Arrestim i një të dyshuari - Foto: Ilustrim

Gjuajnë me Armë në Dasmë, Arrestohen Dy Persona

Dy persona janë arrestuar mbrëmë në fshatin Lebanë të Prishtinës nën dyshimin se kanë shtënë me armë gjatë një ahengu familjar.

Sipas zëdhënësit të Policisë, Agron Borovci, me të marrë informacionin për të shtëna armësh, njësitet kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë shkuar në shtëpinë e të dyshuarit, A.V., 38-vjeç, ku sipas informacioneve ishin dëgjuar të shtënat.

“Pas veprimeve të para hetimore e operative policia ka konstatuar se ka pasë të shtëna  me armë automatike “AK-47” dhe arma e njëjtë me karikator me një fishek dhe një gëzhojë janë konfiskuar”, ka thënë zëdhënësi Borovci.

Sipas tij, pas një kontrolli më të detajuar, policia ka gjetur edhe pesë gëzhoja të kalibrit 7.62 mm dhe nga hetimi preliminar ka rezultuar se edhe i dyshuari E.V., 28-vjeç, ka shtënë me revole të tipit “TT”, të kalibrit 7.62 mm.

Dy të dyshuarit janë shoqëruar ne stacionin policor. Pas intervistimit, me rekomandimin e prokurorit të shtetit, të njëjtëve u është shqiptuar masa e arrestit policor për t’u dërguar me pas në mbajtje.

KALLXO.com ka raportuar kohëve të fundit për dukurinë e të shtënave në ahengje familjare, pas të cilave po ndodhin arrestime dhe sekuestrim armësh.

http://kallxo.com/diten-e-dasmes-e-kalojne-ne-stacionin-policor/

http://kallxo.com/arrestohet-dhe-lirohet-per-te-shtena-ne-aheng/

http://kallxo.com/konfiskim-armeve-te-perdorura-ne-ahengje/