Vulin: Ata Nuk Ishin Njerëz

Zëvendëskryeministri serb Aleksandar Vuçiq që bashkë me ministrin e mbrojtjes Nebojsha Rodiq-in dhe ministrin pa portofol Aleksandar Vulin-in po qëndron në Kosovë për krishtlindjet ortodokse, u tha serbëve kosovarë në Graçanicë se shteti serb do të jetë gjithmonë me ta, në përpjekjen për t’ua përmirësuar jetën.

Porosi të ngjashme serbëve të Kosovës u dërgoi nga Beogradi edhe kryetari i Serbisë Tomislav Nikoliq.

“Ne kurrë nuk do t’ju braktisim, ne kurrë nuk do t’ju tradhtojmë”, tha mes tjerash Nikoliq, në porosinë e krishtlindjeve, të publikuar të hënën.

Por zyrtarët serbë të ardhur në Kosovë, megjithëse folën për paqe e dialog, nuk harruan incidentet e djeshme në Gjakovë, kur rreth 70 pelegrinë serbë, u penguan nga familjarët e viktimave të luftës, për të kryer ritualet fetare në kishën ortodokse të këtij qyteti.

Policia e Kosovës, në një komunikatë të lëshuar pasditen e së hënës tha se asnjëri nga pelegrinët nuk është lënduar në Gjakovë, ndërsa ata me përcjellje të forcave të rendit janë dërguar të sigurt në manastirin e Deçanit.

“Sot pozita e popullit serb nuk është e lehtë, nga secila tabelë me mbishkrime cirilike që shkatërrohet në Vukovar… dhe gjuajtja e mbrëmshme me gurë e autobusit dhe urrejtja histerike të cilën keni mundur ta shihni në Gjakovë”, tha Vuçiq, kur iu drejtua gazetarëve pas lutjeve fetare në Graçanicë, të martën.

Edhe më ashpër u shpreh për incidentet e djeshme, kreu i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Aleksandar Vulin, kur foli për televizionin publik serb RTS.

“Ndoshta ishin shqiptarë. Nuk e di. Në çfarëdo rasti ata nuk ishin njerëz”, tha Vulin, kur u pyet për gjakovarët protestues.

Në Gjakovë nga lufta e viteve 1998-1999 ende 14 vjet më pas figurojnë si të pagjetur mbi 60 njerëz, ndërsa janë vrarë më shumë se 1200 banorë të kësaj komune.

Megjithatë, Vulin shtoi se gjithmonë në Kosovë vjen me porosi paqeje, derisa Vuçiq kërkoi vetëpërmbajtje nga serbët, jo ngase sipas tij ky popull është i dobët, por për arsye se është i fortë.

06 01 2014- 20:33

Qetësohet Gjakova-Pelegrinët Shkojnë në Deçan

Pelegrinët serbë të ardhur me dy autobusë nga Serbia për të kremtuar krishtlindjet ortodokse në kishën e qytetit të Gjakovës, janë kthyer prapa pa kryer ritualet, pasi nuk mundën të kalojnë nëpër protestuesit shqiptarë, kryesisht familjarë të viktimave të luftës, për të hyrë në objektin e kultit. Vizitën në Gjakovë për këtë festë fetare e pati paralajmëruar edhe kreu i Zyrës serbe për Kosovën në Qeverinë e Serbisë Aleksandar Vulin, por autoritetet kosovare nuk e lejuan të shkojë në këtë qytet. Kundër vizitës së tij  reagoi edhe kryetarja e Gjakovës Mimoza-Kusari-Lila.  Por Vulin-i e ka lejen të shkojë sot e nesër në Pejë, Mitrovicë e Graçanicë.

Protestuesit e mbledhur afër objektit të kishës ortodokse në Gjakovë janë shpërndarë të qetë, pasi nuk kanë lejuar hyrjen në këtë tempull fetar të pelegrinëve të ardhur nga Serbia, për të festuar krishtlindjet dhe kryer ritualet e kësaj feste.

Këtë e konfirmoi për Gazetën Jeta në Kosovë, Nysrete Kumnova, drejtuesja e “Thirrjeve të nënave”, njëra nga protestueset.

“Rruga është bllokuar dhe si rezultat i kësaj serbët janë kthyer mbrapa, kurse ne e kemi realizuar qëllimin tonë”, tha ajo.

Dy autobusë me pelegrinë serbë të ardhur nga Serbia, të hënën deshën të kryejnë ritualet e krishtlindjeve ortodokse në Gjakovë, por u bllokuan nga protestues shqiptarë, kryesisht familjarë të viktimave dhe të pagjeturve gjatë luftës.

“Me të ardhur serbët afër kishës, dy qytetarë i kanë vënë makinat e tyre në mes të rrugës për të mos i lejuar serbët të futen në kishë”, shpjegoi situatën e krijuar Kumnova.

Të njëjtat zhvillime i konfirmoi edhe Ali Tafarshiku, nga zyra e kryetares së komunës së Gjakovës.

