Ujërat e zeza në një fshat të Podujevës, shtator 2017. Foto: Kallxo

Zgjedhjet Lokale: Shumë Zhurmë e Shpenzime për Asgjë

Nga sot fillon fushata zgjedhore për zgjedhjen e kryetarëve të 38 komunave dhe 1,002 përfaqësuesve në kuvendet komunale. Garës për kryetar komune i kanë hyrë 204 kandidatë. Partia e cila ka dalë me më së shumti kandidatë për kryetarë komune është Partia Demokratike e Kosovës (PDK), e cila garon në 30 komuna.

PDK po ashtu mban primatin edhe me numrin e kandidatëve për kuvende komunale. Në petkun e kësaj partie, ulëse në kuvendet komunale synojnë 967 kandidatë. Pas PDK radhitet Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), e cila ka në garë 28 kandidatë për kryetarë komune dhe 898 kandidatë për anëtarë të kuvendeve komunale. Lëvizja Vetëvendosje, e cila në zgjedhjet parlamentare të qershorit të këtij viti doli si subjekti më i madh parlamentar, do të garojë për postin e kryetarit në 26 komuna, kurse në garë për kuvendet komunale ka 874 kandidatë.

Komunat me më së shumti kandidatë për kryetarë komune do të jenë Mitrovica e Jugut dhe Prizreni, me gjithsejt dhjetë kandidatë, kurse komunat me numrin më të vogël të kandidatëve do të jenë komunat e banuara me shumicë nga komuniteti serb, siç janë Graçanica, Parteshi, Zhubin Potoku, për kryetar komune të të cilave do garojnë nga dy kandidatë. Kurse gara për ulëse në kuvend komunal do ta ketë konkurrencën më të madhe në Komunën e Gjilanit ku për një ulëse garojnë 9.6 kandidatë. Pas Gjilanit radhitet Komuna e Prishtinës. Gara me më pak konkurrencë do të jetë në Komunën e Parteshit ku për një ulëse garojnë 2.2 kandidatë.

Komunat: me pushtet të kufizuar qeverisës…

Por krejt kjo garë zgjedhore, e cila buxhetit të shtetit do t’i kushtojë rreth 5 milionë euro, zhvillohet për pushtet i cili është më shumë në korniza të administrimit, se sa pushtet i cili lejon ndryshime rrënjësore. Baza ligjore nën të cilën veprojnë komunat nuk bën dallim mes komunave të mëdha dhe të vogla. Pushteti që ka Komuna e Ferizajt është i barabartë me pushtetin që ka Komuna e Junikut. Një drejtor i urbanizimit në Prishtinën me mijëra ndërtime në vit merr të njëjtën pagë sikurse drejtori i urbanizmit në Mamushë.

Sipas një raporti të Institutit GAP, të gjitha kompetencat vetanake të komunave të renditura në nenin 17 të Ligjit për vetëqeverisje lokale, në praktikë nuk janë kompetenca vetanake, por janë kompetenca të varura nga niveli qendror. Krejt çfarë mund të bëjnë komunat është administrimi i punëve në kuadër të atyre pak kompetencave që kanë.

Qeverisja në Komunën e Prishtinës tani e dhjetë vite ankohet në pengesa nga niveli qendrorë. Qeveria qendrore më parë ka zgjedhur që të shkel Kushtetutën e vendit, e cila parasheh aprovimin e një ligji të veçantë për Kryeqytetin, se sa t’i japë kompetenca shtesë Komunës së Prishtinës. Përkundër premtimeve të mëdha për ndryshim, të përballur me një hapësirë të kufizuar veprimi, kryetarët e komunave po e përmbyllin edhe një mandat qeverisës pa ndonjë ndikim të madh në jetën e qytetarëve.

Çdo ide e kryetarëve të komunave e cila del jashtë ‘biznesit të përditshëm’, krijon një konfrontim afatgjatë ne mes nivelit qendror dhe atij lokal. Këtë e mësoi vonë edhe Kryetari i Komunës së Mitrovicës z. Agim Bahtiri, i cili u përball me pengesa të shumta për ndërtimin e fabrikës së kërpudhave, një nga premtimet më të mëdha zgjedhore të tij, për shkak të procedurave për dhënien e tokës komunale në shfrytëzim. Në rrugë të njëjtë e mësoi edhe Kryetari i Komunës së Prishtinës z. Shpend Ahmeti, me rastin e blerjes së autobusëve të rinj të “Trafikut Urban”.

