak të ekonomizimit të procedurës dhe pamundësisë për të qenë i pranishëm në seancë, procedura penale ndaj Florin Krasniqit është veçuar.

KALLXO.com ka raportuar se ky rast rrezikon të parashkruhet.

http://kallxo.com/rrahjes-se-deputeteve-po-i-kalon-afati/