Vjedhje Intelektuale Nuk Ka

Nis me narcistin duke e thirrur veten në telefon të shtëpisë nga një kabinë në qytet. Natyrisht, askush nuk përgjigjet.

Por përmbledhjes me poezi e përkthime “Bewilderment” të Davit Ferryt, Amerika i ishte përgjigjur duke ia ndarë çmimin kombëtar të librit për poezi më 2012.

Dhe më 9 janar, autori Dan Chiasson publikoi një artikull me titullin “Vjedhjet e Bukura të David Ferry-t”, në revistën The New Yorker.

“Poezia është qenësisht e lidhur me vjedhjen”, shkruan Chiasson. “Na e vjedh gjuhën tonë për ta kthyer në një të deformuar, ristruktuar dhe vështirë të njofshme”.

Për këso vjedhje, në poezi dhe përkthime, sipas tij, Ferry “është një hajn i veçantë”.

Gjatë vitit 2012, megjithatë, regjisorët e shkrimtarët u morën edhe me vjedhjen, literalisht. Me vjedhjen si marrje ose shfrytëzim pa të drejtë të pronës së dikujt tjetër.

Në filmin “The Words” të Brian Klugman dhe Lee Sternthal – që zhvillohet në formë të një tregimi të një romancieri të njohur duke u lexuar në teatër – autori Rory Jansen (Bradley Cooper), karakteri kryesor i novelës, përcaktohet për të ndjekur ëndrrën që të bëhet shkrimtar, përkundër insistimit të babait industrialist që të merret me një “punë të vërtetë”.

Rory përcaktohet për të ndjekur ëndrrën që të bëhet shkrimtar, përkundër insistimit të babait industrialist që të merret me një “punë të vërtetë”

Me të dashurën e tij të bukur, Rory vendoset në New York, ku gjen një apartament dhe fillon të bëjë jetën e shkrimtarit. Ka tavolinën, qetësinë e duhur, dashurinë dhe orarin e të shkruarit natën. Atij i mungon vetëm një gjë: cilësia e të shkruarit.

Ndonëse marrin mundin ta lexojnë, shtëpitë botuese ia kthejnë dorëshkrimet. Nga mirësjellja i thonë se tregimeve nuk është se u mungon kualiteti, por se problemi është te kriza ekonomike etj…Tani ai angazhohet në një shtëpi të këtillë, në punë fizike, për ta mbajtur veten.

Del rastësisht një dorëshkrim që Rory e has. Nëse nuk dinte të krijonte një tregim të madh, ai shumë mirë e dinte se dorëshkrimi ishte i këtillë. Fascinohet. Fillon ta transkriptojë dhe e vendosë në llaptopin e vet pikëpërpresje. Natën, nga një prej pagjumësive që sjellin lidhjet normale, e dashura e tij ulet në kompjuter dhe lexon rrëfimin.

Të nesërmen e përqafon, i thotë sa prekës e sa i vërtetë është rrëfimi dhe i kërkon falje që kishte dyshuar në të. Ai do t’i tregoj. Ajo ia vendos gishtin në buzë. Shshsh. Pastaj, mendon “si ta dëshpërojë atë?”. Një pastaj më vonë, i shfaqet edhe dëshira e pamëshirshme për pushtet, emër. I mposhtur nga këto shtysa, Rory shkon në shtëpinë botuese, redaktori mrekullohet, libri del në treg, ai sakaq është kudo, në tepihë të kuq, në show televizivë, në ndarje çmimesh…shkrimtari amerikan i kohës.

“Atij i mungon vetëm një gjë: cilësia e të shkruarit” 

Paralelisht, sulmet e ndërgjegjes fillojnë e më nuk ndalen. I tregon të dashurës, por ky pranim nuk ndihmon më. Del në park. Një plak (Jeremy Irons), i cili i kërkon autograf, del të jetë autori i vërtetë. Më vonë, Rory do t’ia japë fitimin, ta tregoj të vërtetën për të gjithë. Ai ka definitivisht anën e tij njerëzore. Plaku nuk do, nuk e çan kokën. Vetëm i thotë se ia kishte vjedhur tregimin-jetën e tij se “gjërat janë gjëra” e nuk mund të rregullohen.

Shkrimtari pyetet nga një lexuese se si jetoi Rory më pas. Por, ai e lë atë të imagjinojë vetë përgjigjen…

Në një rast tjetër, shkrimtari spanjoll Carlos Ruiz Zafon, i cili jeton në SHBA, në pjesën e tij të tretë të serisë së super-shitur e përkthyer, që kishte nisur me “Hijen e Erës”, në “I Burgosuri i Qiellit”, botuar edhe në shqip nga “Dituria” më 2012, vazhdon të shtojë në ngjarjet me të cilat jetuan karakteret tashmë botërore – Danieli dhe Fermini nga dyqani i tyre i librave “Sempre e Bijtë”, në Barcelonë.

Përveç ndodhive të reja e kurioze në jetën e personazheve familjare, informacionit të ri për Barcelonën dhe thjeshtësinë e të shkruarit, novela tregon se si shkrimtari i madh i sotëm e ministri spanjoll i kulturës, don Mauricio Valls, bëri një dredhi kriminale që të arrinte këtë status.

