Gjykata Kushtetuese Refuzon Kërkesën e Hamdi Ibrahimit
Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka refuzuar si të papranueshme ankesën e Ish-kryetarit të Gjykatës Themelore të Prishtinës, Hamdi Ibrahimi, ndaj një vendimi disiplinor të Këshillit Gjyqësor të Kosovës.
Me 29 qershor 2015 Ibrahimi si kryetar i Gjykatës Themelore të Prishtinës kishte dhënë një intervistë ku kishte komentuar punën e kryerokurorit të shtetit.
Më 4 dhjetor 2015 Zyra e Prokurorit Disiplinor i paraqiti Këshillit Gjyqësor të Kosovës ankesë me të cilën e ngarkoi Ibrahimin për sjellje të pahijshme.
Më 31 mars 2016 Komisioni Disiplinor i KGjK-së e gjeti Ibrahimin përgjegjës dhe i shqiptoi masë disiplinore qortim.
I pakënaqur ndaj këtij vendimi Ibrahimi më 27 prill 2016 paraqiti ankesë ndaj vendimit të Komisionit Disiplinor të KGjK-së, ankesë e cila u refuzua nga KGjK-ja më 6 korrik 2016 si e pabazuar.
Ibrahimi i gjendur para një situate të tillë iu drejtua Gjykatës Kushtetuese të Kosovës duke i cilësuar këto vendime si shkelje të lirisë së shprehjes, liri kjo e garantuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Ish-kreu i Gjykatës së Prishtinës pretendoi se komentimi i tij mbi punën e prokurorisë ka qenë në funksion të ngritjes së autoritetit të drejtësisë në Kosovë.
Gjykata Kushtetuese e refuzoi pretendimin e Ibrahimit duke e cilësuar si të papranueshëm pasi që nuk ekziston një vendim përfundimtar i autoritetit kompetent i cili në këtë fazë do të mund të ishte objekt i shqyrtimit nga Gjykata Kushtetuese.
KALLXO.com edhe më parë ka raportuar lidhur me masat disiplinore të shqiptuara ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve.
http://kallxo.com/kandidate-mase-qortimi-ne-garen-per-kryetare-te-gjykatave/