Zjarrfikës Po Zjarrin S’mund ta Shuajnë

Edhe pse kjo komunë ka një qendër të zjarrfikësve, autoboti i cili është i parkuar në këtë qendër nuk funksionon andaj, në rast të shpërthimit të ndonjë zjarri, shuarjen e tij duhet ta bëjnë zjarrfikësit nga komuna e Kaçanikut e cila ndodhet të paktën 15 minuta larg.

I pari i kësaj komue Refki Suma, në debatin “Jeta në Komunë”, ka thënë se për mosfunksionimin e njësisë së zjarrfikësve faji është i Ministrisë së Punëve të Brendshme pasi ajo ka sjellur autobotin që në shumicën e rasteve nuk ka punuar.

“Atë autobot e ka sjellë departamenti për emergjencë civile dhe ai është prishur”, thotë Suma.

Sipas tij, mungesës prej shumë muajsh të zjarrfikësve në këtë komunë megjithatë do t’i vjen fundi pasi që komuna së fundi ka arritur të sigurojë donacion një cisternë nga KFOR-i gjerman.

Dhe derisa tani e tutje zjarrfikësit do kenë mundësi të kenë ujë për ta shuar zjarrin, banorët e Hanit të Elezit po vazhdojnë të kenë probleme të mëdha me furnizimin me ujë të pijshëm.

Pothuajse gjysma e qytetit nuk ka ujë të pijshëm për shkak se organet përgjegjëse nuk kanë arritur të sigurojnë ujë të pijshëm.

I pari i komunës Refki Suma e ka llogaritur si dështim të qeverisjes së tij mungesën e ujit të pijes.

Sipas Sumës në vitin 2010-të në këtë komunë është ndërtuar një fabrikë e ujit në të cilën janë investuar mbi 400 mijë euro, mirëpo ajo nuk është funksionale për shkak të procedurave të zgjatura për ndërrimin e filtrave.

“Defekti është se kur fillon të punojë fabrika duhet të pastrohen filtrat secilën herë, e kur pastrohen filtrat nuk punojnë makineritë tjera” thotë Suma, duke nënvizuar se menaxhimi i resurseve të ujit me ligj nuk është kompetencë e komunave.

Ai thotë se do angazhohet që qytetarëve të tij t’u sigurojë ujë të pijshëm, por këtë e bën duke mos premtuar asgjë në këtë drejtim.

E uji në komunën e Hanit të Elezit është problem edhe në shkollën “Dardania” mirëpo këtu jo për shkak të mungesës po për shkak të prezencës së shtuar.

Për shkak të punimeve të dobëta të cilat janë kryer gjatë ndërtimit të kësaj shkolle, kulmi pikon çdo herë kur ka të reshura dhe prania e ujit shkakton myk i cili është i rrezikshëm për shëndetin e nxënësve.
Sipas të parit të komunës, ndërtimi i kësaj shkolle është kryer në vitin 2008-të kur ai nuk ishte në pushtet ndërsa ka dyshime se pikja e tavanit është duke u shkaktuar për shkak të devijimit të projektit dhe kursimit të rreth 30 mijë eurove.

“Kjo është një shkollë e ndërtuar në vitin 2008-të. Këtu ka një defekt në ndërtim, është dashtë të ndërtohet një kupolë me xhama e cila do kushtonte 30 mijë euro por është devijuar, projekti nuk është kryer ashtu siç është paraparë”, thotë Suma.

Suma shton se i ka kërkuar Ministrisë së Arsimit rregullimin e kësaj çatie mirëpo ata nuk e kanë bërë këtë e kështu këtë vit komuna ka ndarë buxhet për ta kryer vetë.

Hani i Elezit njihet si njëra ndër komunat me cilësinë më të dobët të arsimit. Sipas Rina Demirit nga organizata INPO, në komunë 25 për qind e mësimdhënësve janë të pakualifikuar.

“Për këtë arsye në testin e maturës nxënësit e kësaj komune kanë suksesin më të dobët”, thotë ajo.

I pari i komunës Suma pranon se rezultatet në testin e maturës janë të dobëta ndërsa sa i përket kualifikimeve të mësimdhënësve thotë se çdo vit hapin konkurse për vendet ku mësimdhënësit janë të pakualifikuar.

Në anën tjetër, transparenca në këtë komunë është vlerësuar të jetë një sukses i kryetarit Suma bashkë me ndërtimin e disa rrugëve të fshatrave dhe kanalizimeve.

Projekt i suksesshëm është vlerësuar edhe instalimi i kamerave të sigurisë në shkollat e kësaj komune.

I pari i komunës e ka quajtur në një formë sukses edhe uljen e ndotjes në këtë komunë  e cila ishte shkaktuar nga kompania e prodhimit të çimentos “SharrCem”.

“Ne më herët kemi thënë se komuna jonë është ndër më të ndoturat. Kemi bërë presione tek menaxhmenti i ‘SharrCemit’, kemi biseduar dhe kemi kërkuar vendosjen e filtrave ndërsa nga ministria kemi kërkuar që të vendoset një stacion për monitorimin e cilësisë së ajrit. Fabrika i ka vendosur filtrat dhe tash nuk ka ndotje”.

Sipas kryetarit matjet janë bërë përmes stacionit të Ministrisë së Ambientit dhe sipas disa parametrave është vlerësuar se ka ndotje prej 8 miligramësh për metër kub ndërsa sipas standarteve të BE-së maksimalja e lejuar është 25 miligramë për metër kub, kështu që tani, shton ai, ndotja është pesë herë më e ulët se sa lejohet në vendet e BE-së.