Urologu Lutfi Dervishi - Foto: KALLXO.com

Gjykata e Apelit Lë në Paraburgim Lutfi Dervishin

Gjykata e Apelit të Kosovës e ka lënë në fuqi masën e paraburgimit ndaj Lutfi Dervishit, që akuzohet për trafikim me qenie njerëzore, krim të organizuar dhe ushtrim të paligjshëm të veprimtarisë mjekësore.

Duke lënë në fuqi këtë masë, Gjykata e Apelit e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e avokatit mbrojtës, kundër aktvendimit për vazhdim të paraburgimit, të nxjerrë nga ana e Gjykatës Themelore në Prishtinë më 10 prill 2017.

Gjykata e Apelit ndër te tjera gjeti se meqenëse ekziston dyshimi i bazuar se i akuzuari ka kryer veprat penale të lartcekura, ka bazë ligjore për vazhdimin e paraburgimit ndaj tij.

Sipas njoftimit të Gjykatës së Apelit, ekzistojnë rrethana që me të drejtë justifikojnë frikën se nëse i akuzuari gjendet në liri, do të mund të arratisej për t’iu shmangur përgjegjësisë penale.

Apeli kujton faktin se ndaj Lutfi Dervishit ishte lëshuar fletrreshtim ndërkombëtar nga Gjykata Themelore e Prishtinës në mars të vitit të kaluar pasi nuk i ishte përgjigjur institucionit korrektues për mbajtje të dënimit dhe kishte ikur nga Kosova.

Lutfi Dervishi u arrestua më 10 janar, pas disa muajsh qëndrimi në arrati, disa ditë pasi Gjykata Supreme e ktheu në rigjykim Rastin “Medikus”, për të cilin urologu në vitin 2013 ishte dënuar me 8 vjet burg.

http://kallxo.com/arrestohet-lutfi-dervishi/

Shkrimet e gjykimit të Lutfi Dervishit dhe të tjerëve në rastin “Medikus” mund t’i lexoni këtu.