Zgjedhjet e Gabuara Nuk Ndalen

Shumë zgjedhje të gabueshme janë bërë, edhe pas zgjedhjeve të fundit problematike. Gjyqësori po shqipton dënime të buta për vjedhësit e votave, partitë bënë zhurmë mediale, por në PZAP dërguan pak ankesa të faktuara. Ndërkohë shumica e partive, nuk kanë paguar ende gjobat nga zgjedhjet e fundit.

Dënimet e shqiptuara nga gjykatat janë stimulim që vota të vidhet edhe në të ardhmen, si dhe dëshmojnë se sistemi i drejtësisë është i ndikuar, thonë përfaqësues të disa partive politike.

Në një raport të publikuar së fundi, KIPRED ka gjetur se as gjysma e lëndëve të pranuara për krime zgjedhore nuk janë zgjidhur, megjithëse ato janë shpallur si prioritet nga prokuroria. Sipas KIPRED-it, gjykatat komunale në shumicën e rasteve kanë shqiptuar dënime qesharake, kryesisht me gjoba, për manipuluesit e zgjedhjeve, që ngjasojnë në kundërvajtje. Dënimet me burgim u janë shqiptuar vetëm 7 personave, nga 3 muaj deri në 1 vit.

“Dënimet e dhëna nga gjykatat janë në fakt stimulim për dhunuesit e zgjedhjeve”, i tha Gazetës JnK, Alban Krasniqi, përfaqësues i Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ. Ai madje flet për një “tendencë të  prokurorive dhe gjykatave për balancimin e kriminelit dhe të viktimës”, pasi po dënohen komisionarët e të gjitha partive politike.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), po ashtu, është e pakënaqur me dënimet e shqiptuara deri më tani nga gjykatat. “Fakti që shkeljet e mëdha që kanë ndodhur në zgjedhjet e fundit, nuk po marrin dënimin e merituar, është edhe një tregues se sistemi i drejtësisë është tërësisht nën ndikimin e partive politike në pushtet”, thotë Arben Gashi, deputet i LDK-së.

Ai përsërit qëndrimin e partisë së tij, tashmë në opozitë, se vjedhja e votave është bërë në mënyrë të organizuar.

Edhe KIPRED, në raportin e publikuar të dielën, thotë se ekziston baza që prokurori i shtetit të urdhërojë hetim për bashkëpunim kriminal të komisionarëve. “Kur manipulimet janë masive, kryerja e veprimtarive kriminale të zgjedhjeve kërkon bashkëpunim të disa personave për përfitime të caktuara. Manipulimi enorm i finalizuar deri tash me akuzimin e rreth 500 komisionerëve, dëshmon për një masë e cila s’ka mundur të veprojë në suaza individuale”, tha  Betim Musliu, hulumtues dhe bashkautor i raportit.

“Pra, duhet hetuar organizimin, shtytjen, financimin dhe ndihmën para, gjatë dhe pas kryerjes së krimeve të zgjedhjeve. Prokuroria Speciale e Kosovës duhet hetojë elementet e krimit të organizuar në rastet e krimeve të zgjedhjeve, pasi për këtë ekziston baza e mjaftueshme ligjore”.

Musliu shton se “dënimet e pakta dhe të ulëta që u shqiptuan mund të cilësohen sikur tarifa për blerje të votave, rrjedhimisht legalizim i tregtisë me votat”.

Blerim Kuçi, Sekretar Organizativ i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), thotë se ka përshtypjen se gjyqësori është përfshirë në zgjidhjen e shkeljeve zgjedhore “vetëm sa për të thënë”.

Ai thekson se për zgjedhjet e ardhshme, të gjithë ata njerëz të përfshirë në raste keqpërdorimi nuk duhet lejuar të jenë më afër kutive të votimit dhe se “i tërë sistemi duhet të ndryshohet’.

Kurse Krasniqi i VV-së nuk dëshiron ta fajësojë ligjin jo të mirë i zgjedhjeve për parregullsitë e mëdha. “Ligji aktual nuk e favorizon vjedhjen dhe manipulimin, përkundrazi ai qartë parasheh masat ndëshkuese dhe këto masa janë të parapara edhe me Kodin Penal”.

“Me keqardhje më duhet të them se dhunimi i votës ka ndodhur si pasojë e zgjedhjeve të organizuara keq nga institucionet përgjegjëse, direkt apo indirekt, për mbarëvajtjen e zgjedhjeve si KQZ, PZAP, Policia e Kosovës, në njërën anë, dhe bandave partiake të organizuara mirë, nga ana tjetër”.

Mosveprim para gjuhës ankuese

Gjatë zgjedhjeve parlamentare në Kosovë, partitë politike kanë qenë të zëshme në paraqitjen publike të parregullsive që pretendonin të jenë bërë gjatë procesit zgjedhor. Bile, disa nga partitë thanë publikisht se numri i keqpërdorimeve ishte aq i madh, sa që zgjedhjet nuk duhej të pranoheshin si të rregullta.

