Gjykata Liron të Dyshuarit për Keqpërdorim të Kartelave Bankare

Ndonëse u arrestuan me bujë të madhe nga Policia e Kosovës një ditë më parë nën dyshimin për hyrje të paautorizuar në sisteme kompjuterike, shtatë personat e dyshuar për klonim të kartelave bankare u liruan sot nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

Gjyqtari i procedurës paraprake Naser Foniqi refuzoi kërkesën e Prokurorisë Themelore të Prishtinës për caktimin e masës së paraburgimit me arsyetimin se nuk është provuar dyshimi i bazuar.

“Gjykata ka vlerësuar thëniet e prokurorit dhe të pandehurve dhe mbrojtësve të tyre dhe ka gjetur se për momentin nuk ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit R.D, F.XH, Sh.J, E.A, Sh.I, O.Z dhe V.H kanë kryer veprat penale për të cilat dyshohen”, thuhet në aktvendimin e gjykatës të cilin e ka siguruar KALLXO.com.

Në po të njëjtin aktgjykim më tej thuhet se gjykata vlerëson se prokuroria nuk ka përcaktuar përfitimin e kundërligjshëm, sepse nuk ka paraqitur të dhëna konkrete se në çfarë forme dhe kush ka përfituar në këtë rast, përkatësisht cilit të dëmtuar dhe cilit klient të bankës i janë ndërruar të dhënat bankare dhe kujt dhe në çfarë forme i është falsifikuar kartela bankare.

Avokati Naser Sopjani që mbron të pandehurin O.Z e vlerësoi të drejtë vendimin e gjykatës kur foli për KALLXO.com.

“Gjykata e ka aprovuar kundërshtimin tonë ndaj caktimit të masës së paraburgimit. Nuk ka dyshim të arsyeshëm e lëre më të bazuar se janë kryer veprat nga i mbrojturi im. Këtë fakt e ka konstatuar edhe gjykata në rastin e refuzimit të kërkesës për paraburgim”, tha Sopjani.

Sopjani edhe arrestimin e quajti të ngutshëm dhe të paanalizuar.

Policia e Kosovës njoftoi dje se Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar, përkatësisht Sektori i Hetimeve të Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim të plotë me prokurorin e shtetit nga Njësiti Ekonomiko-Financiar në Prokurorinë Themelore në Prishtinë ka realizuar me sukses një operacion të gjerë policor.

Policia bëri të ditur se aksioni u zhvillua pas hetimeve intensive të kryera për një kohë të gjatë lidhur me veprimtarinë kriminale të një grupi që në vazhdimësi merrej me kryerjen e veprave penale të hyrjes në sisteme kompjuterike, klonim dhe keqpërdorim të kartelave bankare.

Sipas policisë operacioni ishte zhvilluar në shtatë lokacione në rajonet e Prishtinës, Gjilanit dhe Ferizajt, ndërsa gjatë tij u arrestuan R. D.,F. XH., E. A., SH. J., SH. J.,O. Z. Dhe V. H.

Duke u bazuar në urdhëresën e gjykatës kompetente, sot në rajonin e Prishtinës, Gjilanit dhe Ferizajt, (në shtatë lokacione), është realizuar operacioni policor, i cili ka rezultuar me arrestimin e shtatë personave të dyshuar.

Policia tregoi dje se pas bastisjeve sekuestroi si prova materiale një  pajisje për klonim të kartelave bankare, 27 kartela bankare që dyshoheshin se janë të falsifikuara, 6 kompjuterë, 11 telefona celularë, 9 laptopë, 1 IPAD, 7 USB, 1 DVR, 4 armë kalibrash të ndryshme, 37 fishekë, 4 harddisqe dhe 8220 euro që dyshoheshin se rridhnin nga veprat e lartcekura.