Pamje nga një seancë e kaluar e gjyqit kundër Naser Kelmendit - Foto: KALLXO.com

Gjykata: Arresti Shtëpiak, i Mjaftueshëm për Kelmendin

Me vendim të një trupi gjykues në përbërje prej dy gjyqtarëve të EULEX-it dhe një vendor, Naser Kelmendit iu mundësua që përfundimin e gjykimit ku ai akuzohet për vrasje, krim të organizuar dhe narkotik ta vazhdojë nga shtëpia e tij.

Gjykata Themelore e Prishtinës dje Kelmendit ia zëvendësoi masën e paraburgimit me masën e arrestit shtëpiak, duke e miratuar kërkesën e avokatit të tij Besnik Berisha.

Kelmendi në paraburgim ishte nga muaji maj 2013, kur ishte arrestuar nga Policia e Kosovës.

Duke u përgjigjur në pyetjet e KALLXO.com, Mirlinda Gashi, zyrtarja për informim e Gjykatës Themelore të Prishtinës tha se nga informatat që kanë siguruar nga EULEX-i, masa e arrestit shtëpiak është e mjaftueshme për Kelmendin.

“Trupi gjykues e ka shqyrtuar me kujdes zhvillimin e kësaj lënde, veçmas rrethanat e reja që janë zbuluar pas vendimit të mëparshëm për paraburgimin, prandaj në bazë të kësaj vendosi që masa më e butë do të ishte e mjaftueshme”, tha Gashi për KALLXO.com.

Më tej në përgjigjen e zyrtares për informim thuhet se edhe Naser Kelmendi gëzon të drejtat sikurse edhe të pandehurit e tjerë.

“Në një shtet me sundim të ligjit është gjykata e pavarur ajo që vendos nëse do të caktohet masa e paraburgimit ndaj ndonjë të pandehuri. N.K. i ka të njëjtat të drejta sikur edhe të pandehurit e tjerë në Kosovë. Supozimi i pafajësisë vlen edhe për të”, tha Gashi.

KALLXO.com e ka përcjellë gjykimin e Kelmendit gjatë gjithë ecurisë së procesit, ndërsa raportimet lidhur me këtë gjykim mund t’i gjeni në këtë link.