Zemra e Zagrebit

Treni që vjen nga Mynihu mbledh udhëtarët në stacionin e vogël të Sevnices, fshatit slloven dikur komunist, për t’i përcjellë nga Slovenia përgjatë Kroacisë, deri në Beograd.

Në kufirin ndërmjet Sllovenisë dhe Kroacisë treni ndalet në pikën kufitare Obrežje, komuna e Brežices, në Slloveninë Lindore, aty ku vitin e shkuar emigrantë të shumtë patën mbërritur në këmbë që nga Siria, Afganistani apo Irani.

Vendi për pak kohë qe në fokusin e fotografëve të shumtë nga bota mediale, atyre që e dëshmonin rrugën e luftën e gjatë për jetë të emigrantëve ardhur nga Lindja. Një ecje epike të njerëzve të pashtëpi. Në pikën kufitare, këtë verë, ka vetëm policë, ndërsa gjurmët e emigrantëve që ose ktheheshin mbrapsht, ose me tren barteshin për në Austri, nuk duken askund. Qyteza e ngritur pranë shtratit të lumit Sava rri e qetë, duke ruajtur të freskët storien e dhimbshme të të ikurve që kërkonin zgjidhje për jetë.

Vija ndarëse ndërmjet Sllovenisë dhe Kroacisë është e dukshme. Policë kufitarë në të dy pikat e kufirit kontrollojnë me detaje secilin udhëtar. Pasaportat ju lutem! Nga Sllovenia e Zonës Schengen për në Kroaci, duket sikur kroatët e ruajnë me besnikëri territorin e vet. Sllovenëve u pëlqen bregdeti kroat, dhe shumë nga ata që kam njohur pohojnë se kanë diku përgjatë kësaj vije një vilë verore. Por nga udhëtarët në tren të rrallë janë ata që janë nisur për në Rivierën e Adriatikut, të shumtët kanë për ndalesë Zagrebin apo Beogradin.

Zagrebi, qyteti që vlon

Vetë Zagrebi, ngjan në një vendtakim të madh në Glavni Kolodvor, stacionin qendror të trenave. Godina ngjyrë rozë përshëndet trenat e shumtë që lënë e marrin njerëz e mallra, udhëtarë që ikin e vijnë në zemrën e Kroacisë. Po, megjithë numrin e madh të turistëve gjatë viteve të shkuara, shumë nga vizitorët që e zgjedhin Kroacinë, thuhet se e anashkalojnë kryeqytetin kroat, ose fundja e shfrytëzojnë për një natë qëndrimi, për të ikur tutje, drejt brigjeve të Adriatikut në  Dalmaci, apo edhe drejt parkut nacional Plitvice.

Takimi i parë me qendrën e republikës kroate, Zagrebin, të krijon ndjesinë e vërshimit të jetës në mënyrë të pandalshme. Qyteti vlon nga të gjitha anët, e duket se ai ka shumçka të të ofrojë. Muzikën, rininë, njerëzit e bukur, mbledhur në kryeqendër, qofshin ata nga Kroacia Qendrore, Istria, Dalmacia apo Slavonia.

Nga qyteti me statusin e një ish-qendre habsburgiane te kryeqyteti i një identiteti të ri. Duket sikur ndërgjegjja kombëtare rron e fortë, megjithë shkrirjen harmonike në kohërat e reja. Drejt sheshit kryesor që mban emrin e të famshmit kroat-banit Josip Jelačić – simbol i atdhedashurisë, sheshi i shtrirë ndërmjet kodrës Gradec dhe Kaptol-it, bërthamave mesjetare të qytetit, të shpie në një ecje të drejtë rrugës së gjatë mes godinave të vjetra të arkitekturës austrohungareze, ndërmjet bareve, picerive e restoraneve dhe dyqaneve të shumta eksluzive. Zhurma e tramvajëve ngjyrë të kaltër, i shtohet tollovisë së njerëzve dhe sikur me zor i jep edhe më shumë zë kryeqytetit kroat.

Zagreb 01

Kullat e katedraleve, godinat e vjetra renditur në simetri, parqet, lulet, turistët e shumtë dhe dekoret turistike, rrugët që vlojnë dhe femrat përplot hijeshi, i japin atij një peisazh të rrëmujshëm e plot dashuri.

Ulur në njërën nga kafenetë në shesh, skena të shfaqet e përzier. Një përzierje ideale mes së vjetrës dhe së resë. Kultura tradicionale kroate zë vend gjithkah, e edhe nacionalizmat lokale, besnike ndaj asaj. Kroatët kanë ditur bukur ta inkuadrojnë vazhdimësinë e jetës dhe  të renë. Kësaj i shkon për shtati edhe performanca në rrugë, e quajtur makina e kohës, e cila zë vend nga pranvera gjer në vjeshtë. Në Zagreb, thonë performuesit, ndizet makina e kohës, e cila sjell në në mënyrë të jashtëzakonshme të shkuarën në të sotmen. Rrugët e parqet mbushen gra që mbajnë veshjet tradicionale të historisë kroate. E shkuara e largët dhe e afërt kroate është aty, pa e kërkuar në asnjë muze apo librari.

