Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu | Foto: KALLXO.com

Gjoba e Dytë Ndaj Agim Veliut për Fëmijët në Fushatë

Gjoba e marrë ditë më parë nga PZAP për përfshirje të fëmijëve nuk ka ndikuar te kandidati i LDK-së për kryetar të Komunës së Podujevës, Agim Veliu, që të mos e përsëritë veprimin.

Paneli ka dënuar Veliun me 3,200 euro gjobë, kësaj here për përfshirje të fëmijëve në një tubim zgjedhor në Shtedim të Podujevës.

BIRN dhe Internews Kosova ka parashtruar ankesë ndaj Veliut për përfshirje të fëmijëve në fushatë. Kryetari aktual dhe kandidat i LDK-së për një mandat tjetër si kryetar i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, kishte publikuar disa foto nga tubimi i mbajtur në Shtedim të Podujevës, ku shihet prezenca e personave nën moshën 18 vjeçare.

Pretendimi i BIRN dhe Internews Kosova është pranuar si i bazuar nga PZAP, në vendimin e datës 16 Tetor. Sipas vendimit, ‘në mënyrë të padyshimtë’ është konstatuar se Agim Veliu ka shkelur Rregullën Zgjedhore 13/2013, Nenin 5.2., e cila përcakton se: “Në fushtën e zgjedhjeve të asnjë subjekti politik të certifikuar nuk mund të përfshihen personat që nuk i kanë mbushur 18 vjet”. Paneli, për një shkelje të tillë, ka shqiptuar dënimin me gjobë prej 3200 euro.

Pretendimet e subjektit politik LDK, në përgjigjen në ankesë, se ‘personat në foto nuk mund të trajtohen si të mitur” Paneli i ka vlerësuar si ‘të paqëndrueshme për faktin se janë në kundërshtim me provat e lëndës’.

BIRN dhe Internews Kosova në vazhdimësi ka përcjellë fushatën dhe ka dërguar ankesa në PZAP ndaj të gjitha subjekteve politike pjesëmarrëse në zgjedhjet lokale dhe si rezultat i shkeljeve të raportuar janë shqiptuar gjoba për subjektet dhe kandidatët.

Agim Veliu ishte dënuar me gjobë prej 3,000 euro më 14 tetor për arsyen e njëjtë, përfshirjen e fëmijëve në fushatë.

Të gjitha raportimet për gjobat e shqiptuara nga PZAP mund t’i gjeni në këtë link.