Publikimi i hulumtimit të Institutit GAP - Foto: KALLXO.com

Gjuhë që Diskriminon Gratë në Konkurset e Punës

Pas hulumtimit dhe analizimit të mbi 500 konkurseve për vende pune në sektorin privat, Instituti GAP ka vërejtur një diskriminim gjinor rreth pozitave për të cilat është shpallur konkurs.

Sipas hulumtimit del se në shumicën e konkurseve për pozitat më të ulëta si asistent, shitës, pastrues, etj., përdoren tituj të gjinisë femërore, kurse për pozita të larta, si inxhinier, drejtor ekzekutiv, arkitekt, etj., përdoren tituj të gjinisë mashkullore.

“Është një ndarje e profesioneve për burra dhe për gra. Nga hulumtimi del se kryesisht për gra ofrohen ato mundësi ose aso pozita që kanë të bëjnë me asistente, shitëse, ndihmëse ose pastruese, ndërkaq për burra kërkohet për pozita si menaxher, drejtor ekzekutiv, arkitekt etj”, tha Jeton Mehmeti, drejtor i hulumtimeve i këtij instituti.

Mehmeti tregoi se kanë hasur edhe në diskriminim brenda-gjinor. “Kemi hasur në konkurse ku specifikohet se personi ose asistentja përveç që duhet të jetë femër duhet të jetë e moshës 25 ose 30-vjeçare, ku diskriminohen femrat e tjera”, tha ai.

Ndërsa, sipas tij, në sektorin publik, nuk haset diçka e tillë.

Megjithatë, Mehmeti tha se edhe në sektorin publik janë vërejtur dy anomali që duhet të eliminohen.

“Të gjithë titujt janë në gjininë mashkullore, si sekretar i përgjithshëm, drejtor ekzekutiv etj. Ndërsa pika tjetër është tek përshkrimi i pozitave i këtyre konkurseve. Për shembull konkurset që duhet t’i përshkruajnë aty mund të vërehen elemente ose fjalë që përshkruajnë elemente gjinore”, tha ai.

Hulumtimi gjen se 28.7 për qind është shkalla e papunësisë në vend. Ndërsa shumica e grave në moshë pune nuk marrin pjesë në fuqinë punëtore ose vetëm një në pesë gra është aktive në tregun punës.

Ndërsa, Nora Latifi-Jashari nga Instituti GAP tha se përqindja kaq e ulët e femrave të punësuara nuk është për shkak se ato nuk janë të interesuara të punojnë ose shkollimi i tyre, “por është ambienti diskriminues që i rrethon ato për ta marrë një vend të punës, si ne sektorin publik ashtu edhe në atë privat”.