Vulë hyrëse e aeroportit të Beogradit

Zbatimi i Gjymtuar i Marrëveshjes Ajrore Kosovë-Serbi

Pavarësisht një marrëveshjeje të arritur një vit më parë për t’i lejuar kosovarët të fluturojnë drejt dhe nga aeroporti i Beogradit, mbërritja e këtyre pasagjerëve në kryeqytetin serb është një lojë fati.

Gëzim Krasniqi do të nisej për në Beograd në javën e parë të majit nga Gjeneva, por u bllokua nga kompania ajrore Easyjet, me të cilën kishte prerë biletën, ku i thanë se njerëzit me pasaporta të Kosovës nuk lejoheshin të fluturonin drejt Beogradit.

NDËRLIDHUR

Pavarësisht argumenteve të tij të përsëritura se sipas një marrëveshjeje të shtatorit 2014, kosovarët lejoheshin të fluturonin drejt nga aeroporti i Beogradit ‘Nikola Tesla’, Krasniqi iu ndërrua fluturimi për në Prishtinë.

Krasniqi, i cili jeton në Londër, fluturoi dy herë me sukses në Beograd duke përdorur ID-në e tij kosovare, një herë nga Lubjana dhe një herë nga Podgorica, ku pavarësisht disa pyetjeve dhe vlerësimeve u lejua të fluturojë pa problem. Në orvatjen e tij të tretë nga Gjeneva, fluturimi iu mohua.

“Edhe pse u shpjegova që kisha fluturuar dy herë drejt Beogradit me ID-në time kosovare, ata nuk u bindën”, thotë Krasniqi. “Kompania dukej sikur nuk ishte në dijeni për marrëveshjen e udhëtimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe refuzuan të kontaktojnë aeroportin e Beogradit në kohën e duhur. E kontaktuan aeroportin vetëm pasi nuk mu lejua të hipja në bord dhe valixhja u nxor jashtë pasi kishte kaluar në check-in. Më vonë, menaxheri i kompanisë pretendoi se kurrë nuk kishin pasur një kosovar që fluturonte nga Gjeneva në Beograd”.

Krasniqi humbi një konferencë ku ishte ftuar të merrte pjesë. Të mërkurën, sipërmarrësi kosovar Kushtrim Xhakli do të udhëtonte nga aeroporti i Varshavës drejt Beogradit për të folur në një konferencë për neutralitetin e rrjetit dhe platformat e hapura, por nuk u lejua të hipte në aeroplan nga Polish Airlines.

“Kam mbetur këtu duke humbur gjithë ditën, organizatorët humbën një folës, liria e lëvizjes në shekullin e 21-të humbi shpresën”

“Kam mbetur këtu duke humbur gjithë ditën, organizatorët humbën një folës, liria e lëvizjes në shekullin e 21-të humbi shpresën”, postoi ai në profilin e tij në Facebook.

Më vonë atë e vendosën në një tjetër fluturim për në Frankfurt, ku ai shpresoi se do të ishte në gjendje ta bindte personelin e fluturimit që ta lejonin të udhëtonte drejt Beogradit.

“Ky është makth, do kaloj gjithë ditën aeroporteve”, Xhakili i tha Prishtina Insight.

Në raste të tilla nuk ka rimbursim për fluturimin. Marrëveshja për udhëtimin ajror është pjesë e marrëveshjeve që Kosova dhe Serbia arritën mbi lirinë e lëvizjes. Në 16 shtator 2014, përfaqësues nga Beogradi dhe Prishtina ranë dakord në Bruksel që mbajtësit e ID-ve të Kosovës mund të kalonin tranzit mes aeroporteve të Beogradit dhe Nishit.

Varet nga aeroporti dhe kompania e fluturimit, shpjegon zyrtari kosovar i ndërlidhjes në Serbi, Valdet Sadiku. Sadiku e ka përfaqësuar Kosovën në Beograd për më shumë se dy vjet e gjysmë, por thotë se fluturimi në Beograd pasi ka marrë pjesë në takime në Bruksel apo Vjenë është çështje fati.

“Varet nga aeroporti në aeroport, por nga Brukseli është pothuajse e pamundur”

“Varet nga aeroporti në aeroport”, thotë Sadiku, i cili mban pozicionin e tij në Beograd që nga vera e vitit 2013, “por nga Brukseli është pothuajse e pamundur”.

Sadiku thotë se shpesh u duhet t’i marrë me të mira punonjësit e linjave ajrore që ta jejojnë të fluturojë në një destinacion të ndërmjetëm, ku do t’i duhet sërish të bindë kompaninë e fluturimeve që i lejohet të mbërrijë në Beograd.

Pasagjerë të tjerë kanë raportuar se kanë fluturuar pa incidente. Krenar Gashi, i cili po kryen studimet e doktoratës në Belgjikë, ka fluturuar tre herë drejt Beogradit nga Brukseli pa hasur probleme.

