Konferenca në Sarajevë mbi trashëgiminë e Gjykatës së Hagës. Foto: BIRN.

Gjykata e Hagës Jep Mësime mbi Hetimet e Krimeve të Luftës

Shefi i operacioneve në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, Robert Reid, tha në panelin e diskutimit në kryeqytetin boshnjak se grumbullimi i provave ishte çelësi i rasteve të suksesshme në Gjykatën e OKB-së në Hagë.

“Pyetja është, si i hapëm ne hetimet? Përgjigjja është e thjeshtë. Ne shkuam kudo që na çonin provat”, tha Reid.

Prokurori Alan Tieger tha se ishte e rëndësishme të siguroheshin prova për qëllimet e atyre që dyshohej se kishin përgjegjësi komanduese për krimet dhe për të lidheshin autorët e drejtpërdrejtë me ata që ishin në komandë, të cilët ishin larg skenave të krimit.

“Qëllimet mund të zbuloheshin nëpërmjet logjikës së deklaratave të dhëna nga zyrtarët udhëheqës në atë kohë, sidomos kur dikush dëgjonte të mburrej për diçka, në vend që të ndëshkonte krimet”, tha Tieger.

Përfaqësuesi i lartë i prokurorisë në gjyqet e shkallës së parë, Kweku Vanderpuye, foli për rëndësinë e provave të ADN-së, duke thënë se ruajtja e tyre ishte tepër e rëndësishme.

“Edhe nëse s’mund të përdoret sot, mund të përdoret në të ardhmen. Prandaj është e nevojshme të mbahen provat e ADN-së”, tha Vanderpuye.

Duke folur për trashëgiminë e Gjykatës së Hagës, kryeprokurori Serge Brammertz tha se baza e të dhënave e Gjykatës së OKB-së përmbante më shumë se nëntë milion[ faqe, në të cilat prokuroritë e ish-Jugosllavisë kanë qasje.

Brammertz tha se prokuroritë vendose kishin përdorur tashmë më shumë se 120,000 faqe nga baza e të dhënave e Hagës.

Ndërkohë, kryeprokurorja e zgjedhur boshnjake Gordana Tadiq paraqiti të dhëna nga vetë baza e të dhënave e prokurorisë shtetërore boshnjake, që tregojnë se aktualisht ka 642 çështje që vazhdojnë ende në të cilat autorët e krimeve janë identifikuar, 612 çështje kundër autorësh të panjohur krimesh dhe 1,669 çështje që mbulojnë një ngjarje të caktuar.

“Përveç kësaj, ka më shumë se 300 çështje tepër komplekse lufte”, tha Tadiq.

Përveç bazës së saj të të dhënave, Tadiq tha se Prokuroria shtetërore boshnjake përdorte gjithashtu çdo ditë bazën e të dhënave të Gjykatës së Hagës.

Prokurorët po flisnin në një konferencë mbi trashëgiminë e Gjykatës së OKB-së.

Gjykata do të mbyllë zyrtarisht dyert e saj në fund të këtij viti pasi ka dhënë vendime në çështjet kundër ish-kreut ushtarak serb të Bosnjës Ratko Mlladiq dhe gjashtë ish-zyrtarëve kroatë të Bosnjës.

Çështjet e mbetura para gjykatës, përfshirë edhe apeli i ish-liderit politik serb të Bosnjës, janë marrë përsipër nga Mekanizmi për Gjykatat Ndërkombëtare në Hagë.