Konferenca e zyrtarëve të Gjykatës së Apelit | Foto: KALLXO.com

Gjykata e Apelit Zgjidh 1200 Lëndë më Shumë se Vitin e Kaluar

Në konferencën për medie të kryetarit të Gjykatës së Apelit, Hasan Shala, në objektin e kësaj gjykate u prezantua puna e bërë gjatë vitit 2017.

Kryetari Shala tha se përkundër vështirësive, gjykata ka shënuar rritje të konsiderueshme të efikasitetit.

Sipas Shalës, në bazë të statistikave janë zgjidhur 1200 lëndë më shumë sesa në vitin e kaluar, duke shënuar numrin në total prej 11,833 lëndëve të zgjidhura.

Kryetari i Gjykatës së Apelit Hasan Shala këtë numër të lëndëve të zgjidhura e ka cilësuar rekord.

“Shifër rekorde qe nga themelimi i kësaj gjykate”, tha Shala, i cili në krye të detyrës erdhi në janar të këtij viti.

Ai theksoi se sivjet janë rekrutuar 5 bashkëpunëtorë profesionalë, 4 zyrtarë ligjorë, 1 përkthyes, po ashtu përmes projektit të UNDP- së janë shtuar edhe 6 zyrtarë ligjorë.

Statistikat tregojnë se sivjet kanë mbetur gjithsej 12,606 lëndë të pazgjidhura.

Sipas kryetarit Shala, arsyeja se pse kanë mbetur këto lëndë është për shkak se vitin e kaluar është trashëguar një total prej 11,266 lëndëve.

“Nëse përpjestojnë këtë numër me numër të gjyqtarëve, i bie se secili ka nga 718 lëndë. Nuk ka gjyqtar që nuk e ka tejkaluar normën e caktuar nga KGJK”, nënvizoi Shala.

Zgjidhja për lëndët e mbetura, sipas Shalës, do të ishte nëse do të rritej numri i gjyqtarëve.

Shala tha se KGJK-ja ka pranuar që të rritet numri për 15 gjyqtarë, duke përfshirë edhe staf mbështetës.

KALLXO.com ka shkruar edhe për statistika tjera të zgjidhjes së lëndëve nga Gjykata e Apelit.

http://kallxo.com/gjykata-e-apelit-per-tre-muaj-zgjidhi-rreth-3000-lende/

http://kallxo.com/gjykata-e-apelit-zgjidh-1082-lende-per-nje-muaj/