Sipas hulumtimeve të UNDP, tri problemet më të mëdha me të cilat përballen të gjitha komunat janë papunësia, rritja e pamjaftueshme ekonomike dhe varfëria, probleme për të cilat komunat nuk kanë pushtet për t’i zgjidhur. Përveç këtyre tri problemeve me të cilat përballen qytetarët e të gjitha komunave, Komuna e Obiliqit përballet edhe me problemin e ndotjes nga termocentralet, problem të cilin nuk ka pushtet që ta zgjidh, ngase kjo bie në kompetencë të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Me ndotjen e mjedisit nga aktiviteti i fabrikës “Ferronikeli” përballet edhe Komuna e Drenasit e cila tani e shumë vite është e pafuqishme që t’i detyrojë pronarët e fabrikës që t’i vendosin filtrat për zvogëlimin e nivelit të ndotjes së ajrit. Tani e shumë vite Komuna e Fushë Kosovës përballet me problemin e aksidenteve të shumta në komunikacion ku disa persona kanë humbur jetën duke kaluar rrugën magjistrale që e ndan në dysh këtë qytet. Por komuna nuk ka asnjë pushtet që ta rrisë sigurinë në rrugën që menaxhohet nga Ministria e Infrastrukturës.

Madje komunat nuk kanë kompetenca të plota as për zgjidhjen e problemeve më bazike, siç është furnizimi me ujë, menaxhimi i mbeturinave apo edhe reagimi në raste të emergjencave. Ndërmarrjet rajonale për furnizim me ujë janë nën menaxhim të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik (MZHE); ndërmarrjet rajonale për menaxhim të mbeturinave menaxhohen nga dy e më shumë komuna, kurse Kompania për menaxhimin e deponive po ashtu është nën menaxhim të MZHE; e shërbimi i zjarrfikësve është në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

…por me pushtet të pakufizuar për keqpërdorim buxheti

Por, për mbi 7,000 kandidatë që tash janë në garë për postin e kryetarit/es dhe për anëtarë të kuvendeve komunale, problemi i pushtetit të kufizuar të komunave nuk do të përmendet fare në fushatë zgjedhore. Pothuajse të gjithë do të premtojnë zgjidhjen e të gjitha problemeve, nga papunësia e liberalizimi i vizave, e deri tek eliminimi i rriqrave.

38 komunat menaxhojnë me 22% të buxhetit total të shtetit për vitin 2017. Shumica e komunave të vogla kanë buxhet aq sa për të mbajtur në këmbë administratën komunale dhe të punësuarit në sektorin publik. Në këtë formë komunat janë shndërruar në struktura që u shërbejnë të punësuarve të tyre, e jo qytetarëve në atë territor.

Një urë druri në një fshat të Fushë Kosovës, shtator 2017. Foto: Kallxo

Sipas analizave buxhetore të Institutit GAP, së paku në shtatë komuna buxheti i ndarë për kulturë më 2016 ishte i destinuar 100% për shpenzime administrative (pagë për zyrtarët e kulturës dhe shpenzime tjera të zyrës), e asnjë cent nuk ndahet për subvencionim të aktiviteteve kulturore. Situatë e njëjtë është edhe për mbështetjen e sportit, ku më shumë buxhet shpenzohet për çështje administrative se sa për mbështetje konkrete të aktiviteteve sportive.

Kamenica, komunë me mbi 30 mijë banorë, shpenzon më shumë buxhet për drekat e zyrtarëve të saj, se sa që shpenzon për furnizime mjekësore të qendrave të mjekësisë familjare dhe ambulantave. Njësoj edhe Komuna e Dragashit, e cila në dy vitet e fundit ka shpenzuar më shumë në dreka se sa në furnizime mjekësore. Më 2015, Komuna e Klinës ka shpenzuar shumë më shumë për karburant për automjete zyrtare (mbi 89 mijë euro), se sa shpenzimet totale për mirëmbajtjen e të gjitha objekteve shkollore, të gjitha objekteve shëndetësore dhe të gjitha ndërtesave publike (nën 70 mijë euro).

Përderisa shtrirja e internetit dhe përdorimi i aplikacioneve për komunikim falas ka ulur dukshëm shpenzimet e telefonisë për të gjithë qytetarët dhe bizneset e Kosovës, duke ulur edhe të hyrat e operatorëve të telefonisë mobile, kjo nuk është reflektuar edhe në ulje të shpenzimeve në komuna. Komuna e Kamenicës ka shpenzuar për telefoni mobile 6,567 euro më shumë më 2016 se sa në vitin 2010. Komuna e Klinës ka shpenzuar më shumë për telefoni mobile më 2016 se sa në dy vitet paraprake. Trend i njëjtë është edhe në shumicën e komunave tjera.

