Zvogëlohen të Hyrat, Rriten Shpenzimet e Luksit

Komuna e Malishevës është në mesin e komunave të pakta në vend që ka shënuar rënie të konsiderueshme të të hyrave financiare, krahasuar me vitet paraprake. Rënia e të hyrave do të duhej të manifestohej edhe me shkurtimin e shpenzimeve, veçmas në linjën e mallrave dhe shërbimeve, por kjo nuk ka ndodhur.
 
Komuna e Malishevës hyn në mesin e komunave ku në këtë linjë janë hasur shifra të konsiderueshme të shpenzimit të parasë publike për darka dhe dreka zyrtare, për udhëtime zyrtare, telefon, mëditje e reprezentacion, tregon raporti i Institutit për Studime të Avancuara, GAP, “Letërnjoftimi i Komunës së Malishevës 2012”. 

Në linjën e buxhetit për mallra dhe shërbime, Komuna ka pasur në dispozicion, gjatë vitit 2011, gjithsej 738 mijë e 978 euro.

Nga raporti zyrtar i shpenzimeve të buxhetit të Komunës së Malishevës për vitin 2011,  shihet se kjo komunë për shpenzimet e udhëtimit ka dhënë 111 000 euro, për telefon mobil 8 996 euro dhe për telefon fiks 9 165 euro të tjera.

Ndërsa për shpenzimet e marketingut raportet financiare në Malishevë tregojnë për 12 mijë euro të shpenzuara, shifër kjo trefish më e lartë se shpenzimet në të njëjtën linjë që bën, ta zëmë, Komuna shumëherë më e madhe e Prishtinës.

Komuna gjatë 2011-ës ka shpenzuar 228 000 euro për derivate dhe lëndë djegëse, kur përfshihen nafta, drutë, thëngjilli dhe vajrat motorike.
 
Në buxhetin e Komunës së Malishevës për vitin 2011 figurojnë të shpenzuara 27 mijë e 721 euro për dreka dhe darka zyrtare. Nga kjo shumë 3.347 euro janë shpenzuar nga Zyra e
Kryetarit, ndërsa shumën me të madhe të shpenzimeve në ketë kategori rezulton ta ketë
Drejtoria e Arsimit e cila gjatë vitit 2011 për dreka dhe darka zyrtare ka shpenzuar 11 mijë e 631 euro.

GAP thekson se nuk ka pasur ndonjë vlerësim të detajuar nga ana e përgjegjësve të komunës se pse ka ardhur deri te rënia e të hyrave komunale, krahasuar me vitet e mëparshme. “Kjo do të duhej të shërbente si indikacion për autoritetet lokale që të modifikojnë sistemin e të hyrave komunale dhe njëherazi t’i forcojnë mekanizmat për vjeljen e të hyrave vetanake”, sugjeron raporti.
 
Komuna e Malishevës vlerësohet se ka shënuar progres në shtrimin e rrugëve dhe rregullimin e objekteve arsimore, por mbetet shqetësuese mungesa e gjerë e rrjetit të ujësjellësit dhe kanalizimit në shumë zona të këtij lokaliteti.
 
Ndërkohë GAP thekson se autoritetet lokale do të duhej të ndërmerrnin masa shumë më serioze në pamundësimin e rasteve të konfliktit të interesit dhe po ashtu parësore do të duhej vlerësuar inkuadrimi i stafit të kualifikuar dhe adekuat në shkollat e kësaj komune. Ka raste kur zyrtarët e lartë të Komunës së Malishevës përfaqësojnë edhe firma private me të cilat arrijnë të tërheqin tender për ofrimin e shërbimeve për nevojat e komunës. Shembull në këtë pikë shërben rasti i kompanisë “Ardhmëria” e cila udhëhiqet nga vëllai i Nënkryetarit të Komunës së Malishevës, Rexhep Mazreku.

Kjo firmë ka marrë tenderë në Komunë të Malishevës për blerjen e gomave për automjetet e komunës, në vlerë 8 300 euro dhe për furnizim me antifriz në vlerë 6 000 euro. GAP ka gjetur se në vitin 2011, furnizimin me goma të Komunës e pat marr firma “Euro-Jeta” nga Malisheva, për disa herë më lirë – 2 498 euro.

Nënkryetari i Komunës së Malishevës, Rexhep Mazreku, në formularin e deklarimit të pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsion ka bërë të ditur se posedon aksione në firmën “Ardhmëria” në vlerë prej 100 mijë eurosh.

(Raportin e plotë të GAP-it “Letërnjoftimi i Komunës së Malishevës 2012” mund ta lexoni këtu: http://www.gapinstitute.org/?cid=1,5,266)