Vrasja e Ivanoviqit, Dështim Për Gjithë Kosovën

Vrasja e politikanit serb të Kosovës Oliver Ivanoviq në Mitrovicë të martën është një lajm tronditës. Ndërkohë që komplotet e zakonshme të Ballkanit mbi vdekjen e tij dalin në publik, ekzekutimi i stilit mafioz të një njeriu që konsiderohej gjerësisht si një politikan i moderuar është padyshim një dështim i mjerë  për të gjithë aktorët e përfshirë në politikën kosovare. Dhe ata s’janë pak.

Ivanoviqi ishte polemik. Ai u shpall fajtor për vdekjen e një sërë shqiptarësh të Kosovës në Mitrovicë gjatë dhe pas luftës në Kosovë. Ai ka qenë anëtar i parlamentit të Kosovës, por më pas i bojkotoi institucionet e Kosovës dhe shërbeu si Sekretar i Shtetit i Serbisë në Kosovë, në strukturat paralele që Serbia ka mbajtur në vend.

Megjithatë, së fundmi ai u bë kritik i zëshëm i qeverisë serbe dhe sidomos i qëndrimit të saj ndaj serbëve në Kosovë. Dhe ndërkohë që shumë njerëz në Kosovë ende e shikonin atë si një kriminel lufte, shumë të tjerë e shikonin atë si zërin e vetëm të vërtetë të serbëve të Kosovës.

Jeta e tij ishte polemike, por nuk ka asgjë polemike përsa i takon mënyrës së vdekjes së tij. Ai u qëllua për vdekje, disa herë, nga autorë të panjohur nga një automjet në lëvizje. Ai u vra.

Kjo është arsyeja pse është e rëndësishme të ndalojmë për një çast dhe të mos flasim për jetën e tij. Është e rëndësishme ta izolojmë vdekjen e tij si një akt brutal dhune nga të gjitha kuptimet e tjera të paraqitura në diskutime të ndryshme politike. Është e rëndësishme ta kuptojmë vdekjen e tij si një ngjarje, sesa ta përdorim vdekjen e tij për të zbatuar kuptime që tashmë i kemi.

Për këtë qëllim, nuk ka rëndësi nëse Ivanoniqi ishte një kriminel lufte, një politikan i moderuar apo diçka midis këtyre të dyjave. Nuk ka rëndësi as se kush e vrau atë, edhe pse, siç ka postuar në Twitter eksperti për Ballkanin Tim Judah, gjurmët e fajit shkojnë padyshim në veri drejt Beogradit, jo në jug drejt Prishtinës.

Sot, ajo që ka më shumë rëndësi është se ai u vra në mes të ditës, para zyrës së tij, ku ai supozohej të ishte i sigurt. Kjo është arsyeja pse vdekja e tij është treguesi më i gjallë se ne të gjithë kemi dështuar në Kosovë.

Serbët e Kosovës kanë dështuar se ata nuk kanë arritur të ndërtojnë një realitet politik dhe social ku njerëzit mund të mbajnë qëndrimet e tyre, pavarësisht se sa janë kundër rrymës së politikave qeverisëse të një vendi tjetër – Serbisë.

Ata nuk kanë arritur të ndërtojnë një komunitet në të cilin diversiteti i opinioneve nuk çon në dhunë e madje edhe në vdekje.

Kjo nuk ishte përpjekja e parë ndaj jetës së Ivanoviqit. Gjatë viteve të fundit, ka pasur pesë tentativa të tilla. Kjo është arsyeja pse edhe shqiptarët kanë dështuar. Si shumicë në Kosovë, ne mbajmë përgjegjësinë më të madhe për institucionet e Kosovës, të cilat nuk kanë arritur të komunikojnë me serbët e Kosovës, sidomos ata që jetojnë në veri të vendit.

Megjithatë, të dyja këto dështime janë më shumë pasojë e një dështimi edhe më të madh, atij të komunitetit ndërkombëtar.

Tensionet etnike që lindën gjatë luftës në Kosovë nuk u zgjidhën kurrë as nga OKB-ja dhe as nga BE-ja, por në vend të kësaj u ngrinë. Shqiptarët dhe serbët janë mbajtur të izoluar nga njëri-tjetri në veri të vendit që kur tanket e NATO-s hynë në Kosovë në vitin 1999.

BE-ja, ndërhyrësi kryesor ndërkombëtar në Kosovë, ka dështuar më shumë. Në frymën e letrës së famshme akuzuese të Emil Zola-s, unë e akuzoj kryesisht BE-në për këtë dështim të tmerrshëm, edhe pse shqiptarët dhe serbët në Kosovë sigurisht qe janë drejtpërdrejt përgjegjës për veprimet e tyre.

Këmbëngulja e BE-së që është vetëm përmes qeverisë së Serbisë që serbët e Kosovës të mund të flasin me shumicën shqiptare në Kosovë vërtetohet përsëri se është e gabuar.

Siç argumentova së fundmi në një studim të publikuar në European Foreign Affairs Review, BE-ja i ka përjashtuar në mënyrë efektive serbët e Kosovës si palë e interesuar nga dialogu i vazhdueshëm midis Kosovës dhe Serbisë, edhe pse shumica e vendimeve në dialog kanë të bëjnë kryesisht me serbët e Kosovës.

Në të njëjtën kohë, këmbëngulja e BE-së që autoritetet shqiptare në Prishtinë të rrinë larg veriut me shumicë serbe mbetet problematike. Kjo sidomos kur vjen puna te sundimi i ligjit. Politika të tilla kanë bërë që qyteti i Mitrovicës dhe i gjithë veriu të mbetet një territor pa ligj ku politikanë si Ivanoviqi mund të vriten për çfarëdolloj arsyeje.

Ishte politika e BE-së ajo që bëri që Ivanoviqi dhe politikanë të tjerë të moderuar serbë të margjinalizoheshin në skenën politike. Dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja midis Kosovës dhe Serbisë çuan në pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës në institucionet e Kosovës. Por me çfarë çmimi? Me çmimin e një force të re politike kukull që kontrollohet në mënyrë direkte nga Beogradi duke marrë përsipër skenën politike serbe në Kosovë.

Të sapoardhur anonimë të Listës Serbe tani përfaqësojnë ligjërisht interesat e komunitetit serb në parlamentin dhe qeverinë e Kosovës, për shkak të asaj që shokët e mi aktivistë të shoqërisë civile serbe të Kosovës e quajnë mashtrim në shkallë industriale në dy zgjedhjet e fundit. BE-ja ka bërë një sy qorr ndaj këtyre parregullsive, që bënë që politikanë të moderuar si Ivanoviqi të margjinalizoheshin në politikë.

Vrasja e Ivanoviqit ishte një krim. Por, para se të biem në kurthet pa lidhje të çdo politikani që përpiqet ta kthejë atë në dobi të agjendës së tij, lokale, rajonale apo ndërkombëtare, është e rëndësishme ta shohim atë për atë që ai ishte gjithashtu: një dështim.

 

Krenar Gashi është një studiues politik nga Kosova, aktualisht anëtar doktorant i Qendrës për Studime Europiane, në Universitetin Gent në Belgjikë.

Opinionet e shprehura në rubrikën e Opinioneve janë vetëm ato të autorit dhe jo domosdoshmërish pasqyrojnë pikëpamjet e BIRN.