Slavisha Mladenoviq, Komisioner i Gjuhëve në Qeverinë e Kosovës.

Gjuhët, problemi në Kosovë për të cilin s’flet askush

E drejta për të përdorur gjuhën amtare – shqipe apo serbe – është e rëndësishme për këdo në Kosovë, por progresi po pengohet nga mosmarrëveshjet politike, tha për BIRN Komisioneri për Gjuhët i qeverisë.

“Të drejtat e gjuhës reflektojnë tek të gjitha të drejtat e tjera, si një proces i drejtë ligjor, duke siguruar dokumente, të drejta pune, kujdes shëndetësor, arsimim dhe shumë gjëra të tjera,” tha në një intervistë për BIRN Slavisa Mladenoviq, Komisioneri për Gjuhët i qeverisë së Kosovës.

Përdorimi i dy gjuhëve zyrtare të Kosovës ka qenë një nga çështjet kyçe që shkakton ndasi midis komuniteteve etnike serbe dhe shqiptare të vendit, dhe mungesa një gjuhe të përbashkët vazhdon të ruajë hendekun midis tyre.

Në të njëjtën kohë, për serbët në jugun e vendit me shumicë shqiptare dhe shqiptarët në veriun me shumicë serbe, kjo do të thotë qasje të kufizuar në dokumente ligjore, punë, të drejta të konsumatorit, mbrojtje shëndetësore, arsim dhe shërbime sociale.

“E drejta për të përdorur gjuhën amtare është thelbësore për mirëqenien tonë këtu në Kosovë. Pa të, ne jemi konsumatorë dhe pacientë të klasit të dytë, nuk kemi të drejtë për një proces të rregullt ligjor dhe nuk mund të aplikojmë për shumë punë,” shprehet Mladenoviq.

Ligji i Kosovës mbi Përdorimin e Gjuhëve, i miratuar në vitin 2006, thotë se shqipja dhe serbishtja janë gjuhët zyrtare të Kosovës dhe për këtë arsye të gjitha institucionet dhe ofruesit e shërbimeve publike janë të detyruara të sigurojnë përdorimin e tyre të barabartë në sistemin gjyqësor, institucionet shtetërore dhe komunale, ndërmarrjet publike, në media, arsim, shërbime sociale dhe në sektorin privat.

Mladenoviq shprehet se ligji është i mirë, por zbatimi i tij nuk është i tillë.

Me ekipin e tij prej gjashtë personash, ai ka mbikëqyrur të drejtat gjuhësore që kur u emërua në vitin 2012 dhe shpreson që kjo çështje të mund të ndihmojë gjithashtu në afrimin e të dy komuniteteve.

Por ai paralajmëron se progresi për të përmirësuar të drejtat gjuhësore është vonuar nga grindjet politike në Prishtinë dhe Beograd dhe mes dy vendeve, tha Mladenoviq.

“Për shembull, çështja e themelimit të Asociacionit të Komunave Serbe ka lënë në hije të gjitha të tjerat dhe na ka bërë të humbasim pesë vjet kohë të çmuar për të vazhduar me çështje të tjera më të rëndësishme siç është gjuha,” shpjegoi ai.

Mundësi të humbura në Bruksel

Asociacioni i Komunave Serbe në Kosovë është parë si një nga tiparet kryesore të marrëveshjes së Brukselit që u nënshkrua mes Kosovës dhe Serbisë në vitin 2013. Ajo synon të sigurojë njëfarë autonomie për komunitetet me shumicë serbe, në këmbim të integrimit të tyre në sistemin ligjor në Kosovë.

Megjithatë, krijimi i saj u zvarrit për shkak të keqkuptimeve mbi juridiksionin ekzekutiv të propozuar të Asociacionit, për të cilin Beogradi këmbëngul.

“Ndërsa këmbëngulim për Asociacionin e Komunave Serbe, ne kemi humbur mundësinë që të kërkojmë të drejtat e komunitetit serb që parashikohen si nga kushtetuta e Kosovës, ashtu edhe nga Plani i Ahtisarit,” tha Mladenoviq.

Plani i Ahtisaarit, një propozim për një zgjidhje të statusit të Kosovës, i dorëzuar në vitin 2007 nga i dërguari i posaçëm i OKB-së Martii Ahtisaari, u refuzua nga qeveria e Serbisë në atë kohë.

“Më duket se ne donim të kapërcenim me çdo kusht madje edhe një përmendje të Planit të Ahtisaarit dhe zgjodhëm Marrëveshjen e Brukselit, e cila në shumë mënyra është më pak shpërblyese për komunitetin serb në Kosovë,” tha Mladenoviq.

Si rezultat, bisedimet midis Beogradit dhe Prishtinës të cilat janë zhvilluar nën mbikëqyrjen e BE-së gjatë pesë viteve të fundit e kanë shpërfillur krejtësisht çështjen e rëndësishme të përdorimit të gjuhës serbe midis komunitetit serb në Kosovë, shpjegoi ai.

