Gjykata e Lartë e Shqipërisë Harron Dosjen e Vrasjeve të 21 Janarit

Tiranë – Dy vjet më parë, më 28 dhjetor 2013, Gjykata e Lartë hodhi një short dhe përcaktoi gjykatësin Edmond Islamaj si relator për të shqyrtuar rekursin e Prokurorisë mbi vendimin e gjykatës së Apelit për dënimin e dy ish-anëtarëve të Gardës së Republikës për vrasjen e dy nga katër viktimat e protestës së dhunshme të Partisë Socialiste, në 21 janar të vitit 2011.

Por edhe pse sot (28 tetor 2015) bëhen dy vjet nga përcaktimi i relatorit, Gjykata e Lartë nuk ka caktuar ende një datë për marrjen e çështjes në shqyrtim.

Relatori i dosjes, Edmond Ismaili, refuzoi të përgjigjet ndaj pyetjes së BIRN se pse gjykatës po i kërkohet kaq shumë kohë për marrjen e çështjes në shqyrtim dhe as se kur mund të merret vendimi për përcaktimin e datës së marrjes në shqyrtim.

Proceset gjyqësore në Gjykatën e Lartë vonohen zakonisht për vite më radhë për shkak të numrit të lartë të vendimeve që paraqiten në këtë gjykatë për shqyrtim, por gjithsesi, gjykata i ka instrumentet ligjore në dispozicion që të zbatojë procedurë të përshpejtuar për çështje të caktuara.

Sipas manualit të punës të Gjykatës së Lartë, “në raste të veçanta, edhe brenda të njëjtës kategori çështjesh, duke pasur parasysh vetë specifikën e saj, gjyqtari relator mund t’i propozojë trupit gjykues shqyrtimin e çështjes në mënyrë të përshpejtuar”.

As gjykata dhe as relatori nuk pranuan të komentojnë se për çfarë arsyeje nuk është marrë parasysh kërkesa e familjarëve të viktimave të 21 janarit për shqyrtim me procedurë të përshpejtuar të çështjes.

Në protestën e 21 janarit 2011 në Tiranë, mbështetësit e Partisë Socialiste u përleshën me forcat policore dhe me Gardën e Republikës në selinë e kryeministrit për orë të tëra, ndërsa Garda e Republikës hapi zjarr, gjë që solli vdekjen e katër protestuesve, Ziver Veizi, Hekuran Deda,  Aleks Nika dhe Faik Myrtaj.

Prokuroria kërkoi në atë kohë ekspertizë ndërkombëtare dhe arrestoi gardistin Agim Llupo më 14 shkurt 2011. Pas përfundimit të hetimeve, prokuroria urdhëroi në janar 2012 tre arrestime të tjera, atë të ish-komandantit të Gardës, Ndrea Prendi, oficerit Margarit Kume dhe ish drejtorit të teknologjisë së informacionit në kryeministri Armando Kasaj. Prokuroria kërkoi 23 vjet burg për Prendin dhe 25 vjet burg për Llupon. Për të dy të akuzuarit e tjerë rënduan akuza më të lehta, por u shpallën të pafajshëm.

Gjykata e faktit i hodhi poshtë akuzat e prokurorisë, ndërsa gjykata e Apelit hodhi poshtë akuzën e vrasjes me dashje në rrethana rënduese dhe dënoi Prendin dhe Llupon me gjithsej 4 vjet burg për akuzën e vrasjes nga pakujdesia.

Prokuroria i është drejtuar Gjykatës së Lartë duke kërkuar sërish dënimin për vrasje me dashje.

Pas ardhjes në pushtet të Partisë Socialiste, familjarët e viktimave kërkuan rihapjen e hetimeve ndërsa Parlamenti Europian i bëri thirrje autoriteteve shqiptare “që procesi për të dhënë drejtësi për viktimat e ngjarjeve të 21 janarit 2011 të vazhdojë pa vonesa të panevojshme.”

Kryeministri Edi Rama premtoi se do të punojë për rivendosjen e drejtësisë në përvjetorin e katërt të vrasjeve më 21 janar 2014.

“Me familjarët e 21 janarit. Koha për të lëvizur me një alternativë të re kërkimi të drejtësisë. Asgjë veç drejtësisë nuk e mbyll 21 janarin!” – shkroi Rama në Twitter.

Por pavarësisht kësaj asgjë nuk ka lëvizur.

Vrasja e Aleks Nikës ka mbetur pa autor pasi Prokuroria nuk ka qenë në gjendje të identifikojë dinamikën e vdekjes së tij dhe gjurmës. Mark Nika, xhaxhai i Aleksit thotë se është ende në pritje.

Nga Prokuroria është njoftuar për  pushimin e hetimeve  të vrasjes së Aleksit. Megjithëse zyrtarisht prokuroria thotë se ka ridërguar dosjen për hetime të mëtejshme në Policinë e Shtetit, 60 vjeçari thotë se ndihet i harruar nga politika për zbardhjen e kësaj ngjarje.

“Ndihemi të braktisur nga politika, veçanërisht nga Partia Socialiste e cila ka premtuar zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje dhe se kush e vrau Aleksin. Për ne është poshtëruese alibia e deklaruar se kjo çështje do zbardhet me reformën në drejtësi apo atë Kushtetuese,” tha Mark Nika për BIRN.

“I bëjmë thirrje drejtësisë të mos mbaj peng këtë dosje  pasi ne kurrë nuk do të heqim dorë nga kërkesat për zbardhjen e ngjarjes,” vijoi ai.