Vojisllav Sheshel | Foto: BETA

Gjykata e Hagës do të Caktojë Avokat për Vojisllav Sheshelin

Mekanizmi për Gjykatat Penale Ndërkombëtare në Hagë njoftoi të mërkurën se do të caktojë një përfaqësues ligjor për të mbrojtur të drejtat e liderit të Partisë Radikale Serbe gjatë seancës së tij të apelit.

Por ai paralajmëroi se përfaqësuesi ligjor nuk do të mund të merret me pikat kryesore të çështjes dhe “t’i përgjigjet thelbit të apelit të prokurorisë në emër të Sheshelit”.

Shesheli, i cili e përfaqësoi vetë veten e tij në gjyq, nuk i është përgjigjur zyrtarisht kërkesës së gjykatës për të konfirmuar nëse ai do të marrë pjesë apo jo në apel.

Por lideri nacionalist i Partisë Radikale Serbe përsëriti muajin e kaluar se nuk do të kthehet vullnetarisht në Hagë pasi u lirua në mënyrë të përkohshme nga gjykata në vitin 2014 për të marrë trajtim mjekësor për kancer.

Ai iu rikthye jetës politike në Serbi dhe tani është deputet.

Duke shpjeguar vendimin e tij për të caktuar një përfaqësues ligjor për Sheshelin, gjyqtari Theodor Meron tha se refuzimi i të pandehurit për të marrë pjesë në seancën dëgjimore përbënte “një pengesë të procedurave gjyqësore”.

Në mars të vitit të kaluar Shesheli u lirua nga akuzat për krime lufte kundër joserbëve në Bosnjë dhe Hercegovinë, Kroaci dhe provincën serbe të Vojvodinës.

Në apelin e tij, prokuroria i kërkoi gjykatës të rrëzojë vendimin për lirim e tij nga akuzat, ta shpallë Sheshelin faktor dhe ta dënojë atë me 28 vjet burg.