Objekti i Klinikës Medicus | Foto: KALLXO.com

Gjykata Dështon Sërish të Sigurojë Dëshminë e Dëshmitarit nga ShBA

Është shtyrë për herë të dytë radhazi mbajtja e seancës në gjykimin për rastin “Medicus”.

Ndonëse ishte caktuar që ky gjykim të mbahej për tri ditë me radhë, më 13, 14 dhe 15 shkurt, në momentin e fundit janë anuluar të gjitha seancat e planifikuara që të mbaheshin për këtë javë.

Lajmin për KALLXO.com e bëri të ditur mbrojtësi i të akuzuarit Sokol Hajdini, avokati Ramë Gashi, i cili tha se për shkak të disa problemeve teknike Gjykata as kësaj here nuk ka arritur që ta siguronte dëshminë e dëshmitarit Josef Koronashvilli, i cili pritej që të dëshmonte me anë të video-lidhjes nga Amerika.

Kjo është hera e dytë me radhë që po dështon mbajtja e kësaj seance në të cilën është dashur që të dëshmojë një dëshmitar nga Amerika.

http://kallxo.com/ne-medicus-nuk-arrihet-te-sigurohet-deshmitari-nga-amerika/

Lutfi Dervishi, që ishte pronar i Klinikës “Medicus” në të cilën Prokuroria pretendon se u krye transplantim i veshkave, akuzohet për trafikim me qenie njerëzore dhe krim të organizuar, ndërsa Sokol Hajdini për lëndim të rëndë trupor.

Pjesë e këtij gjykimi ishte edhe Arban Dervishi, djali i Lutfi Dervishit, por procedura ndaj tij është veçuar, ngase ai ndodhet në arrati.

Urologu Lutfi Dervishi ishte dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë me 8 vjet burg në vitin 2013, ndërsa Sokol Hajdini me 3 vjet.

Gjykata e Apelit më pas ia kishte vërtetuar dënimin Dervishit, ndërsa Hajdinit ia kishte shtuar vitet e dënimit me burg nga 3 vjet në 5.