Gashi tha se megjithëse kishte duruar leksione nga policia “që predikonin sesi duhet të pajisesha me dokumente të Serbisë duke qenë se ishte e mundur dhe se do ma lehtësonte udhëtimin; i njëjti diskutim me të njëjtën dozë përbuzjeje që më ndodhte kur udhëtoja në Serbi në të shkuarën me dokumente dhe leje të posaçme të UNMIK-ut”, megjithëse kurrë nuk i ishte ndaluar hyrja.

Studiuesi kosovar Shend Kursani, një herë u lejua të fluturojë drejt Beogradit nga Firence dhe një herë tjetër u ndalua

Shpend Kursani, një studiues që po punon me doktoratën e tij në Firence, pati sukses kur tentoi të fluturonte për herë të parë nga Roma në Beograd me kompaninë AlItalia.

“Më 27 shtator 2015 mora një fluturim nga Firence në Beograd përmes Romës”, Kursani tha për Prishtina Insight. “Në aeroportin Nikola Tesla nuk pata probleme, përveç se m’u desh të prisja më gjatë derisa polici i shkretë i kufirit shkoi të gjente dokumentin e lëshuar për qytetarët e Kosovës që hyjnë në Serbi”. Fluturimi i kthimit nga Serbia në Firence përmes Romës shkoi pa probleme.

Në më pak se një muaj më vonë, më 19 nëntor, ai deshi të bënte të njëjtin udhëtim: “Do merrja ekzaktësisht të njëjtën rrugë një muaj më vonë, me të njëjtën kompani ajrore, dhe në fakt edhe përmes të njëjtit kalim [gate]”, tha ai. Arriti të kalojë në check-in, por u bllokua kur deshi të kalonte për të hyrë në aeroplan.

“Punonjësit e kompanisë shprehën keqardhje për faktin që kompjuterët e tyre tregonin se pasaportave të Kosovës u ndalohej kalimi; ndaj më kthyen mbrapsht. U mundova t’u shpjegoja se kishte një marrëveshje dypalëshe që u lejonte hyrjen në Serbi qytetarëve të Kosovës me kartelë identiteti, por pa rezultat. Më kërkoi t’i tregoj ID-në dhe kur e pa që ishte e Kosovës, tha ‘më vjen keq, nuk mund të shkosh me këtë’”.

Kursani tha se kishte humbur aq shumë kohë dhe para se nuk do ta provonte përsëri.

“Nuk jam përpjekur të fluturoj atje prej atëherë, dhe nuk mendoj se do të rrezikoj përsëri. Pse të rrezikoj kur ndodhi një herë. Shumë e rrezikshme për të humbur para”.

Autoritetet e Kosovës thanë se që nga Marsi 2015 marrëveshja ka qenë funksionale por me vështirësi në zbatim. Sipas Sadikut, nuk ka pasur ankesa nga Kosovarët që kanë dashur të fluturojnë nga Beogradi, por vetëm me ata që donin të mbërrinin atje.

Mbetet e paqartë nëse Kosova, Serbia dhe/apo institucionet e BE-së kanë lëshuar ndonjë dokument që mund t’u kalohet kompanive të fluturimit në mënyrë që të përmirësohet udhëtimi. Pyetjet e drejtuara Shërbimit të Jashtëm të BE-së dhe qeverisë së Kosovës mbi këtë çështje, nuk morën përgjigje.

“Nëse dikush i sheh ato marrëveshje, që ngjajnë si detyra të klasës së dytë fillore, askush nuk do t’i marrë seriozisht”

“Qeveria e Kosovës duhet t’i japë drejtim kësaj pune, dhe të përdorin ‘diplomacinë dixhitale’, të cilën ata e trajtojnë si lodër personale”, tha Kursani. “Duhet të jenë më proaktivë që të informojnë jo vetëm kompanitë e fluturimeve, por edhe shtetet, korporatat etj. Mbi marrëveshjet që po nënshkruajnë me Serbinë. Në fakt, nëse dikush i sheh ato marrëveshje, që ngjajnë si detyra të klasës së dytë fillore, askush nuk do t’i marrë seriozisht. Bor besoj se vlen të mundohen”.

 

Gëzim Krasniqi dhe Shpend Kursani janë kolumnistë për Prishtina Insight. A keni pasur edhe ju përvoja të ngjashme? Na dërgoni ndodhinë tuaj në editor@prishtinainisght.com.

19 Maj 2016 - 12:06

Valerie Hopkins 19/05/2016 - 12:06
NDËRVEPRIMI32

Zbatimi i Gjymtuar i Marrëveshjes Ajrore Kosovë-Serbi

by Valerie Hopkins
NA NDIQNI