Problemet e gjuhës së përditshme neglizhohen

Mladenoviq shpjegoi se shumë produkte mjekësore dhe mallra të konsumit në shitje në Kosovë nuk kanë etiketa në gjuhën serbe – por problemi më i madh mbetet përkthimi i dokumenteve ligjore, siç janë transkriptet dhe vendimet gjyqësore.

“Ndonjëherë ato janë të kuptueshme edhe me të gjitha gabimet drejtshkrimore, por ndonjëherë njerëzit nuk arrijnë të kuptojnë dot as nëse janë dënuar apo jo, e jo më vetë procesin ligjor,” tha ai.

Shumë pak faqe interneti të institucioneve të Kosovës kanë faqe të redaktuara mirë në gjuhën serbe, shtoi Mladenoviq, edhe pse ai përmendi shembullin pozitiv të zyrës së presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, i cili publikon lajme pothuajse në të njëjtën kohë në gjuhën shqipe dhe serbe.

“Është e rëndësishme të mos kemi vetëm përkthime nga gjuha shqipe në atë serbe, pasi të dyja këto janë gjuhë të barabarta dhe duhet të trajtohen si të tilla,” shtoi ai.

Arritja e barazisë gjuhësore do të jetë një proces i gjatë dhe detyra e parë është të ndryshohet mendimi i njerëzve që punojnë në administratën publike.

“Nëse e konsideroni diçka si një detyrim të imponuar, atëherë kjo do të bëhet vetëm formalisht, pa angazhim të vërtetë për ta bërë atë si duhet. Kjo është situata që kemi në institucionet e sotme, me shumë formalitet dhe duke kaluar nëpër mocione,” shpjegoi Mladenoviq.

Ai theksoi se një nga problemet më të ngutshme dhe të lënë pas dore në këtë drejtim është mungesa e përkthyesve profesionistë, pasi vendi i vetëm në të gjithë rajonin ku ata arsimohen aktualisht është departamenti i gjuhës shqipe në Universitetin e Beogradit.

“Ne nuk kemi institucione të tilla në Prishtinë apo në Mitrovicë, sepse arsimi dygjuhësor u ndërpre në atë që ishte atëherë Krahina Socialiste Autonome Kosovës në vitin 1989,” tha ai

Strategjia e re gjuhësore në pritje

Programet arsimore janë thelbësore për strategjinë që zyra e Mladenoviqit i propozoi qeverisë së Kosovës në vitin 2016. Megjithatë dokumenti ende nuk është miratuar, sepse nuk ka mjaftueshëm para për ta vënë në zbatim atë.

Karakteristikat kryesore të tij janë forcimi i ndërgjegjësimit publik për të drejtat e përdorimit të gjuhëve, prezantimi i programeve në gjuhët zyrtare të Kosovës në shkollat ​​fillore dhe të mesme dhe e fundit, por jo më pak e rëndësishmja, ngritja e departamenteve për gjuhën e dytë zyrtare, serbe, në universitetet në Mitrovicë dhe Prishtinë.

Edhe pse ky propozim nuk është miratuar ende, pjesë të programit tashmë po vihen në zbatim nga ekipi i Mladenoviqit dhe qeveria e Kosovës.

“Sot po punojmë për futjen e mesazheve në lidhje me domosdoshmërinë e arsimit shumëgjuhësor dhe sigurimin e kushteve për klasa gjuhe provë në komunitete ku kjo është e mundur,” tha ai.

Në bashkëpunim me Ambasadën Britanike në Prishtinë, zyra e Komisionerit për Gjuhët ka përgatitur një program të mësimit të gjuhës shqipe, i cili do të jepet në kanalin televiziv shtetëror në gjuhën serbe në Kosovë RTK2.

“Shpresoj të mund të jemi në gjendje të kemi program të ngjashëm për të mësuar gjuhën serbe në kanalin RTK1. Ajo që duam të arrijmë është se dikush do të përpiqet të mësojë gjuhën serbe ose shqipe në këtë mënyrë, por edhe të zvogëlojmë armiqësinë ndaj njërës prej dy gjuhëve, gjë e cila, fatkeqësisht, ekziston ende në Kosovë, megjithëse kemi bërë shumë përparim që nga koha e luftës,” tha Mladenoviq.

Ai u shpreh se nuk do të ketë integrim të plotë të komuniteteve në Kosovë pa zgjeruar njohurinë e shqipes në komunitetet serbe dhe anasjelltas. Nëse kjo nuk ndodh, hendeku do të zgjerohet dhe brezat e ardhshëm nuk do ta kuptojnë njëri-tjetrin, paralajmëroi ai.

“Anglishtja nuk do t’i shërbejë këtij qëllimi,” tha ai. “Kam frikë se pasi të zgjidhen të gjitha këto çështjet e mëdha politike, çështja e gjuhës nuk do të përmendet më dhe ne do të kemi regres në vend të evolucionit”.