Ish-Imami Zekerija Qazimi, tashmë i shpallur fajtor për terrorizëm gjatë një ligjërate kundër 'kufarëve' | Foto: YouTube

Xhihadi i Imam Qazimit

Ndoshta për shkak se janë rreth 2500 kilometra distancë në mes të Sirisë dhe Kosovës, deri pak vite më parë, pakkujt ka mundur t’i shkojë mendja se konflikti që po zhvillohet në territorin e Sirisë dhe Irakut, do të mund të kishte ndonjë ndikim në Kosovë

Por diçka e tillë u bë e qartë në vitet 2013-2014, kur sipas autoriteteve të Kosovës, rreth 300 kosovarë lëshuan vendin, të motivuar dhe frymëzuar nga pikëpamje fetare, e disa nga ta pretendojnë edhe humanitare, dhe ia mësynë fushëbetejave të Sirisë.

Pikërisht për frymëzimin dhe rekrutimin e disa të rinjve të Kosovës, ish-imami i xhamisë El-Kudus në Gjilan, e i shkolluar në Kajro të Egjiptit, Zekerja Qazimi, po akuzohet nga prokuroria Speciale e Kosovës.

“Mjafton të shikohen emrat e atyre që kanë shkuar në Siri për të konkluduar se Zekerja Qazimi kishte sukses”

“Mjafton të shikohen emrat e atyre që kanë shkuar në Siri për të konkluduar se Zekerja Qazimi kishte sukses”, vlerësoi prokurori special Elez Blakaj në fjalën e tij përfundimtare në gjyqin e Qazimit.

Përpos rekrutimit për terrorizëm, imami akuzohet se me deklaratat e tij ka bërë nxitje të urrejtjes ose mosdurimit fetar.

Prokurori Blakaj tha se ka prova që argumentojnë se ka rekrutuar të rinj kosovarë që shkuan në Siri, e disa prej tyre siç është rasti i Patriot Matoshit që u vra atje.

Krejt ndryshe nga prokurori, avokati i Qazimit tha se edhe vetë dëshmitarët e procesit kanë treguar se Qazimi nuk e frymëzoi askënd për të shkuar në Siri.

“Po ta shihja si obligim shkuarjen në Siri do të isha në Mosul apo në Raka” 

Qazimi vetë thotë se “po ta shihja si obligim shkuarjen në Siri do të isha në Mosul apo në Raka”.

Prokuroria pretendon se së bashku me Qazimin vepra që ndërlidhen me terrorizmin kryen edhe gjashtë të akuzuarit tjerë, Ilir Berisha, Sadat Topojani, Burim Ballazhi, Jetmir Kyqyku, Liridon Kabashi dhe Ilir Krraba.

http://kallxo.com/prokurori-zeqirja-qazimi-pati-sukses/

Ligjërime frymëzuese dhe ndërrim komande

Sipas Prokurorisë Speciale të Kosovës, që nga fillimi i luftës në Siri në vitin 2011, Qazimi ka filluar të mbaj ligjërata fetare në organizatën “Rinia Islamike”, në Kacanik. Rëndësia e xhihadit ishte kryefjala e këtyre ligjëratave, duke e krahasuar një orë luftimi me 30 orë ibadet.

Sipas prokurorisë, ligjërata nga Qazimi u mbajtën edhe në Gjilan e Han të Elezit, dhe në to u fol për ‘tokën e shenjtë të Shamit’ si dhe rëndësinë e bashkëngjitjes në ISIS dhe Jabbat AL-Nusra.

Sipas aktakuzës, në këto ligjërata morën pjesë Lavdrim Muhaxheri, Hetem Dema, Kjani Mjaku, Sadat Topojani, Jetmir Kyqyku, Shefki Koraqi, Jetmir Bruti,Ylber dhe Fevzi Bela, Agron dhe Adnan Fuga, Amir Bruti, Arbnor Rraka, Amir Bruti, Boletin Shala, Burim Ballazhi, Emri Bushi, Adil Bushi, Ridvan Aqifi dhe Patriot Matoshi.

Përpos rekrutimit në terrorizëm, Qazimi akuzohet edhe për nxitje të urrejtjes

Aktakuza e ngarkon Qazimin se u ka dhënë instruksione, udhëzime dhe të holla atyre që kanë shkuar për të luftuar në Siri, ndërsa në muajin qershor 2014, sipas prokurorisë, Qazimi ka marrë vendim që udhëheqësi i shqiptarëve më Siri të jetë Ridvan Aqifi në vend të Lavdrim Muhaxherit.

Qazimi përpos rekrutimit në terrorizëm akuzohet edhe për veprën penale të nxitjes së urrejtjes. Prokuroria atë e ngarkon se si imam i xhamisë EL-Kudus në Gjilan, publikisht ka nxitur dhe përhapur urrejtje fetare në atë mënyrë që me anë të një incizimi të postuar në YouTube në vitin 2013, ka thënë “Gjaku i kufarëve është pija më e mirë për ne”.

