Gjykata e Apelit, Prishtinë | Foto: Kallxo.com

Gjykata e Apelit e Liron nga Akuza Luan Dalipin

Gjykata e Apelit e Kosovës e ka hedhur poshtë si të pabazuar aktakuzën ndaj pronarit të kompanisë “Menagment Development Association” (MDA) Luan Dalipi duke i gjetur si të pabazuara pretendimet e Prokurorisë.

Përmes një njoftimi të lëshuar nga MDA bëhet e ditur se Gjykata e Apelit ka aprovuar kërkesën për hedhje të aktakuzës ndaj Luan Dalipit të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Në njoftim bëhet e ditur se Aktvendimi i Gjykatës së Apelit citon konstatimet e institucionit relevant të Bashkimit Evropian ‘OLAF’ se “hetimi nuk ka gjetur ndonjë provë ndaj MDA-së për parregullsi të cilat kanë ndikuar mbi interesat financiare apo interesat e Bashkimit Evropian, e që tregon se vet Bashkimi Evropian mjetet e të cilit janë dyshuar se janë keqpërdorur nuk e ndien veten të dëmtuar.”, në njoftim.

Prokuroria Speciale e Kosovës në janar të këtij viti njoftoi se ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve Xhemajl Syla, zyrtar në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë dhe Luan Dalipi, pronar i kompanisë “Menagment Development Association” (MDA) për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar në bashkëkryerje.

Sipas aktakuzës, të pandehurit akuzoheshin se  me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për kompaninë MDA, kanë keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare, në atë mënyrë që gjatë procesit të tenderimit sipas projektit “Rritja e aftësisë konkurruese të sipërmarrjeve dhe promovimi i eksportit”, financuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë, në vlerë prej dy milionë euro, gjatë vitit 2013  kanë shkëmbyer informacione dhe dokumente lidhur me tenderin në fjalë, duke i përshtatur kushtet dhe kriteret  e tenderit  interesave të kompanisë së të pandehurit Dalipi.

KALLXO.com ka raportuar më parë lidhur me ngritjen e aktakuzës për këtë rast.

http://kallxo.com/aktakuze-per-korrupsion-per-zyrtarin-e-mti-se-dhe-pronarin-e-kompanise-private/

MDA dhe  Dalipi përmes njoftimit bëjë të ditur se  mirëpresin vendimin e  Gjykatës së Apelit të Kosovës.

Dalipi është një prej themeluesve të MDA-së, Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë dhe Këshillit të Konsulentëve të Biznesit. MDA ka një traditë të mirëfilltë pune 16 vjeçare, vazhdon të punësojë mbi 30 bashkëpunëtorë, të zbatojë me profesionalizëm mbi 10 projekte në çdo kohë në Kosovë dhe rajon, dhe është taksapaguese substanciale e Republikës së Kosovës. Dalipi është vlerësuar me mirënjohje të lartë nga Departamenti Amerikan për Tregti për punën e tij në fuqizimin e tregut të lirë në Kosovë.  Përgatitja e tij akademike dhe profesionale në ShBA i ka mundësuar atij që të jap një kontribut substancial në zhvillimin e sektorit privat në Kosovë.

“Është fatkeqësi që konkurrentë të padenjë kanë iniciuar dhe shfrytëzuar këtë aktakuzë të pabazuar që në mënyrë të organizuar të dëmtojnë karakterin dhe perspektivën zhvillimore të MDA-së në raport me kompanitë private, Institucionet e Kosovës, Organizatat Donatore, si dhe publikun e gjerë”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga MDA.

Krejt në fund në njoftim theksohet se  MDA do të vazhdojë të punojë me përkushtim të madh dhe profesionalizëm për fuqizimin e sektorit publik dhe privat në Kosovë.