Katedralja imponuese

Përballë kafeneve në shesh rri Katedralja e Zonjës së Shenjtë, Virgjëreshës Mari, njëra nga pikat kryesore referuese të Zagrebit. Godina hijerëndë, pos funksionit religjioz, shërben si  kartë e parë prezantuese. Ajo zë vend në pjesën historike, në qytetin e vjetër e të mrekullueshëm barok mbi kodrinë. Ndonëse shumë nga pjesët e jashtme janë rindërtuar gjatë shekujve, kullat e saj binjake neo-gotike rrinë imponuese mbi qytet. Historiku na mëson se kisha e parë u shkatërrua nga Tatarët më 1242 dhe që rikonstruksione të mëvonshme u dëmtuan nga zjarri. Pas një tërmeti në vitin 1880, arkitekti i njohur austriak Hermann Bolle, i shtoi katedrales kullën e këmbanës të lartë 105 metra. Anash katedrales rri dëshmia e kësaj katastrofe natyrore. Ora e dikurshme e katedrales është ekspozuar ashtu siç ka ngelur në momentin e tërmetit, në themel shënon: 9 nëntor, 1880, ora e ngecur në 07.33 minuta. Koha e tërmetit. Brendia mbetet e thjeshtë, me altarët neo-gotikë dhe pranë tyre varrin e  kryepeshkopit kontrovers kroat Alojzije Stepinac. Portreti i tij rri përprara altarit, ndërkohë që vizitorët presin në rend për t’ia lëshuar sytë nga afër.

 

Katedralja dhe "Muzeu i Lidhjeve të Dështuara"
Katedralja dhe “Muzeu i Lidhjeve të Dështuara”

Muzeu i lidhjeve të dështuara

Po në pjesën historike të Zagrebit ka zënë vend një muze i veçantë, me emrin Muzeu i Lidhjeve të Shkëputura (2010), duke ofruar perspektiva të ndryshme për dashurinë dhe ndarjen. I vendosur në pallatin e bukur barokien, Kulmer (ndërtuar më 1776), muzeu konsiderohet si një atraksion i madh turistik. Një udhëtim eksplorues dhe emocional përgjatë qindra ndarjeve të çifteve.

Një arush kukull që dikur ka qenë dhuratë dashurie në Ditën e Shën Valentinit, të brendshme që flasin për momentet seksuale të një dashurie të mbaruar, një fustan martese e dështuar, apo një dekor shtëpie që dikur ishte pjesë e jetës së përbashkët, janë dëshmi që rrëfejnë pasionin, romancën dhe zemrat e thyera. “Objektet e këtushme prezentojnë fazat e dashurisë dhe të ndarjes”, thotë Drazen Grubisiq, ideator dhe themelues i muzeut. “Mund të themi se është një muze dashurie, lart e poshtë lidhjeve e ndarjeve ndërmjet relacioneve njerëzore”. Një muze i memorieve, mbledhur nga të gjitha anët, jo vetëm brenda kufirit të shtetit kroat, me ekspoze dhe detaje dhuruar nga donatorë, në të shumtën anonimë. Vizitorët plot kureshtje e shpesh me humor i vështrojnë me kureshtje.

Duke u endur ashtu nëpër rrugë e sheshe, duke parë herë nga afër e herë nga larg, duke dashurashtu siç çdo vizitor që kalon pak ditë në një qytet të vjedhë me sy e emocion sa më shumë që të mundet, në Zagreb, janë detajet ato që të tërheqin vazhdimisht. Copëza dhe relike historie, stolitë e dyerëve, mjeshtër që shesin dekore të vjetra, apo dyqanet e dhuratave dekorative, të cilat dinë të të mbajnë edhe me orë. Kroatët kanë zbukurime të bukura dhe shumë dekore megnetike, në të cilat kanë shënuar thënie të shumta për vetë shpirtin e popullit kroat.

Thënie e rregulla, lokale e universale, të cilat vihen nën objektivin e kamerave të vizitorëve.

Rrugëve e parqeve sikur gjithkah ka diçka që të largon nga realiteti. I tillë është Parku i artit, në zemër të Zagrebit, në mes të rrugës Tomic dhe promenadës Strossmayer. I krijuar me nismën e dy grupeve artistike, parku i artit është kthyer në muze të gjallë në ambient të hapur. Skulptura e piktura të ndryshme që protestojnë për ndryshime sociale, piktorë që krijojnë në natyrë, shikues e artdashës plot, por gjithsesi edhe mundësi që secili nga udhëtarët të bëhet pjesë e muzeut të hapur të artit, të ndalet e të pikturojë për pikën e qejfit.

Mirogoj, krematoriumi monumental

Një nga vendet më të veçanta të Zagrebit është Varreza Qendrore e Mirogoj-it, e ndërtuar në vitin 1876. Varreza e madhe ka qenë e hapur për të gjitha religjionet dhe është shtëpia e prehjes së emrave të njohur të historisë kroate. Krematoriumi i madh duket se i përket një bote të huaj, një të ardhme të huaj, si ato që përfytyrohen nga fantashkenca. Ndërtesat aseptike e gjeometrike, dekori i varreve dhe kapelave, kolonat, skulpturat dhe statujat përreth, bëjnë që vdekja të marrë një bukuri të jashtëzakonshme. Krematoriumi, i cili më pak se një vend varrezash, të jep pamjen e një kryevepre arkitekturore, e cila përpiqet ta fshijë vdekjen, duke e bërë atë vend një hapësirë të përkryer të qetësisë shpirtërore. Mbase, sepse vdekja aty, është menduar të vijë e bukur.

Nga qetësia e parkut Mirogoj ku vdekja “pritet me dashuri”, në qytetin që të ofron shumë dashuri, jeta rrjedh si një lumë. Në kulturën e në shpirtin kroat që herë ka frymëmarrje evropiane e herë shpresëhe e nacionalizmit, qytetërimi skaj Adriatikut sikur ka kapërcuar historinë e vonshme të luftës. Kur flitet për Evropën e Mesme, disa thonë se zemra e saj, ka qenë dhe është Zagrebi. Pavarësisht historisë dhe nacionalizmit që herë-herë [on krye, ai ka një muzikë të gjallë jete, duke të të hapë derën si një zot shtëpie mikpritës.