Zharku Jep Dorëheqje, Akuzon EULEX-in

Kryetari i deritashëm i Kaçanikut e bëri publike dorëheqjen para stafit të tij të ngushtë dhe zyrtarëve komunalë, me të cilët tha se ka punuar së bashku deri më sot, tri ditë pasi Gjykata Supreme konfirmoi dënimin e tij për veprën penale të “detyrimit”.

Lajmi edhe zyrtarisht është konfirmuar edhe nga zyra e informimit e komunës së Kaçanikut.

Në tekstin e dorëheqjes,  të botuar edhe në ueb faqen zyrtare të komunës së Kaçanikut, Zharku thotë se gjatë mandatit “për asnjë moment nuk kam bërë asnjë veprim kundërligjor dhe që dëmton qytetarët, por tërë energjinë e kam shpenzuar për një jetë më të mirë për qytetarët e Kaçanikut”. Ai vazhdon se ka qenë “i pakompromis në luftimin e dukurive negative”.

Rreth arsyeve për dorëheqjen e tij, Zharku ka thënë se është i detyruar të japë dorëheqje nga posti i kryetarit të komunës, dhe njëherësh edhe nga posti i kryetarit te degës së PDK-së në Kaçanik, jo nga dëshira, “por nga vendimi i padrejtë dhe politik i EULEX-it, të cilët kanë përdor dhe keqpërdorur matrapazët dhe spekulantët Shefqet Luri, Xhelil dhe Azem Suma, të njohur në këto anë për gjëra të tilla”.

Ai pretendon se është dënuar në mënyrë të padrejtë për ndërmjetësim, për të cilin është ftuar nga palët e lartcekura, për t’ua lehtësuar procesin për të arritur një marrëveshje. 

“Është tejet e pakuptueshme si mund të dënohet dikush që ndërmjetëson për të evituar konfliktet mes palëve, ose pse të behet selektim kur dihet se si ndërmjetësues ka qenë edhe Emrush Suma, i cili merret vetëm si dëshmitar në këtë proces. Natyrisht se nuk do koment që ky vendim është politik dhe i turpshëm për ata që thirren se kanë ardhur të ndihmojnë Kosovën për rend e ligj”, thuhet më tej në letrë Zharkut.

Zharku vazhdon më tutje akuzat kundër Misionit të BE-së për Zbatimin e Ligjit në Kosovë – EULEX, duke shprehur bindjen se edhe në këtë mision ka korrupsion.

“Shfrytëzoj nga rasti që të njoftoj publikisht opinionin dhe organet e EULEX-it se në EULEX ka korrupsion dhe keqpërdorim detyre,dhe jam i gatshëm të dëshmoj me argumente”, thotë Zharku.

Në fund të letrës, Zharku potencon se do të vazhdoj të jetë besnik i PDK-së dhe në të njëjtën kohë i bën thirrje elektoratit dhe simpatizantëve të PDK-së që të jenë të mobilizuar për një fitore të re të PDK-së, në zgjedhjet e jashtëzakonshme që tani duhet të shpallen për kryetar të ri të Kaçanikut.

Gjykata Supreme e Kosovës, të martën vërtetoi aktgjykimin e shkallës së parë kundër Zharkut. Ai do të vuajë tre vjet burgim për veprën penale të detyrimit. Si pasojë edhe kjo komunë pritet që brenda 45 ditësh të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

Më 21 prill 2011, Gjykata e Qarkut në Prishtinë e kishte shpallur Xhabir Zharkun fajtor për kryerjen e veprës penale të zhvatjes dhe posedimit të paligjshëm të armës. Ai ishte dënuar me tri vite burgim dhe i ishte shqiptuar gjoba prej 1,500 euro për akuzën e posedimit të paligjshëm të armës.

Çështja kishte të bënte me një rast të vitit 2006, kur ishte privatizuar nga AKM-ja një fermë e deleve në fshatin Rakaj të Ferizajt. Të dëmtuarit në këtë rast, Xhelil dhe Emrush Suma, kishin qenë fitues të tenderit si ofertues të parë. Mirëpo, pas kërcënimeve nga të akuzuarit në fjalë, fituesit ishin detyruar të tërhiqen, për ta fituar atë, tani i dënuari Arsim Kolshi, i cili kishte qenë ofertuesi i dytë.