Xhymshiti Sërish Punë me Gjyqësi

Fotoreporteri kosovar, Vedat Xhymshiti, është i bindur se është vënë në shënjestër të forcave të rendit dhe të gjyqësorit, për shkak të punës së tij si gazetar.

Pas sulmit nga një polic special në protestat e 14 janarit, të organizuar nga Lëvizja”Vetëvendosje”, atij tashmë i është “ringjallur” edhe një padi e vjetër gjyqësore.

Xhymshiti, nëpërmes një komunikate shpërndarë mediave, ka bërë të ditur se të enjten, në shtëpinë e tij në Bresalc të Gjilanit, është paraqitur një njësi e policisë, me një urdhër-arrest, me arsyetimin për të konfirmuar një aktakuzë të vjetër.

Ai konsideron se “qartazi, ky është një proces i presionit i dirigjuar nga politika e vendit”.
 
Por pas rreth 10 kilometrash rrugë, gjyqtares Elmaze Fazliu, i bie ndërmend se po binte borë dhe se është vështirë të udhëtohet. “Për shkaqe të sigurisë në komunikacion, mos ma sillni sot të pandehurin, se moti shumë i keq”, iu kishte thënë gjyqtarja, Policisë së Kosovës njësitit të urdhëresave të stacionit regjional të Gjilanit.
 
“Ne morëm një kthim në rrugë dhe në hyrje të Gjilanit po na priste një patrullë tjetër e Policisë, për të cilën ishte përgjegjës Raif Bajrami, i cili është edhe zyrtar i njësitit të ‘Standardeve Profesionale’ të PK-së, i cili më thotë: ‘Në rastin tjetër ne ta sjellim njoftimin një ditë përpara edhe ti shkon vetë shoq, se na nuk kemi llogari me të bajtë ty, se gjykata ka thënë me të sjell me dhunë në gjykatë”, thotë Xhymshiti.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Brahim Sadriu, i tha Gazetës Jeta në Kosovë, se policia në Komunën e Gjilanit, të enjten vetëm ka kryer një urdhëresë të gjykatës, për marrjen me dhunë të Xhymshitit, për shkak të një rasti të ndodhur në 2006.

“Personi në fjalë ka penguar në kryerjen e detyrës zyrtare, në vitin 2006, dhe nuk është paraqitur për rastin në gjykatë. Policia ka për detyrë, se në raste kur personat nuk paraqiten në gjykatë, të shkojë e t’i marrë me dhunë”, tha Sadriu.

Fotoreporteri i pavarur Xhymshiti, në biografinë e të cilit shkruan se ka punuar mes tjerash për media prestigjioze ndërkombëtare, si Daily Telegraph, New York Times, Der Spiegel, Bloomberg News, për shumë kosovarë u bë i njohur kur në protestën e Vetëvendosjes, u godit nga një polic, me tërë fuqinë. Skena, përfshirë alivanosjen e tij, u transmetua në televizionet kosovare.

Ai e ka quajtur këtë sulm “tentimvrasje të qëllimshme dhe me paramendim”.

Zëdhënësi Sadriu tha se nuk ka njohuri nëse ndonjë polic është duke u hetuar për këtë skenë të dhunshme, e cila u pa edhe në televizion. “Lidhur me rastin e 14 janarit, nuk e di nëse Xhymshit ka bërë padi në policinë e komunës së Gjilanit, apo këto janë vetëm fjalë të lëshuara në ‘hava’”, u shpreh ai.

Por, Xhymshiti thotë se ka pasur edhe më herët kërcënime dhe presione në lidhje me punën që bën.  Ai thotë se më 11 mars të vitit të kaluar kishte marrë një thirrje anonime në telefon, për një vrasje që është duke e hulumtuar. Një thirrje tjetër dyshon se e ka marrë lidhur me një tjetër raportim, që ishte duke e kryer, me ç’rast përmend edhe ministrin e Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi.

Të dyja këto thirrje telefonike Xhymshit nuk i kishte paraqitur, me arsyetimin se edhe sikur t’i paraqiste, asgjë nuk do të zgjidhej. “Unë besoj që këto kërcënime anonime janë nën kontroll të shtetit”.

Përmes këtij njoftimi ai ka kërkuar nga institucionet relevante, mbrojtjen dhe lirin e gazetarëve dhe fjalës së lirë në Kosovë, duke i njoftuar edhe organizatat me renome ndërkombëtare si Reporterët Pa Kufij, Federata Evropiane e Gazetarëve, si dhe Komitetin për Mbrojtjen e Gazetarëve.

Ndërsa ka thënë se punën e tij prej gazetari, do të vazhdojë ta kryejë, sikurse deri më tani.