Vjedhja Institucionale Tatimore në Veri

Qytetarët e katër komunave veriore vazhdojnë të mos paguajnë tatimin në pronës. Ata madje mund të ndërtojnë objekte pa pasur nevojë që të paguajnë për leje ndërtimore siç kërkohet me ligj. Ky privilegj për banorët e këtyre katër komunave mundësohet nga krerët e komunave veriore, të cilët ‘refuzojnë’ t’i zbatojnë ligjet e Republikës së Kosovës.

Janë katër Komuna (Mitrovica Veriore, Zubin Potokut, Leposaviqit dhe Zveçanit) të cilat nuk e zbatojnë Ligjin për Tatimin në Pronë dhe atë për lejet e Ndërtimit.

Mos-zbatimin e këtyre ligjeve nga ana e këtyre komunave e ka konstatuar Zyra Kombëtare e Auditimit me rastin e auditimit të raporteve financiare për vitin 2016. Kjo e gjetur ishte prezente te komuna e Mitrovicës së Veriut, ajo e Zubin Potokut, Leposaviqit dhe Zveçanit.

Pagat, shpenzimet tjera operative dhe investimet kapitale, këto komuna i mbulojnë vetëm me parat që ndahen si grante nga Qeveria qendrore.

Në raportin e Auditorit thuhet se këto komuna kanë realizuar vetëm 50 mijë e 550 euro të hyrat vetjake të realizuar vitin e kaluar, ndërsa së bashku kanë një buxhet prej 11 milionë euro. Mitrovica e Veriut kishte të hyra prej 44,055 euro, Zubin Potok kishte vetëm 2,495 euro, Leposaviq kishte 2,078 euro dhe të hyrat e Komunës së Zveçanit ishin vetëm 1,972 euro. Këto të hyra janë pa gjobat e gjykatave dhe policisë).

Këto të hyra, komunat i realizuan nga taksat administrative dhe taksat për certifikatat e lindjes, të kurorëzimeve dhe të vdekjeve përderisa nuk përfillën fare Ligjin për Tatimin në Pronë dhe Lejet e Ndërtimit duke mos vjelë të hyra nga këto fusha. Madje Komuna e Mitrovicës Veriore dhe ajo e Leposaviqit arkëtojnë të hyra me rregullore të UNMIK-ut e cili nuk parasheh mbledhjen e të hyrave.

Përveç kësaj, komunat veriore për të hyrat e arkëtuara në para të gatshme nuk i deponojnë rregullisht në llogari bankare dhe mbajnë evidencë manuale për to.

Shmangia e komunave veriore nga zbatimi i Ligjit të Tatimit në Pronë dhe Lejet e ndërtimin auditori i përgjithshëm e konsideron si qasje injoruese dhe jo serioze të menaxhmenteve të komunave veriore për të përfituar nga shërbimet e tyre, për rritjen e të hyrave edhe të sigurisë dhe mirëqenies shoqërore. Kjo sipas auditorit rritë rrezikun për mospajtueshmëri të ligjeve të aplikueshme, redukton të hyrat vetjake dhe financimin e projekteve nga ky burim.

Lidhur me këto të gjetura, institucionet e nivelit qendrorë ja “hedhin topin” njëra-tjetrës. Në anën tjetër njohës të çështjeve juridike në Kosovë mospagesën e tatimeve në komunat veriore e vlerëson si “trimëri e veçantë” e joshur nga dialogu me Serbinë. Prishtina zyrtare duhet të investojë në atë pjesë për integrimin e serbëve dhe shtritjen e juridiksionit të saj.

Institucionet Qendrore “Hedhin Topin” Njëra Tjetrës

Nga Ministria për Administrimin e Pushtetit Lokal (MAPL) thonë se janë në dijeni që komunat në fjalë nuk i zbatojnë këto ligje. Por, kjo ministri përgjegjës i bënë dy ministri të tjera.

“Jemi në dijeni, mirëpo nuk jemi përgjegjës për monitorimin e zbatimit të këtyre dy ligjeve”, thuhet në përgjigjen zyrtare të kësaj ministrie. Kjo ministri përgjegjëse i ka bërë ministrin e financave dhe atë të Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor.

