Vrasja e Ivanoviqit Vë në Dyshim Dialogun

Pas vrasjes brutale të politikanit serb të Kosovës Oliver Ivanoviq, analistët nga Serbia dhe Kosova frikësohen për të ardhmen e dialogut të udhëhequr nga BE, i cili tashmë ishte në telashe.

Serbia ka pezulluar dialogun e udhëhequr nga BE me Kosovën derisa të gjenden vrasësit e politikanit të vrarë serb të Kosovës, Oliver Ivanoviq.

Ndërkohë, analistët nga Serbia dhe Kosova po paralajmërojnë se e ardhmja e dialogut tani duket shumë e pasigurt, pavarësisht presionit të BE-së për të rifilluar bisedimet midis Serbisë dhe Kosovës.

Zëdhënësja e BE, Maja Kocijancic tha për BIRN se vrasja e së martës në Mitrovicë, në Kosovën e Veriut, ishte e keqe, por shtoi se hetimet për të identifikuar autorët ishin në zhvillim e sipër.

Ajo konfirmoi se takimet teknike të kësaj jave janë pezulluar për t’u lejuar të dy palëve të përqendrohen në hetimin e ngjarjes tragjike.

“BE po punon me të dy palët për rifillimin e këtyre takimeve sa më shpejtë që të jetë e mundur. Zbatimi i plotë i marrëveshjeve të arritura në dialog janë detyrime që të dyja palët morën dhe të cilat përcaktojnë shpejtësinë e përparimeve të tyre në rrugën e BE”, theksoi Kocijancic.

Kreu i Zyrës së Qeverisë së Serbisë për Kosovën, Marko Gjuriq, pasi delegacioni serb vendosi të mos marrë pjesë në takimin me Prishtinën në Bruksel të martën, tha për mediat se Beogradi po e pezullonte dialogun deri në gjetjen e vrasësve të Ivanoviqit.

Por disa politikanë në Kosovë thonë se ky është vetëm një justifikim. Kreu i grupit parlamentar partisë së Kryeministrit Haradinaj, Ahmet Isufi, tha se kjo nuk ishte hera e parë që Serbia kishte ndërprerë papritmas dialogun.

“Kjo është mënyra e sjelljes së shtetit serb”, ​​tha ai, duke shtuar se “përfaqësuesit e tanishëm të shtetit serb po sillen në të njëjtën mënyrë [si ish-udhëheqësi serb Sllobodan Millosheviq]”.

Milan Antonijeviq, nga Komiteti i Avokatëve për të Drejtat e Njeriut me qendër në Beograd, YUCOM, tha për BIRN se do të ishte gabim që dialogu të ndalet si rezultat i një vrasjeje. “Unë nuk mendoj se një vrasje politike duhet të vendosë për të ardhmen e dialogut”, shtoi ai.

Së bashku me shtatë OJQ të tjera serbe dhe kosovare, YUCOM ka krijuar grupin joformal për të mbështetur bisedimet e drejtuara nga Brukseli midis dy vendeve.

“Vendimi i Serbisë për të pezulluar dialogun është i kuptueshëm, por është gjithashtu impulsiv”, shtoi Antonijeviq.

Ai nënvizoi se ndërkohë që është e rëndësishme gjetja e vrasësve të Ivanoviqit, kjo nuk duhet të lidhet me dialogun.

“Meqë është e mundur që përgjegjësia për vrasjen të gjendet në të dy anët e lumit Ibër [që ndan Mitrovicën në pjesët serbe dhe shqiptare], nuk mendoj se Serbia duhet të bllokojë atë që është bërë deri tani [në dialog]”, vuri në dukje Antonijeviq.

Ivanoviq u qëllua për vdekje të martën para zyrës së partisë së tij në Mitrovicë. Ai ishte një nga udhëheqësit politikë më të njohur serbë në Kosovë dhe ishte kreu i partisë Liri, Demokraci dhe Drejtësi.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka folur me homologun e tij të Kosovës, Hashim Thaçi, tha zyra e Vuçiqit të mërkurën në mbrëmje.

