Zhvillimi i Ngecur i Drenasit

A do të Arrijë t’i Zgjidhë të gjitha këto Probleme Kryetari i Ardhshëm i Drenasit?

Lideri i ardhshëm i Drenasit, komunës së njohur për përpunimin e metaleve, do ketë sfida për t’u dhënë zgjidhje. Një ambulancë që është shndërruar në depo të ushqimit të kafshëve,14 mijë objekte pa leje, ambienti dhe uji, do jenë sfidat e mandatit katërvjeçar për kryetarin e ardhshëm të Drenasit.Komuna e shtrirë në qendër të Kosovës popullohet nga 73 mijë banorë dhe për nga madhësia krahasohet me komunën e Suharekës.Të dhënat tregojnë se qeverisja e Drenasit  ka arritur të inkasojë  1.1 milionë euro të hyra  për dallim nga Suhareka që ka inkasuar 1.9 milionë euro.Në Drenas qeveria qendrore ka ndërtuar një park industrial i cili paraqet potencial për zhvillimin e komunës.Për kryetarin e ri  sfida do jetë trajtimi i kanalizimit që del nga parku. Ujërat e zeza nga ky park përfundojnë në fshatin Korreticë duke ndotur ambientin.

 

 

Fshati Korreticë | Foto: KALLXO.com

Gjeneruesi tjetër i vendeve të punës në Drenas, gjiganti i përpunimit të nikelit Ferronikeli në dy vjetët e fundit është përballur me probleme për shkak të rënies së çmimit të nikelit në bursë. Qeverisa aktuale ka vendosur ta lirojë kompaninë nga taksat komunale për të mundësuar vazhdimin e punës. Për qeverisjen pas zgjedhjeve, debati nëse duhet të kthehen këto taksa do vazhdojë, ashtu siç pritet rritja e investimeve dhe subvencioneve në bujqësi.

Ndërtimet pa leje dhe infrastruktura

 Përfshirja e njerëzve të politikës në ndërtimet e larta dhe tejkalimi i lejeve të ndërtimit ka dominuar në vazhdimësi në sfidat për kryetar të Drenasit.

Hulumtimi tregon se Drenasi ka 14 mijë e 81 objekte pa leje dhe 6 mbindërtime në banesat ekzistuese të qytetit.

Trajtimi i këtyre objekteve do të mund t’i sjellë komunës mijëra euro të hyra.

Në zhvillim të infrastrukturës Drenasi ka problem të madh me parkingje, për shkak se hapësira afër stacionit të autobusëve që përdorët për parking të veturave kur ka të reshura mbushet me ujë.

Banorët e  fshatrave Dobroshevc, Baincë, Gllanasellë, Abri etj, kanë problem me trotuare, kjo u shkakton frikë banorëve, sepse fëmijët obligohen te ecin në rrugë për të shkuar në shkollë.

Sfida në infrastrukturën e qytetit vazhdon të mbeten kolonat në hyrje dhe dalje të qytetit dhe hekurudha e pasigurt, e cila përshkon qytetin e ku shumë njerëz kanë vdekur nga aksidentet.

Problemet në infrastrukturë janë edhe më të mëdha- në ndërtimin e sistemit të ujësjellësit dhe kanalizimit

Vetëm 35.7 % ë banorëve kanë qasje në ujë të pijshëm, ndërsa janë evidentuar 27 vendbanime që nuk kanë qasje në rrjetin publik të ujësjellësit.

Hulumtimi tregoi se Drenasi ka 31 shkolla dhe një çerdhe, 29 nga shkollat punojnë në dy ndërrime. Sfida për kryetarin e ri është dyfishimi i hapësirave të shkollave për të garantuar proces arsimor me vetëm një ndërrim.

Shëndetësi dhe mirëqenie sociale

Ndërtimi i një qendreje shëndetësore në fshatin Negrovc dhe ndarja e parcelave për familjet e dëshmorëve janë projekte të cilat ende nuk kanë arritur të finalizohen nga komuna. Tri mandate më parë pushteti komunal kishte premtuar ndërtimin e lagjes së dëshmorëve duke ndarë troje dhe premtuar ndërtimin e infrastrukturës në këtë lagje. Projekti vazhdon të mbetet në letër dhe një mundësi e mirë për të fituar vota duke premtuar zgjidhjen e tij.

Hulumtimi  tregon se 73 mijë banorëve të komunës nuk u garantohen shërbimi i  mamografisë dhe ultrazëri.

Fotografitë nga qendra e mjekësisë familjare tregojnë se në to ka mungesë pajisjesh, ndërsa shtretërit janë të vjetruar dhe tualetet janë të papastër.

Në dështimet dhe sfidat më të mëdha të pushtetit të Drenasit është funksionalizimi i qendrës së mjekësisë familjare në Negrovc.

Në fshatin e lindjes së Jakup Krasniqit në Negrovc  para 4 vjetësh kishte nisur ndërtimi i ambulancës. Objekti, i cili i kishte kushtuar komunës 45 mijë euro është ndërtuar në pronën e një fshatari të cilit i ishte premtuar kompensimi i pronës.Pas dështimit të negociatave pronari i tokës ka ndaluar punimet, ndërsa objekti- investim i komunës tash përdoret për depo të ushqimit të kafshëve.