Lumi Valbona | Foto: Ivana Dervishi/BIRN

Gjykata Lejon Vazhdimin e Ndërtimit të Hidrocentraleve në Valbonë

Gjykata Administrative në Tiranë ka rrëzuar të premten padinë e banorëve të Margegajt dhe shoqatës Toka, që kërkonte anulimin e lejeve të ndërtimit të hidrocentraleve në Parkun Kombëtar të Valbonës.

Padia i kërkonte gjykatës pavlefshmëri absolute të kontratave të dy hidrocentraleve Dragobia dhe Çerem që janë në proces ndërtimi përmes anulimit të kontratës së koncensionit dhe lejes mjedisore, lejes së ndërtimit dhe lejes së përdorimit të rezervave ujore.

Megjithatë, gjykata e ka cilësuar si të ligjshëm ndërtimin e hidrocentraleve dhe ka lejuar vazhdimin e punimeve.

Prej më shumë se një viti e gjysmë banorët dhe aktivistët mjedisorë i kanë kundërshtuar me forcë vendimet për të ndërtuar hidrocentrale në lumin Valbonë, të cilat qeveria i ka vulosur në vitin 2009 dhe 2013.

Ata thonë se ndërtimi i hidrocentraleve do të dëmtojë mjedisin dhe potencialin turistik të zonës së Alpeve Shqiptare. Banorët gjithashtu kanë denoncuar vazhdimisht dhënien e lejeve pa konsultim publik që parashikohet në Konventën e Aarhusit, që detyron përfshirjen e komunitetit në vendimarrjen e çështjeve mjedisore.

Aktivistët kanë akuzuar edhe Ministrinë e Industrisë, atë të Mjedisit dhe agjenci të tjera shtetërore se kanë ndjekur procedura të parregullta për dhënien e lejeve.

Protesta e tyre më e fundit ishte përpara Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, ku protestuesit e akuzuan këtë të fundit se nuk po bën punën e saj kryesore të mbrojtjes së territorit.

Qeveria shqiptare ka miratuar ndërtimin e 14 hidrocentraleve mbi lumin e Valbonës dhe tributarët e tij, ndërsa në dekadën e fundit qeveria ka lëshuar leje ndërtimi për 526 hidrocentrale në të gjithë Shqipërinë.

Kjo mënyrë e prodhimit të energjisë është kritikuar vazhdimisht nga organizata mjedisore ndërkombëtare, të cilat i kanë bërë thirrje Shqipërisë të drejtohet në forma më të reja dhe më miqësore me natyrën për nxjerrjen e energjisë.

Marrë nga reporter.al