“Presidenti Vuçiq i kërkoi edhe një herë Thaçit që të pranojë përfshirjen e organeve shtetërore serbe në kryerjen e një hetimi për vrasjen e Ivanoviqit, me qëllim që ta zgjidhë këtë krim të tmerrshëm në kohën më të shkurtër të mundshme”, thuhet në njoftimin për shtyp.

Në një deklaratë të lëshuar nga Thaçi në Facebook thuhet se autoritetet përgjegjëse po kryejnë hetime intensive dhe se të dy presidentët kanë rënë dakord të japin kohë të mjaftueshme për organet kompetente që të bëjnë punën e tyre në mënyrë profesionale dhe të pavarur.

“Presidenti Thaçi theksoi gjithashtu se autoritetet kompetente të Republikës së Kosovës janë të gatshme të bashkëpunojnë dhe të pranojnë çdo ndihmë që mund të çojë në hedhjen e dritës mbi këtë vrasje në përputhje me legjislacionin në fuqi”, thuhet në deklaratë.

Dusan Janjiq, drejtor i Forumit për Marrëdhënie Multietnike me qendër në Beograd, tha për televizionin N1 të mërkurën se gjithashtu shpresonte se pasojat e vrasjes së Ivanoviqit, siç është ndërprerja e dialogut, do të jenë të përkohshme.

Ai shtoi se presidenti serb Vuçiq kishte dështuar “në provimin e parë” duke e pezulluar dialogun.

“Kriza është e garantuar. Beogradi nuk e ka kaluar provimin e parë, duke lënë negociatat teknike në Bruksel”, tha ai.

Avni Arifi, i cili kryeson delegacionin e Kosovës në bisedime, i bëri thirrje Serbisë që të kthehet shpejt në negociata.

“Nuk ka alternativë për dialogun”, tha Arifi për Klan Kosova, njoftoi Associated Press më 16 janar.

Kryeredaktori i gazetës kosovare “Koha Ditore”, Agron Bajrami, i tha gazetës së përditshme të Serbisë “Danas” se vrasja e Ivanoviqit do të kishte një “ndikim të thellë në situatën politike”.

Jeta Krasniqi, nga organizata joqeveritare “Instituti Demokratik i Kosovës” (KDI), tha se megjithatë vrasja nuk duhet të ndikojë në dialogun Kosovë-Serbi në asnjë mënyrë.

“Kjo është një vepër penale që ndodhi në veri të Kosovës dhe duhet të zgjidhet nga organet e drejtësisë së Kosovës. Një akt i tillë nuk duhet të përdoret në politikën e përditshme … Beogradi duhet të marrë seriozisht detyrimet e veta”, tha Krasniqi për BIRN.

Sipas saj, dialogu i udhëhequr nga BE është mekanizmi i vetëm për të zgjidhur çështjet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, “kështu që çdo përpjekje për t’u kthyer prapa në këtë proces do të minojë përpjekjet për stabilitet dhe paqe në të gjithë rajonin”.

Krasniqi shtoi se BE duhet t’u kërkojë të dyja palëve që “të provojnë seriozitetin e tyre rreth dialogut, si garantues të këtyre bisedimeve, duke kushtëzuar palët që nuk përmbushin detyrimet e tyre drejt rrugës së tyre të BE”.

Një studim i publikuar në shkurt të vitit 2017 nga “Qendra e Beogradit për Politikë të Sigurisë” sugjeroi se shumica e njerëzve në Serbi mbështesin dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja në Beograd, duke synuar normalizimin e marrëdhënieve, me vetëm 9 për qind të të anketuarve kundër saj.

Kosova, shumica e banorëve të së cilës janë shqiptarë, u nda nga Serbia në luftën e armatosur në vitet 1990. Ajo shpalli pavarësinë në vitin 2008.

Shumica e vendeve perëndimore e kanë njohur atë, por Serbia nuk është zotuar të bëjë të njëjtën gjë. Megjithatë, të dy vendet, si çmim për integrimin në BE, kanë marrë pjesë në bisedimet e udhëhequra nga BE mbi “normalizimin” e marrëdhënieve të tyre.