Gjykata Themelore e Prishtinës - Foto: KALLXO.com

Gjykata në Prishtinë Shkel Rregullat e Rekrutimit

Gjykata Themelore në Prishtinë nuk ka respektuar ligjin kur ka marrë në punë 24 punëtorë të rinj në pozitat e zyrtarëve ligjorë.

Në konkursin 02.2016 për pranimin e 24 zyrtarëve ligjorë në Gjykatën Themelore në Prishtinë është shpërfillur Ligji për Procedurën Administrative, pasi shpallja e rezultateve të konkursit nuk ka përmbajtur këshillë juridike.

Konkursi është përcjellë me shumë telashe dhe shkelje të evidentuara.

I hapur fillimisht në vitin 2016 ky konkurs ishte anuluar nga Komisioni për Zgjidhjen e Kontesteve dhe Ankesave i kësaj gjykate.

Sipas zëdhënëses së Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi anulimi ishte bërë për shkak të ngatërresës nga ana e komisonit përzgjedhës.

“Herën e parë është anuluar konkursi nga ana e vetë Komisionit për Zgjidhjen e Kontesteve dhe Ankesave në Gjykatën Themelore- Prishtinë, sipas ankesës së aplikuesit për shkak të ngatërrimit të dy kandidatëve që rastësisht kishin emër dhe mbiemër të njëjtë”, tha Gashi.

Konkursi u rishpall në dhjetor të vitit 2016 për të njejtat pozita dhe procedurat e përzgjedhjes mbaruan më 20 mars të vitit 2017 dhe kësaj radhe sipas Gashit është ndërruar edhe përbërja e komisionit përzgjedhës.

“Është ndryshuar  përbërja e komisionit përzgjedhës,me përmbajtje më kualitative profesionale dhe përvojë më të gjatë,përkundër përbërjes së komisionit përzgjedhës nga hera e pare”, tha Gashi.

Megjithatë, procedurat e konkursit të dytë sërish përbëjnë shkelje procedurale në shpalljen e rezultateve.

Një raport anonim në KALLXO.com ngriti dyshimet se në këtë konkurs është mohuar e drejta e kandidatëve që të ankohen mbi rezultatet e konkursit.

Njoftimi zyrtar i rezultateve në web-faqen e Gjykatës Themelore të Prishtinës,  nuk përmban asgjë tjetër përpos emrave të kandidatëve të suksesshëm në këtë konkurs.

Në njoftimin zyrtar për kandidatët e suksesshëm, nuk ka këshillë juridike se cilit organ duhet t’i drejtohen kandidatët për ankesë ndaj këtij rezultati.

Gazeta Jeta në Kosovë ka kërkuar opinion profesional për këtë çështje nga Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbyesit Civilë që është organ që kontrollon mbarëvajtjen e procedurave të rekrutimit të shërbyesve civilë.

Behram Geci nga ky këshill tha secili institucion është i obliguar që me rastin e njoftimit të rezultateve të përcaktojë organin ku kandidatët mund të ankohen.

“Duke u bazuar në nenin  111, paragrafin 111.1  pikat a, b, c  të Ligjit Nr/L -28 për Procedurën Administrative, institucioni me rastin e njoftimit është i obliguar që të përcaktojë emrin e organit që ka  kompetencë  për  të  vendosur  lidhur  me  ankimet  kundër  aktit  dhe afatet kohore përkatëse”, thuhet në përgjigjen e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbyesit Civilë.

Në anën tjetër, gjykata themelore arsyeton mungesën e kësaj këshille juridike me natyrën e shpalljes së rezultateve që sipas saj ka qenë njoftim publik, e jo individual.

“Me rastin e publikimit të rezultateve të përzgjedhjes në formë të shpalljes publike,duke iu referuar me qindra kandidatëve si në këtë rast mbi 400 kandidatëve,nuk është e nevojshme këshilla juridike-udhëzimi për ankesë”, tha për KALLXO.com zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë Mirlinda Gashi.

Ajo deklaroi se orientimi për ankersat bëhet kur njoftimi i dërgohet një kandidati të vetëm.

Një gjë të tillë [këshillën juridike]nuk e parasheh as Ligji për Shërbimin Civil e as Rregullorja për Rekrutimin e Shërbyesve Civilë,sipas të cilave akte juridike edhe është zhvilluar kjo procedurë e rekrutimit.  Atëherë kur njoftimi i dërgohet apo i referohet vetëm një kandidati të përveçëm, atëherë natyrisht se duhet të përmbajë këshillën juridike ”, arsyetoi Gashi.

Gazeta Jeta në Kosovë edhe në shtator të vitit të kaluar raportoi për dy punëtore që Gjykata Themelore në Prishtinë po i mban në punë pavarësisht se ato nuk kanë kualifikimin e nevojshëm të kërkuar për atë vend pune.

http://kallxo.com/humaniteti-gjykates-ne-kontratat-mbi-veper/