Qazimi në anën tjetër ka përgjigje interesante për këtë thënie. Ai në fjalën përfundimtare tha se gjaku nuk është i lejuar të pihet sipas fesë.

“Pretendimi i prokurorisë se personi duhet të mbytet për t’iu pirë gjaku është i ulët, sepse personi vetëm mund të plagoset, apo t’i blihen 200 gram gjak. Megjithatë, pirja e gjakut është e ndaluar dhe haram”, tha Qazimi.

Qazimi gjithashtu mohoi të ketë ndërruar komandën e shqiptarëve që luftojnë në Siri.

“As ushtarakisht e as fetarisht nuk është e mundur kjo, sepse një person që nuk merr pjesë në luftë me trupin e tij, nuk ka kurrfarë të drejte mbi atë luftë”, tha Qazimi.

Ish-imami mohoi të jetë përkrahës i ISIS apo Al-Nusra, duke thënë se fenë nuk e ka të lidhur me ta, sepse islami ka qenë para tyre dhe do të jetë edhe kur këto organizata nuk do të jenë.

Qazimi gjatë dhënies së dëshmisë së tij në gjykim kishte folur edhe për Lavdrim Muhaxherin dhe Ridvan Aqifin.

“Lavdrimin [Muhaxheri] e kam njohur si një djalë të qetë dhe të sjellshëm”

“Lavdrimin e kam njohur si një djalë të qetë dhe të sjellshëm”, kishte thënë Qazimi për Lavdrim Muhaxherin, shqiptarin më të njohur që lufton në Siri.

Qazimi tha për Muhaxherin se është sikur të jenë dy persona, njëri nga ai që e kishte njohur dhe tjetri ai që duket në televizon.

Ndërsa për Ridvan Aqifin, që u bë i njohur me videon e tij kërcënuese tha “Hoxhën e nderuar Ridvan e njoh si medresant”.

Qazimi para ligjit

Prokurori special Elez Blakaj në fjalën e tij përfundimtare kërkoi dënimin e Qazimit dhe të tjerëve ashtu siç e parasheh ligji.

Kodi Penal i Kosovës, parasheh se për veprën penale të rekrutimit në terrorizëm, dënimin prej 5 deri në 15 vite burgim.

Zekerja Qazmi ishte arrestuar më 14 gusht 2014, ndërsa të akuzuarit e tjerë ishin arrestuar në qershor 2014.

Sipas deklaratave të policisë në atë kohë, Qazimi ishte ndaluar kur ndodhej i fshehur në një pyll jo shumë larg shtëpisë së tij – çka ngre pikëpyetje se çfarë kërkonte Qazimi në pyll kur policia po e kërkonte.

Sipas autoriteteve të Kosovës, rreth 300 kosovarë shkuan në Siri në vitet 2013-2014

Në procesin e zhvilluar pranë Gjykatës Themelore në Ferizaj, fajësinë për veprat që ju vihen në barrë e kanë pranuar deri më tani, Ilir Berisha, Burim Ballazhi dhe Liridon Kabashi, ndërsa Zekerja Qazimi, Sadat Topojani, Ilir Krraba dhe Jetmir Kyqyku nuk e kanë pranuar.

Në procesin gjyqësor të mbajtur në Gjykatën e Ferizajt kanë dëshmuar dhjetëra dëshmitarë, ndër ta edhe prindër të atyre që kanë shkuar në Siri, ekspertë fetarë, hetues policorë që kanë dhënë dëshmitë e tyre për këtë rast, ku disa seanca ja mbajtur të mbyllura duke përjashtuar publikun.

Gjykimi i Qazimit dhe të tjerëve, dy vite pas arrestimit do të ketë epilogun e tij, e së bashku me të do të përmbyllet edhe njëri nga rastet më të mëdha që ndërlidhen me terrorizmin në Kosovë.

Disa video të ligjëratave të ish-imamit, ku ai flet për xhihadin mund të gjenden ende në YouYube.

Madje në njërën prej tyre,  ku ai promovon armiqësinë e myslimanëve me jo-myslimanët, është vendosur edhe një logo e cila është identike me flamurin e ISIS-it, nga ‘Radio Realiteti’, që ka ngritur videon në YouTube.

Uebfaqja radio-realiteti.com, e cekur në kanalin ‘Xhihadi Therret’, ku bën pjesë edhe video në fjalë, nuk punon më.

Kosova është me gjasa vendi me numrin më të lartë në Europë të aktakuzave që lidhen me terrorizmin, me afër 120 arrestime dhe gati 60 individë që po gjykohen për krime që përfshijnë: rekrutim për terrorizëm, lehtësim dhe mbështetje të veprave terroriste, organizim dhe pjesëmarrje në organizata terroriste dhe armëmbajtje pa leje.

Rreth 40 nga këta të dyshuar akuzohen se u janë bashkuar ISIS-it dhe Al Nusra në Siri dhe Irak gjatë viteve 2013 dhe 2014.

Deri më tani, rreth 15 kosovarë janë shpallur fajtorë dhe kanë marrë dënime të ndryshme për vepra që lidhen me terrorizmin.