Gjykata e Apelit - Foto: KALLXO.com

Gjykata e Apelit e Liron nga Akuza e Korrupsionit Dragan Nikoliqin

Gjykata e Apelit të Kosovës duke vendosur sipas ankesës, ka liruar nga akuza ish-kryetarin e Komunës së Parteshit, Dragan Nikoliq.

Nikoliq i cili ishte dënuar me 6 muaj burg me kusht nga Gjykata Themelore në Gjilan në tetor të vitit të kaluar, akuzohej për keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar.

“Gjykata e Apelit vlerëson se në bazë të gjendjes faktike të vërtetuar në shkallë të parë, rezulton se në veprimet e të akuzuarit, D.N., të cilat i kishte ndërmarrë në cilësi të kryetarit të Komunës së Parteshit, nuk përmbushen elementet e veprës penale, në fjalë”, thuhet në vendimin e Apelit.

Më tej në vendimin e Apelit thuhet se duke pasur parasysh gjendjen faktike në këtë çështje penale, nuk është i nevojshëm procedimi i provave të reja.

“Gjykata e Apelit, vlerëson se nuk është i nevojshëm procedimi i mëtutjeshëm i provave të reja, me qëllim të vërtetimit të fakteve të tjera, apo për shqiptimin e fakteve ekzistuese, andaj, në praninë e fakteve të vërtetuara për aplikimin e drejtë të ligjit penal, kjo gjykatë nxjerrë konkludim tjetër nga ato që ka aprovuar gjykata e shkallës së pare”, thuhet në vendimin e Apelit.

Nikoliq, akuzohej se në shkurt të vitit 2015, në mënyrë të kundërligjshme i kishte ndërprerë marrëdhënien e punës të dëmtuarit Bozhidar Periq, në pozitën e asistentit administrativ të kryetarit të Kuvendit Komunal në Partesh.

Ish-kryetari i Parteshit ishte liruar edhe nga një aktakuzë tjetër në vitin 2015.

http://kallxo.com/kryetari-i-parteshit-lirohet-nga-akuzat-per-keqperdorim/