MAPL thotë se të gjitha komunat tjera i zbatojnë këto ligje.

Gazeta Jeta në Kosovë ka dërguar pyetje edhe te Ministria e Financave, por nga kjo ministri u tha se duhet t’i drejtoheni Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH). Gazeta JnK ka dërguar pyetje edhe tek ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, por ajo ende nuk ka kthyer përgjigje.

Njohësi i rrethanave juridike në Kosovë, Vigan Qorolli, thotë se komunat veriore janë nxitur nga dialogu me Serbinë për të mos paguar tatimet dhe taksat.

“Serbët nuk paguajnë tatime, nuk paguajnë energjinë elektrike dhe nuk paguajnë asnjë shërbim që e marrin nga shteti të cilit i takojnë fizikisht por, jo emocionalisht – Republika e Kosovës. Kjo “trimëri e veçantë” e tyre është joshur edhe nga dialogu, shpeshherë i përçudnuar, mes Prishtinës e Beogradit, meqenëse ana jonë (Prishtina) nuk ka insistuar asnjëherë që t’i fus serbët nën ombrellën e saj tagrambledhëse”, tha Qorolli për Gazetën Jeta në Kosove

Qorolli më tej tha se serbët nuk kanë vullnet për autoritetin shtetëror të Kosovës atje dhe Prishtina nuk duhet ta lejojë këtë.

“Mospagimi i taksave dhe kontributeve me inercion politik në një sistem kushtetues është i papranueshëm dhe kësaj gjëje duhet t’i jap njëherë e mirë fund Prishtina si autoriteti kompetent për ta shtrirë juridiksionin në tërë territorin e saj”, tha ai.

Ai thotë se Qeveria e Kosovës nuk duhet t’i tolerojë serbet të mos paguajnë asnjë obligim ndaj shtetit.

“Institucionet e Kosovës nuk duhet të rrinë këmbëkryq por, me anë të dialogut dhe pastaj të forcës së ligjit – t’i ndërmarrin masat e nevojshme që do t’i detyronin serbët kosovarë t’i respektojnë ligjet e aplikueshme të vendit të cilit i takojnë”, tha Qorolli.

Sipas tij, Prishtina zyrtare nuk duhet dorëzuar, ajo duhet të investojë në veri që serbët të integrohen dhe ta kuptojnë se është shërbëtorja e tyre.

“Prishtina zyrtare, domethënë ATK, Dogana, Ministria e Financave, etj., në asnjë rrethanë nuk duhet të dorëzohen nga këto dredhi që i bëhen, por të ndërhyjnë me investime infrastrukturore në veri, me ndërtim rrugësh, shkollash dhe spitalesh. Tek pastaj serbët do ta kuptojnë se Prishtina është e interesuar jetikisht t’i integrojë ata dhe se ajo është shërbëtorja e tyre dhe jo Beogradi, që zaten ndikon tek ta në mënyrë hipokrite”, tha ai.

Zvarritje e qëllimshme

Komuna e Mitrovicës së Veriut nuk ka realizuar të hyra pasi nuk zbatoi ligjin.

“Komuna nuk është duke zbatuar ligjin për tatimin në pronë dhe ligjin për ndërtimet. Si pasoj nuk ka realizuar të hyra nga tatimi në pronë, ndërsa nga lejet e ndërtimit ka dhënë vetëm një leje ndërtimi nga e cila janë inkasuar taksa në vlerë 19,568€, prandaj edhe niveli i mbledhjes së të hyrave vetjake është shumë i ulët”, thuhet në raport.

Më tutje në raportin e auditimit thuhet se komuna ende bën arkëtimin e të hyrave duke u bazuar në një vendim nga koha e UNMIK-ut.

Auditori thotë se komuna nuk ka arrit të bëjë një rregullore të re për zbatimin e ligjit në fuqi.

