Ismail Morina, 'Ballisti'. Foto: Facebook

Gjykata Kroate Vendos ta Ekstradojë në Serbi ‘Ballistin’

Gjykata e Shkallës së Parë në Dubrovnik ka vendosur sërish sot që të ekstradojë në Serbi Ismail Morinën, i njohur me nofkën “Ballisti”.

Njeriu që ngriti dronin me flamurin e Shqipërisë etnike në stadiumin e Beogradit ishte prej javësh në pritje të vendimit.

Vendimi i sotëm vjen pasi Gjykata e Lartë kroate e riktheu edhe njëherë çështjen në Shkallën e Parë.

Pala mbrojtëse ka mundësinë që ta dërgojë çështjen në Gjykatën e Lartë, e cili do të dalë sërish me një vendim.

Pas Gjykatës së Lartë fjala e fundit për rastin i takon ministrit të Drejtësisë në Kroaci, i cili ka tagrin ligjor për të penguar përfundimisht ekstradimin e “Ballistit” në Serbi.

Ndërkaq, Ismail Morina ka paraqitur edhe një kërkesë për azil politik në Kroaci, me pretendimin se i rrezikohet jeta, por nuk ka marrë ende përgjigje nga autoritetet. /21Media