Kur hartuesit e politikave ose ligjeve, krijojnë me vetëdije hapësira të cilat e dinë se do të shfrytëzohen nga pushtetmbajtësit për t’i favorizuar ata, janë duke vjedhur shoqërinë që është përcaktuar për drejtësi. 

Ai ishte drejtor burgu në kohën e luftës civile, në anën e Frankos. Merrej me letërsi, por romanet e tij ishin shumë të thella për t’u kuptuar nga masa. Duke shfrytëzuar rrethanat e luftës, ai fut në burgun e tij shkrimtarin David Martin, të cilin e deklaronte sipërfaqësor dhe se, gjithnjë sipas vëzhgimit të tij, pikërisht për këtë e lexuakan njerëzit.

Vallas provoi të gjitha mënyrat për ta bindur Martinin t’ia redaktonte shkrimet, t’ia bënte për masat. Kur as dhuna as krimet tjera nuk kryen punë, atij iu kujtua çelësi. Dashuria. Martin kishte lidhjen e tij – atë – me gruan e pronarit të “Sempre e Bijtë”. Ai detyrohet të shkruaj, e dashura vdes, ai zhduket…

Tani, shumë vjet më vonë, ish-drejtori i burgut Vallas është i famshëm, i gjatë, i rrezikshëm, por edhe gjithnjë në kërkim të mbulimit të së vërtetës që kërcënon të arrijë përmes ish-të burgosurit Fermin Romero de Torres, mikut prinicipiel e hokatar të Danielit, djalit të së dashurës së shkrimtarit të vërtetë.

Tregimi këndej fiksionit

Fatkeqësisht, tregimi i vjedhjes së kësaj natyre del këtej krijimit.

Vitin e kaluar, Fareed Zakaria, prezantuesi i njohur në CNN dhe kolumnisti i revistës Time, ishte suspenduar përkohësisht pasi ishte akuzuar se një kolumne e tij për revistën i ngjante një shkrimi të mëhershëm në The New Yorker. Zakaria e kishte pranuar ndikimin dhe gabimin e tij.

Përkundrazi, Universiteti i Prishtinës pat ndërprerë në vitet e kaluara “gjuetinë e shtrigave” kundër profesorëve me botime të kopjuara në Kosovë. Nuk kërkuan falje dhe nuk pranuan gabimin. Jo vetëm që UP-ja dhe institucionet e tjera nuk vazhduan të luftojnë këtë lloj vjedhje, ajo ka shumë më tepër dimensione që i ka fituar ndërkohë.

Vjedhje është njëjtë edhe kur botohet një material ose vepër, me paratë e shtetit, dhe autori e di që ajo nuk ka cilësinë e duhur dhe është bërë më shumë për t’i shpenzuar ato para. Përgjegjësia bie edhe tek dhënësi i parasë së buxhetit, nëse nuk kujdeset për mbikëqyrjen e cilësisë së punës. Me ato mjete, shoqëria do të mund të përfitonte nga investimi në lëmi, ose nevoja të tjera.

Kur hartuesit e politikave ose ligjeve, krijojnë me vetëdije hapësira të cilat e dinë se do të shfrytëzohen nga pushtetmbajtësit për t’i favorizuar ata, janë duke vjedhur shoqërinë që është përcaktuar për drejtësi.

Zyrtarët e lartë, të cilët kryejnë disa nga detyrat më vendimtare për organizimin shoqëror, si ministra a drejtorë komunash, dhe të cilët angazhohen edhe në mësimdhënie të rregullt, në çfarëdo niveli, edhe ata janë duke vjedhur. Ata cenojnë efikasitetin në të dy ose më shumë vendet e punës  – dhe kështu shanset e arritjeve më të mira si shoqëri – rrezikojnë kushtet e barabarta të qytetarëve në punësim dhe përvojë (që është një nga obligimet e demokracisë), e po ashtu edhe rezultatet e barabarta (obligimi tjetër i demokracisë) në lidhje me të ardhurat, pjesëmarrjen etj.

Zyrtarët e lartë, të cilët kryejnë disa nga detyrat më vendimtare për organizimin shoqëror, si ministra a drejtorë komunash, dhe të cilët angazhohen edhe në mësimdhënie të rregullt, në çfarëdo niveli, edhe ata janë duke vjedhur.

Intelektuali është lidhur gjithmonë me etikën dhe një aspekt utilitarizmi. Nuk ka asgjë të keqe të synohen punë të mëdha si dhe pushtet (të çfarëdo forme) – këto janë krejt në rregull, përderisa prej këtij angazhimi vetjak nuk dëmtohet askush dhe, mundësisht, përfiton shoqëria përkatëse, ose një pjesë e saj. Çdo shoqëri ka nevojë për organizim më të mirë.

Por, kur gjithçka grumbullohet vetëm rreth vetes dhe në dëm të shoqërisë, kjo e fundit ka të drejtë edhe të mos i bindet autoritetit të intelektualit, edhe të mund ta kritikojë atë.

Nuk ka vjedhje intelektuale. Kur shoqëria vidhet dhe individëve u buron pushteti prej kësaj vjedhje, kushdoqofshin ata, s’janë tjetër pos hajna.

Sfera intelektuale kosovare (apo, si do të quhej?), nuk duhet të ketë iluzion. Kriza e autoritetit të saj, prej nga ndikohet dobësia e organizimit të shoqërisë, është shpesh pasojë e vjedhjes së shoqërores.