“Protestuesit ishin të vendosur që të mos i lejonin serbët të futen në kishë dhe ndoshta kjo është arsyeja që forcat e policisë së Kosovës nuk kanë mundur t’i shpërndajnë protestuesit”, tha Tafarshiku për Gazetën Jeta në Kosovë.

Policia rajonale e Pejës, nëpërmjet një komunikate të lëshuar pasditen e së hënës, shpjegoi situatën e krijuar në këtë qytet të Rrafshit të Dukagjinit.

Sipas mbrojtësve të rendit e ligjit, rreth 70 pelegrinë serbë të ardhur me dy autobusë në rrugën “Mbretëresha Teutë”, u penguan që t’i afrohen manastirit, pasi një qytetar gjakovar bllokoi rrugën me makinën e tij.

Sipas komunikatës së policisë ai person është arrestuar, por më pas nga të gjitha rrugët e Gjakovës kanë vërshuar qytetarë me qëllimin e pengimit të mbajtjes së ceremonive fetare nga serbët në kishë.

Policia gjatë protestës | Foto: Facebook

Policia dhe drejtuesit e pelegrinazhit, gjithnjë sipas komunikatës, në një moment kanë vlerësuar se në kushte të tilla më mirë është të mos mbahen lutjet fetare.

Nën përcjelljen e policisë, pelegrinët pastaj janë dërguar të sigurt drejt manastirit të Deçanit, për të kryer lutjet, të cilat mendonin t’i bënin edhe në Gjakovë.

Policia thotë se asnjë pelegrin nuk është lënduar gjatë pengimit të tyre për të shkuar në kishën e Gjakovës.

Vulin nëpërmjet Zyrës së BE-së në Kosovë kishte kërkuar lejim të vizitës së tij në Mitrovicë, Gjakovë, Pejë e Graçanicë, më 6 e 7 janar, në kohën kur kremtohen krishtlindjet ortodokse.

“Pas 15 vjetësh, është hera e parë që do të ndizet dushku në manastirin e Bogorodicës në Gjakovë, në qytetin që dikur ishin rreth 12 mijë serbë, kurse tash janë vetëm katër murgesha serbe”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Vulin-it.

Ndezja e dushkut është një ritual i cili lidhet me kohën e lindjes së Krishtit, kur njerëzit ndezën degë me dushk, për ta ngrohur foshnjën që më vonë do të bëhej profet.

Paralajmërimit të Vulinit për vizitë në kishën e Gjakovës, iu kundërvu nëpërmjet një letre të hapur në faqen e saj të Facebook-ut, Mimoza Kusari-Lila, të dielën.

“Ende pa shkelur këmba juaj në territorin e Komunës së Gjakovës deklaroni se në Gjakovë kanë jetuar 12 mijë serbë dhe më nuk janë. Në Gjakovë kurrë nuk kanë jetuar 12 mijë serbë, me siguri as 10 mijë nuk kanë qenë. Ata serbë nuk kanë ikur nga shqiptarët, por nga krimet e bashkëkombësve të vet”, thuhet në letrën e kryetares.

Ajo u shpreh kundër vizitës së Vulin-it për arsye se siç shkroi Kusari-Lila, para se zyrtari serb të vijë në Gjakovë, duhet të kërkojë falje për krimet e kryera gjatë luftës.

E para e Gjakovës porositi Vulin-in se nëse dëshiron të nderojë të vdekurit gjakovarë, duhet ta ketë një kamion kurora me vete.

Nga ana tjetër, në komunikatën për media, të lëshuar të hënën nga Ministria e Brendshme thuhet se ministri Rexhepi e ka refuzuar kërkesën e Aleksandar Vulin-it për të vizituar komunën e Gjakovës.

“Me qëllim të sqarimit te opinionit lidhur me kërkesën e z. Aleksander Vulin për të vizituar Republikën e Kosovës, përkatësisht komunat e Pejës, Gjakovës, Mitrovicës dhe Graçanicës, dëshirojmë të ju informojmë se Ministri i Punëve të Brendshme, z. Bajram Rexhepi, më datë 3 janar 2014 ka marrë vendim për të refuzuar vizitën e z.Vulin në komunën e Gjakovës, e paraparë për datë 6 dhe 7 janar 2014”, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Brendshme.

Ministria më tutje siguron banorët e Kosovës se çdo vendim për lejimin ose moslejimin e vizitave të tilla e merr në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe me interesat e qytetarëve të vendit.
 
Vulin që aktualisht po qëndron në Graçanicë, ndalimin për ta vizituar Gjakovën, e komentoi politikisht.

Sipas medieve serbe, ai u tha gazetarëve se në Kosovë ka diskriminim ndaj serbëve.

“Në ditën e sotme u tregua se për serbët apartejdi ende mbretëron në këto hapësira”, tha Vulin në Graçanicë.

Bllokimi i rrugës | Foto: Facebook