Zgjedhjet Nuk Mjaftojnë

Ka një vërejtje që me të drejtë mund të bëhet në lidhje me “kauzën” e opozitës dhe se a e justifikon ajo bllokimin e Kuvendit dhe mospranimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, ose pranimin e tyre vetëm për aq sa përshtatet me qëndrimet e saj.

Çështjet të cilat opozita po i ngre si kryesoret dhe më të ngutshmet – pra Marrëveshja për krijimin e Asociacionit me shumicë serbe dhe demarkacioni i kufirit – nuk duket se në mënyrë të padyshimtë kërcënojnë vlerat dhe parimet themelore mbi të cilat është legjitimuar shteti dhe mbi të cilat duhet të themelohet shoqëria në Kosovë.

Këto vlera janë liria, barazia, drejtësia, paqja, sovraniteti dhe uniteti i shtetit, si dhe procedurat e demokracisë përfaqësuese, si më kryesoret.

Më pas, është çështje e orientimeve ideologjike si të vihen në praktikë këto përmes organizimit të caktuar shoqëror e ekonomik dhe rregullimit institucional.

Po kështu, është çështje e vlerësimeve se në cilën fazë jemi në rrugën drejt (ose kundër) realizimit të këtyre idealeve.

Marrëveshja për Asociacionin e komunave me shumicë serbe ka të meta dhe nuk është zgjidhja më e mirë e çështjes së integrimit të veriut në shtetin e Kosovës, por në rrethana joideale, nuk pritet zgjidhje ideale.

Veç kësaj, nuk janë shteruar të gjitha mundësitë institucionale për të kundërshtuar aspektet problematike të Marrëveshjes në fjalë dhe procesi i krijimit të këtij asociacioni është në fazën e hershme të tij.

Në lidhje me të ka pasë edhe një vendim të Gjykatës Kushtetuese dhe duhet ngulë këmbë që ky vendim të orientojë edhe hartimin e statutit të Asociacionit në fjalë.

Pyetja parimore që shtrohet është nëse mund të justifikohet bllokimi i organit ligjvënës të shtetit vetëm pse pikëpamjet e kundërshtarëve politikë nuk përshtaten me të tuat, ose vetëm përse interpretimet e institucioneve arbitrore të shtetit nuk përputhen me interpretimet e tua.

Nuk mendoj se mund të justifikohet bllokimi i Kuvendit nga ana e partive politike për arsyet që i po i japin ato. Po, për këtë kam shkruar në një artikull tjetër [Politika është lojë].

Natyrisht se demokracia justifikon aktet e mospajtimit politik jashtinstitucional, si protestat, mosbindja qytetare, etj., madje qoftë edhe për të kundërshtuar Marrëveshjen për Asociacionin e komunave serbe dhe demarkacionin e kufinit.

Një demokraci e vërtetë, qytetarëve të saj u jep shansin të kundërshtojnë edhe në këto mënyra qeverisjen e dëmshme dhe rrëshqitjet drejt autoritarizmit. Mirëpo, idealisht, funksioni kryesor i partive në sistem përfaqësues është të jenë zëri i votuesve dhe instrument për mbrojtjen dhe avancimin e interesave të tyre në organet e shtetit.

Kjo është hapësira e veprimit të partive politike dhe aty duhet të angazhohen për të arritur sukses.

Kjo nuk domethënë se empirikisht përjashtohet revolucioni, pra shembja e sistemit, në rast se kërkohen baza të reja për të legjitimuar një shoqëri dhe shtet të ri në raste të këtilla, forca politike e shoqërore mbështesin forma të tjera të organizimit politik.

Por kjo është një temë tjetër: a është i mundur ai, si kishte me u kry, kush kishte me e udhëheqë e kush me e përkrahë, me çfarë kostoje, dhe nëse kishte me pasë sukses, ku kishte me çu ai dhe çka kishte me ndodhë një ditë më pas, janë pyetje për reflektim.

Reagimi i shtetit dhe thirja për zgjedhje të parakohshe

Si reagim ndaj aktivizmit opozitar në kundërshtim të krijimit të asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe marrëveshjes për demarkacion të kufinit me një shtet fqinj, aparati i dhunës shtetërore në Kosovë është ballafaquar në mënyrë brutale me deputetët opozitarë dhe aktivistët duke i bastisur zyrat partiake dhe ndjekur ata në banesat e tyre për t’i arrestuar.

Nëse qeveria dhe autoritetet e shtetit nuk e rimendojnë qëndrimin e saj ndaj opozitës, zgjedhjet e parakohshme janë të pashmangshme, sepse ka një kufi deri ku mund “të mbrohet” Kuvendi prej deputetëve të tij, pavarësisht gjithçkasë.

Vendi është në një qorrsokak ku e ka çu politika e korruptuar dhe e papërgjegjshme për vite me radhë.

Edhe pse ka arsye të besohet se është një maskaradë që fsheh shqetësime e interesa të ngushta të politikanëve, dikush kësaj po i referohet si “krizë politike”.

Sidoqoftë, kur kësaj gjendjeje po i referohen si “krizë politike”, sikur duan të thonë se sistemi aktual nuk mund të qëndrojë dhe duhen ndryshime.

Bllokimi është një taktikë përmes së cilës opozita po synon rrëzimin e qeverisë dhe zgjedhje të parakohshme. Edhe nga publiku dikush ka propozuar se dalja prej kësaj gjendjeje janë zgjedhjet e parakohshme dhe se ndryshimet do të vijnë.

Po çfarë ndryshimesh dhe për kë?

Ndoshta për politikanët po, mirëpo, as që kemi më të voglën arsye të besojmë se zgjedhjet kanë me rezultu në një situatë të re e më të mirë për qytetarët: Sistemi zgjedhor mbetet i njëjtë dhe parregullsitë me listën e votuesve nuk iu është adresuar askush, nuk ka asnjë hap tutje nga politika klanore, as rifreskim të programeve e elitave partiake.

Çfarë risie në të mirë të qytetarëve kishin me sjellë zgjedhjet në të njëjtat kushte?

Zgjedhjet nuk sigurojnë asgjë ma shumë se sa ndryshime në raportin e pushteteve të partive, varësisht prej rezultatit. Ne e dimë që ndërrimi i qeverive nuk ka qenë i mjaftueshëm për me garantu ndryshime në të mirë të qytetarit.

Pa një ndryshim të marrëdhënies ndërmjet përfaqësuesve dhe qytetarëve, druaj se edhe rezultati i zgjedhjeve të reja nuk ka me pru ndonjë ndryshim cilësor, pavarësisht nëse qeveria e re do të ketë të njëjtën ose tjetër përbërje.

Na duhet një marrëdhënie legjitime ndërmjet udhëheqësve në qeveri dhe qytetarëve: marrëdhënie ma e drejtpërdrejtë, e pandërmjetësuar nga militantë, ambasadorë, biznesmenë e grupe kriminale.

Kjo kishte me e shtu ndjeshmërinë e politikanëve ndaj brengave e kërkesave të qytetarëve dhe llogaridhënien e tyre.

Sa ka arsye të besohet se partitë e tanishme opozitare që shpresojnë të jenë në qeverinë e radhës duan dhe mund ta bëjnë këtë ndryshim, është çështje për të cilën le të mendojnë qytetarët.