Gjuriq: Hashim Thaçi po Kërcënon Paqen

Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë Marko Gjuriq tha sot se Hashim Thaçi po kërcënon paqen.

Marko Gjuriq reagoi sot, pasi në Manifestimin për Betejën e Koshares Presidenti Hashim Thaçi tha se Kosova do t’u përgjigjet si në të kaluarën me pushkë kërcënimeve nga Serbia.

“Kërcënimet me dhunë, me pushkë nuk janë politikë e Serbisë, ne duam paqe, duam raporte normale, bashkëpunimim, lëvizje të lirë të mallrave njerëzve, kapitalit”, tha Gjuriq, sipas Tanjugut.

Gjuriq më tutje konstatoi se qëllim i aktivitetit politik të Thaçit është krijimi i të ashtuquajturës “shqipëri të madhe”.

“Hashim Thaçi më nuk e fsheh se qëllim kryesor i veprimit të tij politik ishte dhe sot është krijimi i të ashtuquajturës ‘shqipëri të madhe’ dhe për këtë qëllim kërcënon Serbinë edhe me pushkë dhe në të vërtetë kërcënon paqen dhe stabilitetin në tërë rajonin dhe në Europë”, tha Gjuriq.

Ai më tutje deklaroi se “Hashim Thaçi me kërcënimet e tij për luftë në të vërtetë dëshiron që tërë regjionin ta tërheqë në të kaluarën, në konflikte dhe urrejtje”.

Gjuriq në natën mes së shtunës e së dielës erdhi për pashkët ortodokse në Manastirin Banjska afër Zveçanit.

Ai atë ditë tha se Serbia do të dijë ta mbrojë popullin e saj në Kosovë.

http://kallxo.com/gjuriq-do-te-dime-ta-mbrojme-popullin-tone-ne-kosove/

Gjuriq më 26 mars u arrestua nga policia në Mitrovicën Veriore, pasi hyri pa leje në Kosovë. Ai më pas u soll në Prishtinë, ndërsa më pas u deportua nëpërmjet Merdarit.

http://kallxo.com/foto-gjuriq-deportohet-jashte-territorit-te-kosoves/