Ratko Mlladiq në sallën e gjyqit. Foto nga YouTube.

Gjykata Dënon Mlladiqin

Gjykata Ndërkombëtare e Kombeve të Bashkuara për Krime të Luftës dënoi sot Ratko Mlladiqin, ish-komandantin e Ushtrisë Serbe të Bosnjës me burgim të përjetshëm.

Mlladiqi u dënua si i përfshirë në ndërmarrjen e përbashkët kriminale që kreu gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Haga e dënoi Mlladiqin edhe për persekutim, vrasje, deportim, zhvendosje të dhunshme të personave, sulm të paligjshëm mbi civilë dhe pengmarrje të trupave paqeruajtëse.

Gjykata tha se Mlladiq udhëhoqi ndërmarrjen e përbashkët kriminale që rrethoi, bombardoi dhe sulmoi me snajperë Sarajevën nga viti 1992 deri në vitin 1995.

Mlladiq u dënua edhe për masakrën e Srebrenicës.

Gjyqtari Orie tha gjatë shpalljes së vendimit për Mlladiqin se janë marrë për bazë edhe ndihma ndaj civilëve nga ana e Mlaldiqit dhe karakteri i tij i mirë i treguar në raste të caktuara.

Megjithatë, gjyqtari deklaroi se këto të fundit kanë peshë të vogël, apo nuk kanë aspak peshë në lehtësimin e dënimit të të akuzuarit.

Vendimin për dënimin e tij Mlladiq e mori vesh jashtë gjykatores. Përderisa Orie e filloi leximin e vendimit për Mlladiq ky i fundit reagoi duke u ngritur në këmbë dhe duke bërtitur në drejtim të trupit gjykues.

Ndërsa Orie e urdhëroi largimin e tij nga salla.

Më pas gjyqtari e siguroi avokatin e të akuzuarit se Mlladiq po e ndiqte gjykimin e tij përmes ekranit.

Mlladiqi ishte i akuzuar për 11 raste të gjenocidit, krime kundër njerëzimit dhe krime të luftës.

Ish-komandanti tash 74 vjeç ngarkohej se se ka urdhëruar ushtrinë për të sulmuar civilët në kryeqytetin e Bosnjës, në Sarajevë dhe për ekzekutimin e 8000 myslimanëve boshnjakë në Srebrenicë, në korrik të vitit 1995.

Në vitin 2007, Gjykata Ndërkombëtare e Kombeve të Bashkuara, kishte vendosur se forcat serbe kishin kryer gjenocid në Bosnjë.

Mlladiq gjatë gjykimit i hodhi poshtë të gjitha akuzat.

Gjykimi i Mlladiqit është i fundit në Gjykatën Ndërkombëtare për Krime të Luftës që ishte themeluar nga Haga në vitin 1993, për të dënuar krimet e kryera gjatë luftërave në Ballkan në fillim të viteve ‘90.

Në vitin 2016, kjo gjykatë shpalli fajtor shefin politik të Mlladiqit, Radovan Karaxhiqin, i cili po ashtu kishte akuza të ngjashme duke përfshirë edhe gjenocidin.

Karaxhiq u dënua me 40 vjet burgim.