Të hyrat vetanake të komunave të vogla, të cilat janë krijuar në zona rurale, janë më të vogla se sa shpenzimet vjetore të disa personave nga stafi politik në atë komunë. Për shembull, të hyrat vjetore të planifikuara për vitin 2017 nga tatimi në pronë në Komunën e Parteshit janë 11 mijë euro, kurse paga vjetore e Kryetarit të Komunës është afër 14 mijë euro. Shpenzimet kapitale për 2017 të dhjetë komunave së bashku apo të 26% të komunave sillen rreth 5 milionë euro, apo aq sa i ka humbur Kosova vetëm në një proces të arbitrazhit për tenderin e pasaportave.

Por, përkundër krejt këtyre fakteve, politikanët premtojnë themelimin edhe të më shumë komunave, të cilat do të shpenzojnë më shumë buxhet për punë administrative. Deri në vitin 2013, 11 lokalitete të ndryshme të Kosovës kanë dorëzuar kërkesë zyrtare për t’u shndërruar në komuna. Në fushatën për zgjedhje lokale të para katër viteve, Kryeministri i atëhershëm Hashim Thaçi premtonte themelimin e shumë komunave, madje edhe duke marrë vendim për themelimin e dy komunave në rajonin e Hasit.

Më pak qeveri komunale, më shumë shërbime

Andaj, me qëllim që komunat të shndërrohen në njësi pushteti të cilat u shërbejnë qytetarëve më shumë se sa interesave të politikanëve, nevojiten një ndryshim i rrënjësishëm në organizimin territorial dhe ndryshimi i bazës ligjore e cila përcakton kompetencat e komunave. Në vend se të themelohen komunat e reja, nevojitet shuarja e disa komunave aktuale, duke krijuar njësi të pushtetit lokal më të centralizuara sa i përket pushtetit, por me një decentralizim më të madh të shërbimeve. Nuk ka nevojë të themelohen komuna të reja për të shpërndarë certifikata të lindjes. Ky shërbim tani mund të kryhet me një kioskë, ashtu siç e ka filluar Komuna e Prishtinës dhe disa komuna të tjera. Një komunë e cila shpenzon më shumë për dreka zyrtare të politikanëve se sa që shpenzon për furnizime të qendrave mjekësore, nuk e arsyeton fare ekzistencën e saj.

Projekti i harruar i Lagjes së Dëshmorëve në Drenas, shtator 2017. Foto: Kallxo

Numri prej 1,002 anëtarëve të 38 kuvendeve komunale është shumë i madh. Mesatarisht, një anëtar i kuvendit komunal merr një kompensim prej 2,500 euro në vit, për rreth 20 takime që organizojnë kuvendet komunale gjatë vitit. Për një mandat katërvjeçar nga buxheti i shtetit do të ndahen mbi 10 milionë euro vetëm për pagat e anëtarëve të kuvendeve komunale, pa llogaritur këtu shpenzimet shtesë për punën në komitete të kuvendit. Andaj, do të duhej që të ketë një shkurtim thuajse përgjysmë të ulëseve në të gjitha kuvendet komunale.

Puna e Kuvendit Komunal të Prishtinës nuk do të pësonte asgjë nëse ky organ përfaqësues do të kishte për shembull, 31 anëtarë e jo 51 sa ka tani. Puna e Kuvendit Komunal të Prizrenit nuk do të pësonte asgjë nëse numri i ulëseve do të shkurtohej në 21, e jo 41 sa janë tani. Edhe ashtu, sipas raporteve monitoruese të KDI për kuvendet komunale të komunave në regjionin e Prizrenit, mbi gjysma e anëtarëve të kuvendeve komunale nuk marrin pjesë në diskutime, nuk ngritin çështje për diskutim dhe nuk kontribuojnë me amandamente në rregulloret që diskutohen.

Qeveria e Kosovës, ashtu siç parashihet edhe me Strategjinë për vetëqeverisje lokale, duhet të fillojë ta bëjë diferencimin e komunave: komunat të cilat dëshmojnë aftësi për kompetenca shtesë, duhet të marrin ato kompetenca, kurse komunat që nuk arrijnë që të përmbushin edhe ato pak kompetenca që i gëzojnë, duhet të shuhen.

Në të kundërtën, komunat do të shërbejnë vetëm si struktura për punësim të militantëve partiakë, njësi qeverisëse të cilat u japin pushtet kryetarëve vetëm sa për ta keqpërdorur buxhetin dhe për të shëruar ego.