Gjykimi i ish-zyrtarëve të akreditimit | Foto: KALLXO.com

Gjykata nuk Pranon një Dëshmi me Shkrim në Gjykimin e ish-Zyrtarëve të Akreditimit

Në gjykimin e i ish-zyrtarëve të Agjencisë së Akreditimit Basri Muja e Ferdije Zhushi si dhe Armend Mujës, si dëshmitar i radhës ishte planifikuar që të dëgjohej Agon Demjaha.

Por në vend të tij në seancë e pranishme ishte përfaqësuesja e kolegjit “Universum”, Kaltrina Mazhiqi e cila tha se dëshmitari për arsye objektive nuk ka mundur që të ishte i pranishëm në këtë shqyrtim gjyqësor, por që i njëjti ishte i gatshëm që të japë deklaratë me shkrim dhe të njëjtën t’ia deponojë gjykatës.

Mungesa e këtij dëshmitari i cili ndonëse është ftuar me ftesë të rregullt, për të dytën herë radhazi nuk u paraqit pranë gjykatës, e pamundësoi mbajtjen e shqyrtimit gjyqësor.

Kryetarja e trupit gjykues Valbona Selimi tha se gjykata nuk mund ta pranojë që ky dëshmitar të japë dëshmi në formë të shkruar, pasi që në dosjet e lëndës tashmë ekziston deklarata e tij me shkrim e dhënë në fazat e mëhershme.

“Gjykata nuk e akcepton arsyetimin tij që i njëjti të jap dëshmi me shkrim dhe të ja ofroj gjykatës pasi që në dosjen e lëndës ekziston deklarata e tij e deponuar e dhënë në fazat e hetuesisë”, deklaroi gjyqtarja Valbona Selimi.

Gjyqtarja dha edhe një arsye tjetër pse nuk lejohet dëshmia me shkrim e Agron Demjahës.

“Dëshmitari Agon Demjaha është i ftuar në aktakuzë në cilësi të dëshmitarit dhe i njëjti është ftuar disa herë nga gjykata, në mënyrë që të ju jepet mundësia edhe palëve të tjera të i parashtrojnë pyetje këtij dëshmitari”, tha gjyqtarja Selimi.

Gjyqtarja tregoi se dëshmitari nuk ka thënë cilat janë arsyet e mungesës për këtë shqyrtim gjyqësor dhe se edhe në seancën e kaluar i njëjti ishte deklaruar se në cilat ditë të javës do të mund të jetë i pranishëm për çka gjykata bazuar në ato thënie e kishte caktuar seancën me qëllim që ai dëshmitar të dëgjohej para gjykatës.

Ndërsa për seancën e radhës kryetarja e trupit gjykues tha se do të lëshojë urdhëresë për sjelljen e këtij dëshmitari nën shoqërim të policisë.

Në këtë proces gjyqësor Basri Muja dhe Ferdije Zhushi ngarkohen për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar në bashkëkryerje dhe në vazhdim dhe për marrje të ryshfetit në vazhdim dhe bashkëkryerjeje.

Ndërsa Armend Muja akuzohet për marrje të ryshfetit në vazhdim dhe bashkëkryerje.

http://kallxo.com/basri-muja-pyet-hetuesin-per-3-persona-qe-quan-seksere/