Por një hulumtim më i hollësishëm i Gazetës Jeta në Kosovë nxjerrë në pah joseriozitetin e partive politike në adresimin e ankesave që kanë të bëjnë me procesin zgjedhor.

Numri i ankesave të paraqitura nga partitë politike dhe shoqëria civile është gjithsej 454. Prej tyre PDK’ja ka paraqitur 59 ankesa, LDK’ja 29, AAK’ja 17 ankesa, AKR’ja 52, LVV’ja 173,  FER’i 15, ndërsa të gjitha partitë tjera kanë paraqitur nga më pak se 6 ankesa. Prej organizatave joqeveritare vetëm BIRN ka paraqitur 39 ankesa, pra më shumë se sa partia e dytë dhe e tretë në vend.

1,249,987 qytetarë me të drejtë vote kanë pasur të drejtë të votojnë në 1,668 vendvotime, të cilat kanë qenë të monitoruara nga rreth 5,000 vëzhgues të akredituar nga Këshilli Qendror Zgjedhor. Kjo i bie që në secilin vendvotim ka pasur mesatarisht nga rreth 3 vëzhgues, të cilët kanë pasur mundësi që të evidentojnë shkeljet e mundshme.

Nëse krahasohet numri i ankesave me numrin e vendvotimeve dhe të vëzhguesve të dërguar nga partitë politike, numri i ankesave të paraqitura sidomos nga partitë e mëdha nuk përkon me retorikën ankuese të përdorur prej tyre gjatë zgjedhjeve, e edhe sot gati një vit pas.

Kuçi i AAK-së e quan interesante pyetjen “përse ka pasur aq shumë deklarata, e jo ankesa?”
“Ne atëherë u patëm përballë me vendimin të pranojmë zgjedhjet, ose jo. Zgjedhjet patën shumë shkelje, ishin jotransparente dhe u korruptuan keq. Po të kishim vendosur të shkonim ne ankesa, do të duhej të dërgonim rreth 500-600 sosh. Prapë, vendosim t’i pranonim ato siç ishin, sepse vlerësuam se kështu është më mirë”, shpjegon ai, qëndrimin e AAK-së.

Nga ana tjetër, Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave (KIPRED) ka vërejtur se pretendimet dhe pohimet verbale të disa subjekteve politike për manipulimet masive në zgjedhje, në asnjë mënyrë nuk janë provuar përmes rrugës ligjore dhe institucionale. “Disa parti politike janë fokusuar tej mase në retorikën politike në media duke neglizhuar institucionet. Shteti ligjor nuk ndërtohet me deklarata, por me kontribut nëpër kanale ligjore dhe institucionale”, tha Adem Gashi, hulumtues në KIPRED dhe bashkautor i raportit.

S’i shlyejnë gjobat

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka gjobitur partitë politike për shkelje, në një shumë prej 377 450 euro. Por shumica e subjekteve, nuk e kanë marrë mundin të paguajnë obligimet e tyre. Partitë të cilat janë dënuar dhe nuk kanë paguar gjobat janë: PDK – rreth 150 mijë euro; LDK – 88 mijë euro; AAK – 80 mijë euro; AKR – 40 mijë euro; LDD – 9 mijë euro dhe FER – 3 mijë euro.

Ndërsa ato që kanë paguar gjobat janë: LVV –  rreth 6 mijë euro; KDTP – 3 mijë euro dhe SLS – 3 mijë euro.

“Moskryerja e obligimeve ndaj dënimeve qe PZAP u ka shqiptuar subjekteve politike tregon për lidhjen kriminale që partitë politike kanë pasur në të kaluarën, dhe kanë, me sistemin e sigurisë dhe të drejtësisë në vend dhe se si këto të dyja i nënshtrohen politikes dhe punojnë në favor të saj”, thotë Alban Krasniqi i VV-së.

Një shpjegim tjetër pse nuk janë paguar gjobat e ka Blerim Kuçi. “Me sa unë e di, ne u patëm marrë vesh që nuk kemi nevojë të paguajmë për gjobat sepse shuma do të ndalej nga fondi që ndahet prej Parlamentit për subjektet politike”.

Megjithë përpjekjet e Gazetës për të marrë qëndrimin e partisë më të madhe, si për dënimet e buta të shqiptuara nga gjykatat, ashtu edhe për mosshlyerjen e gjobave, kjo ishte e pamundur. JnK ka kontaktuar një numër zyrtarësh të lartë të PDK-së, por pasi kanë marrë vesh për temën, ata kanë sugjeruar emra të tjerë. Njëri nga ta ka kërkuar t’i dërgohen pyetjet me postë elektronike, por nuk ka kthyer përgjigje.