Gjykimi për terrorizëm | Foto: KALLXO.com

Gjykata nuk lëshon urdhër për sjelljen e të akuzuarit për terrorizëm nga Lipjani

Në gjykimin e Valon Shalës, Genc Selimit, Musli Hysenit, Nuredin Sylejmanit dhe Ardian Mehmetit, të akuzuarve për vepra që lidhen me terrorizëm, ky i fundit nuk ishte prezent në sallë të gjykatës.

Kryetari i trupit gjykues, Naser Foniqi, bëri të ditur se gjykata nuk ka lëshuar urdhëresë për sjellje nga qendra e paraburgimit.

“Krejt kjo duke pasur parasysh se për të njëjtin për seancat e kaluara gjykata ka lëshuar një urdhër për datat 7, 8 dhe 9 mars, kështu që ka ndodhur një gabim”, shtoi gjykatësi Foniqi.

Tutje, gjykatësi Foniqi sqaroi se ka biseduar me shefin e Njësisë së Transportit në Lipjan i cili më ka thënë se ka pak gjasa që të akuzuarin ta sjellin në seancë, duke pasur parasysh se përveç njësisë së transportit duhet të jenë të pranishme edhe njësitë përcjellëse të Policisë së Kosovës.

Në seancën e sotme parashihej të merrej në pyetje dëshmitari i infiltruar me emrin “Premtim”.

Për shkak se nuk kishte kushte për mbajtjen e seancës, e njëjta është shtyrë për datën 4 maj.

Po ashtu, do të lëshohet urdhër për sjelljen e Ardian Mehmetit.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për këtë proces gjyqësor.