“Për më tepër, ky vendim, nuk parasheh të hyrat nga tatimi në pronë, lejet e ndërtimit, shfrytëzimin e pronave publike apo burime tjera të të hyrave komunale. Menaxhmenti i komunës, përkundër rekomandimeve të dhëna në këtë fushë, ende nuk ka arrite të përshtatë dhe të aprovoj një rregullore të re mbi taksat, ngarkesat dhe tarifat me legjislacionin në fuqi. Sipas komunës, rregullorja është në proces të hartimit të saj për tu dërguar pastaj për miratim në Kuvendin Komunal”, thuhet në raport.

Moszbatimin e ligjit të tatimin në pronë, auditori e konsideron si qasje jo serioze të menaxhmentit për të përfituar nga shërbimet e ofruara për rritjen e nivelit të të hyrave por edhe të sigurisë dhe mirëqenies së shoqërisë.

Raporti i Auditorit thotë se komuna e Zubin Potokut ende nuk ka një rregullore të brendshme të aprovuar nga Kuvendi komunal për taksa, tarifa dhe ngarkesa për shërbimet që u ofron qytetarëve të saj.

Më tutje në raport përmendet se komuna nuk po e zbaton Ligjin për Tatimin në Pronë dhe Lejet e Ndërtimit përderisa taksat administrative pranon kesh dhe manualisht te evidentuara

“Komuna nuk është duke zbatuar ligjin për tatimin në pronë dhe ligjin për ndërtimet, si dy burime kryesore të të hyrave. Si pasojë nuk ka realizuar të hyra nga tatimi në pronë, lejet e ndërtimit, nga shfrytëzimi i pronave publike nga qytetarët, apo në baza tjera, prandaj edhe niveli i mbledhjes së të hyrave vetjake është simbolik; dhe Shumat e arkëtuara të taksave administrative nuk deponohen rregullisht në llogari bankare, ndërsa evidencat mbahen në mënyrë manual” thotë raporti.

Auditori vlerëson si qasje injoruese nga menaxhmenti i komunës për të aplikuar kërkesat ligjore në këtë fushë. Kjo sipas auditorit rritë rrezikun për mospajtueshmëri të ligjeve të aplikueshme, redukton të hyrat vetjake dhe financimin e projekteve nga ky burim.

Komuna e Leposaviqit ka realizuar vlerë të ulët të hyrave vetjake pasi nuk zbatoi ligjin

“Komuna nuk është duke zbatuar ligjin për tatimin në pronë dhe ligjin për ndërtimet, si dy burime kryesore të të hyrave Si pasojë nuk ka realizuar të hyra nga tatimi në pronë, respektivisht nga lejet e ndërtimit, prandaj edhe niveli i mbledhjes së të hyrave vetjake simbolik”, thotë auditori.

Auditori evidenton se arkëtimi i të hyrave bëhet vetëm me para të gatshme, nuk deponohen rregullisht në llogari bankare dhe evidence për to mbahet në mënyrë manual.

Komuna mbledh të hyra me vendim të UNMIK-ut që nuk parasheh mbledhjen e tyre

“Komuna ende kryen arkëtimin e të hyrave duke u bazuar në një vendim nga koha e UNMIK-ut. Për më tepër, ky vendim nuk parasheh të hyrat nga tatimi në pronë, lejet e ndërtimit, shfrytëzimin e pronave publike apo burime tjera të të hyrave komunale”, thotë Auditori.

Edhe komuna e Zveçanit injoron dhe nuk e zbaton ligjin për tatimin në pronë dhe ligjin për ndërtimet duke mos realizuar të hyra nga to. Në anën tjetër të hyrat nga taksat administrative nuk deponohen rregullisht llogari bankare dhe evidence mbahet manualisht

“Komuna nuk është duke zbatuar ligjin për tatimin në pronë dhe ligjin për ndërtimet, si dy burime kryesore të të hyrave. Si pasojë nuk ka realizuar të hyra nga tatimi në pronë, lejet e ndërtimit, nga shfrytëzimi i pronave publike nga qytetarët, apo në baza tjera, prandaj edhe niveli i mbledhjes së të hyrave vetjake është simbolik; dhe shumat e arkëtuara të taksave administrative nuk deponohen rregullisht në llogari bankare, ndërsa evidencat mbahen në mënyrë manuale”, bën të ditur raporti.